Ushtarët rrezikojnë të mbesin pa bukë, Komandantja Supreme nuk e thotë asnjë fjalë: Pse po hesht presidentja? - NACIONALE

Ushtarët rrezikojnë të mbesin pa bukë, Komandantja Supreme nuk e thotë asnjë fjalë: Pse po hesht presidentja?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka thënë ende asnjë fjalë për skandalit me ushqim të FSK-së. Duket se Komandantes Supreme nuk i ka bërë fare përshtypje rreziku se ushtarët e saj mund të mbesin pa bukë, apo mund të helmohen nga ushqimi që konsumojnë tani nëpër kazerma.

Ka disa javë që mediat raportojnë për rrezikun e mbetjes pa ushqim të ushtarëve të FSK-së, shkaku i dështimit të tenderit të fundit për furnizim me ushqim të FSK-së. Këto raportime janë konfirmuar dje nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Ky i fundit, përmes një letre drejtuar ministrit të Mbrojtjes, Ejup Macedonci, ka treguar vështirësitë që ushtarëve e FSK-së po hasin në procesin e ushqimit. Ai aty flet për mungesë të ushqimit dhe rrezikun e helmime të ushtareve nga ushqimi që konsumojnë.

Madje, ai ka paralajmëruar edhe ndalimit e aktiviteteve të ushtrisë.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve dramatike, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila është komandante supreme e FSK-së, ka zgjedhur heshtjen.

Ndonëse për çështjen në fjalë është deklaruar komandanti i FSK-së, Ministria e Mbrojtjes, opozita dhe shoqëria civile, shefja e shtetit nuk e ka thënë asnjë fjalë.

Ajo vazhdimisht flet dhe shkruan për të arritura dhe sukseset e kësaj force brenda dhe jashtë Kosovës, duke u shprehur krenare me pasardhësen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa, për sfidat e kësaj force duket se nuk preferon të flasë.

Heshtja e Komandantes Supreme ndaj krizës së ushqimit për ushtarët e FSK-së duket e çuditshme.

Heshtjen e presidentes e ka kritikuar deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.

Ajo është shprehur e habitur me mosreagimin e presidentes.

“Forca e Sigurisë së Kosovës pa bukë...Komandatja supreme e heshtur?!...”, ka shkruar Hoxha në profilin e saj në “Facebook”.

Çka thotë letra Bashkim Jasharit

Në letrën e tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, thuhet se kuzhinierët e institucioneve të tjera, kanë njoftuar se nga 11 tetori nuk do të shkojnë nëpër kazerma.

Madje, Jashari ka alarmuar për rrezikun e helmimit dhe përhapjes së infeksioneve.

Të nderuar, Me datën 07.10.2024 ju kam njoftuar lidhur me shqetësimet e shërbimit me ushqim për personelin e FSK dhe kam kërkuar që të merrni të gjitha masat, konform legjislacionit në fuqi, që t’i jepni një zgjidhje çështjes së ushqimit në mënyrë që FSK të vazhdojë realizimin e planifikimeve të saj. Sipas raporteve të fundit (me të cilat jeni edhe ju të njoftuar) në njësitë e FSK-së janë paraqitur shqetësime lidhur me shërbimet me ushqim, konkretisht me kuzhinierë (vonesa të ndryshme dhe ka raste kur nuk paraqiten në punë). Përveç mungesës së personelit të kuzhinave, e që ka ndikim në kualitetin e ushqimit dhe probleme të furnizimit me artikuj ushqimor, kemi edhe probleme sanitare, e kjo e fundit paraqet rrezik në helmimin dhe përhapjen e infeksioneve tek personeli i FSK- së”, thuhet në kërkesën e tij.

Sipas tij, krejt këto probleme po ndikojnë në kryerjen e detyrave. Komandant Jashari ka lënë të hapur mundësinë për pezullimin e të gjitha aktiviteteve.

Të gjitha këto probleme ndikojnë për FSK-në, në kryerjen e detyrave operacionale për përmbushje misionit, kurseve zhvillimore, stërvitjeve fushore dhe aktiviteteve tjera, konform planifikimit“.

“Për më tepër, personeli në kuzhina të cilët janë të angazhuar nga institucionet tjera, kanë deklaruar që deri me datën 11.10.2024 do të paraqiten në punë, pastaj nuk do të paraqiten në kuzhinat e FSK-së“.

Tutje, Komandant i FSK-së foli për secilën gradë të personelit duke treguar se sa racione iu duhet të konsumojnë gjatë kohë se janë në punë.

Bazuar në legjislacionin në fuqi ndër të tjerat shprehimisht parashihet: Personeli i FSK, rekrutēt, kadetët kanë të drejtë në një (1) racion të ushqimit gjatë orarit të rregullt të punës; Pjesëtari, i cili është në shërbim/detyrë më gjatë se orari i rregullt i punës dhe koha e qëndrimit në detyrë është më shumë se dymbëdhjetë orë (12h), por jo më gjatë se gjashtëmbëdhjetë orë (16h), ka të drejtë në dy (2) racione të ushqimit, Pjesëtari aktiv i FSK-së, i cili është në shërbim/detyrë njëzet e katër orë (24h) pa ndërprerë, ka të drejtë në tri (3) racione të ushqimit, Pjesëtari aktiv i FSK-së, i cili është në shërbim kujdestarie njëzet e katër orë (24h) dhe pjesëtari i fushës së specializuar që merr pjesë në operacione, trajnime të veçanta që kërkon aktivitet të lartë fizik kanë të drejtë edhe për ushqim shtesë

Komandanti i FSK ka kërkuar nga Maqedonci e Dugolli që t’i jepen udhëzime se si të veprojë më tutje, në të kundërtën do të duhet të ndërpresin të gjitha aktivitete.

I nderuar z. Ministër dhe z. Sekretar, bazuar në atë që u cek më lartë ju lutem të jepen udhëzimet e duhura se si do të veprohet nga data 11.10.2024 e tutje. Pasi që, mos paraqitja e personelit nga institucionet tjera në kuzhinat e FSK-së, vonesat në furnizim me artikuj ushqimor dhe sanitar dhe rreziqet për pasoja shëndetësore do të na detyrojnë që të marrim masat për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve e planifikuara dhe të funksionojmë vetëm me staf esencial“, thuhet në letrën e Jasharit për Ministrinë e Mbrojtjes.

Ndaj letrës se Jasharit, ka reaguar Ministria e Mbrojtjes. Kjo e fundit, përmes një reagimi për media, është munduar t`i minimizoi shqetësimet që komandanti i FSK-së i ka shprehur në letër.

Ministria ka bërë me dije se letra e Bashkim Jasharit, e cila sot është publikuar nga gazeta Insajder është një komunikim i zakonshëm ku raportohen vështirësitë të cilat hasen gjatë procesit të furnizimit me ushqim të FSK-së.

Letra drejtuar Ministrit të Mbrojtjes nga Komandanti i FSK-së është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm ku raportohen vështirësitë të cilat hasen gjatë rrugës, dhe sigurisht se ndërtimi i kapaciteteve të vetqëndrushmërisë sa i përket ushqimit nuk është një proces pa vështirësi. Përgjatë kësaj periudhe kalimtare do të ndërmirren masat për të siguruar vazhdimësinë e ofrimit të këtij shërbimi. Ushtarakët nuk do të mbesin pa ushqim, këtë ua garantojmë pjesëtarëve të FSK-së.”, është thënë në reagimin e ministrisë.

Ndër të tjera, ministria ka vlerësuar se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë.

Të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe po shërbehet llojllojshmëri shujtash pavarësisht nga jo që po tentohet të propagandohet në disa medie dhe rrjete sociale. E vërteta është se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë, e vetmja gjë me të cilën po përballemi është mungesa në numër e stafit teknik, pasi kuzhinierët veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Sutdentore si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës. Ky problem do të zgjidhet sapo të mbyllet konkursi për pranimin e stafit profesional vetanak, konkurs ky që është hapur dhe çdo procedurë do të përfundoj në afat prej 45 ditësh”, është thënë në reagim.

Lajme të ngjashme