Ushtarët amerikanë patrullojnë në kufi me Serbinë, Maqedonci thotë se i bëjnë ballë edhe pa KFOR-in - NACIONALE

Ushtarët amerikanë patrullojnë në kufi me Serbinë, Maqedonci thotë se i bëjnë ballë edhe pa KFOR-in

1 vit më parë

nga NACIONALE

Derisa ushtarët e KFOR-it thuajse çdo ditë po kryejnë patrullime në veriun e vendit, më konkretisht pranë vijës kuftiare administrative, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci deklaron se i bëjnë ballë Serbisë edhe vetë.

Në një postim të publikuar të enjten, KFOR tregonte disa pamje të ushtarëve amerikanë duke kryer një patrullë rutinë në veri të Kosovës.

“Ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, kryen një patrullë rutinë në veri të Kosovës përgjatë vijës kufitare administrative.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë” – thuhej në postim.

Derisa janë shtuar zërat që kanë shprehur shqetësim mbi një largim të ushtarëve amerikanë, ministri Maqedonci deklaroi se nuk kanë informacione zyrtare për tërheqje të mundshme të trupave të NATO-s nga Kosova.

Në një intervistë të mërkurën në “KTV”, Maqedonci kur u pyet nëse mund t’i bëhet ballë Serbisë pa KFOR-in, fillimisht ka thënë “Patjetër”.

Ministri i Mbrojtjes shtoi se janë përgatitur ushtarët, e madje llogariti edhe në “qytetarë që janë të gatshëm t’iu bashkohen”.

“Patjetër, ne jemi në vendin tonë, ne jemi në tokën tonë, ne po ndërtojmë një ushtri, ne kemi blerë pajisje. Kemi përgatitur ushtarakët tanë, kemi qytetarë të cilët janë me të vërtetë të gatshëm për t’iu bashkangjitur dhe për të mbështetur kapacitetetet tona në çdo rrezik dhe kërcënim. Por, normalisht ne jemi të vetëdijshëm për prezencën e NATO-s në Kosovë dhe do koordinojmë çdo veprim tonin me këtë prezence deri sa ajo të jetë këtu” – u shpreh ai, transmeton Nacionale.

Ndërkohë, ash për tash, nuk ka ndonjë ndryshim në pozicionimin e forcave amerikane të NATO-s. Kështu kanë thënë nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes për “REL”.

Mediumi të enjten ka raportuar se një zyrtarë i Departamentit u ka thënë se “tash për tash, nuk ka asnjë ndryshim në pozicionimin e forcave për të njoftuar”.

Theksojmë se ministri Maqedonci u komentua shumë para pak ditësh, kur krahasoi fuqinë ushtarake të Kosovës me atë të Francës në një forum ndërkombëtar.

“Kjo administratë në ShBA po përsërit nevojën për më shumë investime në mbrojtje dhe siguri në Evropë. Ndoshta unë vij nga kjo prapavijë. Por unë shoh që Evropa nuk ka bërë shumë për t’i ndërtuar kapacitetet e saj, dhe duke u varur vazhdimisht nga ShBA-ja...Në këtë drejtim, justifikoj kërkesën e administratës Trump për më shumë investime në mbrojtje.

Për shembull, Kosova sot po ndërton fabrikën e saj për të prodhuar municion, dhe Franca ende s’e ka këtë” - kishte thënë ai, transmeton Nacionale.

Lajme të ngjashme