Ushtria amerikane rrëzon objektin e katërt fluturues - NACIONALE

Ushtria amerikane rrëzon objektin e katërt fluturues

3 vjet më parë

nga NACIONALE

SHBA ka rrëzuar një tjetër objekt fluturues të paidentifikuar në operacionin e katërt ushtarak të këtij lloji vetëm gjatë këtij muaj.

Presidenti Joe Biden urdhëroi që ajo të rrëzohej pranë liqenit Huron, afër kufirit kanadez, të dielën pasdite.

Në një deklaratë të Pentagonit, thuhet se objekti u zbulua për herë të parë mbi vendet ushtarake në Montana.

Objekti, i cili nuk u konsiderua si kërcënim ushtarak, është përshkruar nga zyrtarët e mbrojtjes si një "strukturë tetëkëndore" pa pilot. Ai u rrëzua nga një raketë e lëshuar nga një avion luftarak F-16, raporton BBC.

Incidenti ngre pyetje të mëtejshme në lidhje me objektet në lartësi të mëdha që janë rrëzuar mbi Amerikën e Veriut këtë muaj.

Që nga incidenti i parë, avionët luftarakë amerikanë kanë rrëzuar tre objekte të tjera.

Presidenti Biden urdhëroi që të rrëzohej një objekt në veri të Alaskës të premten dhe të shtunën një objekt i ngjashëm u rrëzua mbi Yukon në Kanadanë veriperëndimore.

Zyrtarët nuk e kanë identifikuar publikisht origjinën apo qëllimin e këtyre objekteve. Si SHBA ashtu edhe Kanadaja janë ende duke punuar për të rikuperuar mbetjet, por kërkimi në Alaskë është penguar nga kushtet e Arktikut.

"Këto objekte nuk ngjanin shumë dhe ishin shumë më të vogla se baloni [4 shkurt] dhe ne nuk do t'i karakterizojmë përfundimisht derisa të mund të rikuperojmë mbeturinat," tha një zëdhënës i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, raporton BBC.

Ndërkaq, ditë më parë një balonë e dyshuar spiune kineze u rrëzua në brigjet e Karolinës së Jugut më 4 shkurt, pasi qëndroi pezull për ditë të tëra mbi SHBA-në kontinentale. Zyrtarët thanë se e kishte origjinën në Kinë dhe ishte përdorur për të monitoruar vendet e ndjeshme.

Kina mohoi se objekti ishte përdorur për spiunazh dhe tha se ishte një pajisje monitoruese e motit që ishte hedhur në rrugë të gabuar. Incidenti - dhe shkëmbimet e zemëruara pas tij - rritën tensionet midis Uashingtonit dhe Pekinit.

Lajme të ngjashme