'Zbulim epokal' i Komunës së Malishevës, me sy analizon papastërtinë në shkolla - paralajmëron ndëshkime
Komuna e Malishevës, që udhëhiqet nga NISMA Socialdemokrate, ka bërë një lajmërim për masa disiplinore ndaj punëtorëve teknik të shkollave në komunën e saj. Masat disiplinore u arsyetuan me mungesën e “rendit shtëpia”.
“Drejtoria për Arsim dhe Edukim do të angazhohet bashkë me të gjithë personelin arsimor teknik që në rast të moskryerjes së detyrave të punës do të merren masa disiplinore, të cilat lejohen sipas ligjit të punës dhe legjislacionit në fuqi”, thuhen në njoftimin e Komunës.
Për këtë mungesë pastërtie në shkolla, Drejtoria e Arsimit ka kërkuar “respektim të kontratës së punës”.
E para e arsimit në Malishevë, Arbëreshë Krasniqi, ka dhënë një shpjegim të çuditshëm se si i inspektuan punëtorët teknik.
“Inspektimi, qysh sa ka zgjatë inspektimi? Janë pamje vizuele që i kemi pa në shkolla. Vizualisht është hasur në papastërti nëpër shkolla”, thotë Krasniqi, e cila nuk e di as numrin e as shkollat konkrete ku është kryer “inspektimi vizual”.
Tutje, Krasniqi ka thënë se ky lajmërim për masa disiplinore ende nuk është vendim.

“Të gjithë punëtorët teknik të cilët nuk janë të përgjegjshëm krahas obligimeve që ngarkohen me kontratën e punës, ata do t’i nënshtrohen masave disiplinore, sepse gjatë inspektimeve kemi vrejtë se gjendja e pastërtisë në shkolla nuk është në nivel”, ka thënë për Nacionale drejtoresha e Arsimit në Malishevë.
Duke treguar se sa e rëndësishme është pastërtia, Krasniqi thotë se njoftimi është bërë për të gjithë personelin teknik dhe ata arsimor që të ndihmojnë dhe t’i kontribuojnë pastërtisë në shkolla.
Ajo ka përmend rriqrat kur foli për pastërtinë nëpër shkolla, ndonëse Nacionale nuk e di se ku bazohet Krasniqi që etheve hemoraxhike i kontribuon papastërtia.
Drejtoresha e Arsimit nuk e di as numëron e saktë të punëtorëve teknik në shkollat e Malishevës.
“Po duhet me qenë mbi 100. Por dëgjo i nderuar. Ti është dashur me më njoftu që paraprakisht po don me bo lajm. Nuk jam e gatshme me dhanë intervistë, ta sqarova çështjen e njoftimit, kjo ka të bëjë normalisht me ata personat të cilët nuk i përgjigjen detyrave”, thotë Krasniqi.
Kujtojmë që Malisheva udhëhiqet Ekrem Kastrati i NISMA Socialdemokrate, pasi fitoi zgjedhjet në garën elektorale të nëntorit të vitit të kaluar.
Në fakt kjo komunë është e vetmja nën udhëheqjen e NISMËS së Fatmir Limajt, dikur zëvendës kryeministër i Kosovës, partia e të cilit nuk e kaloi pragun në zgjedhjet e përgjithshme të 2021.