Intervista e Lajçakut, telefonata e Cholletit: Më 2 maj fillon "urgjentisht" themelimi i Asociacionit
Takimi i parë i Nivelit të Lartë pas Marrëveshjes së Ohrit mbahet më 2 maj dhe në krye të agjendës do ta ketë fillimin e procesit të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Këtë e konfirmoi vetë Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në një intervistë për median sllovake “Dennik”, ku tha se është pikërisht draft-Statuti i Asociacionit ajo çfarë do të kenë në tryezë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Do të jetë hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, tha Lajçak. Se themelimi i Asociacionit është “nevojë urgjente” tha edhe Këshilltari i Lartë në DASh, Derek Cholllet.
“Për mua e rëndësishme është që më 2 maj të kemi takimin e planifikuar mes Presidentit [të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti në Bruksel, ku fillimi i procesit të themelimit të Asociacionit [të Komunave të banuara me shumcië serbe] do të jenë në agjendë. Draft-Statuti do të paraqitet, i cili është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, tha Miroslav Lajçak këtë të enjte.
Lajçak vazhdoi të elaborojë edhe më tej për çka dhe pse po bëhet ky Asociacion: “për të qartësuar marrëdhënien mes qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës”, tha ai. Kjo, sipas tij, për arsye të “përcaktimit të statusit ligjor të serbëve të Kosovës dhe pakicës serbe në Kosovë”. Dhe, këtij Asociacioni, sipas Lajçak, i duhet përcaktuar “se çfarë kompetencash do të ketë”.
“Është temë e ndjeshme, ka ende shumë për të biseduar rreth saj, por për mua është e rëndësishme që më në fund të nisim të përcaktojmnë se çfarë do të thotë ky Asociacion, cili do të jetë statusi ligjor i tij, çfarë kompetencash do të ketë. Do t’u rrimë prapa modeleve evropiane”.
Deklarohet Chollet
Zyrtari i Lartë në Departamentin amerikan të Shtetit këtë të enjte telefonoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin, siç lajmëroi, biseduan rreth “nevojës urgjente për themelimin e Asociaconit të Komunave Serbe”.
“Bisedë përmbajtësore dhe pozitive me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot. U pajtuam rreth fuqizimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve ndëermjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë dhe përqendrimin e përbashkët në progresin rreth Dialogut, e në veçanti për nevojën urgjente për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Presim takim konstruktiv më 2 maj në Bruksel”, shkroi Derek Chollet në Twitter.
Vuçiq kërkon tjetër çka: Asociacion përtej Kushtetutës së Kosovës
Në një konferencë për media duke folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës të populluara me shumicë serbe, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se “nuk kam vendosur ende” nëse do të shkojë në dialog më 2 maj, por vetëm që të dëgjojë Ekipin Menaxhues.
Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe “duhet të formohet vetëm në bazë të parimeve të nënshkruara me [ish-Kryeministrin e Kosovës] Isa Mustafën”, u shpreh decidivisht ai. “Të mos luajnë përalla me Serbinë rreth Kushtetutës së Kosovës”, tha presidenti serb dhe shtoi se krahas Asociacionit do të kërkojë edhe tërheqjen e njësive speciale të Kosovës nga ato zona.
Edhe ministri serb i jashtëm, Ivica Daçiq, duke folur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, tha se “parakusht i të gjitha parakushteve” për Serbinë që të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, është themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe.
Ekipi “fantazmë” Menaxhues
Tashmë një muaj pas Marrëveshje së Ohrit, Ekipi Menaxhues është bërë si fantazmë për të cilin të gjitë flasin dhe askush nuk e ka parë. Ky Ekip, siç është thënë, është përgjegjës për draftimin e një Statuti fillestar të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ky Ekip do të duhej të takohej me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, por që s’e ka bërë. Kështu njoftoi edhe vetë ministri i këtij dikasteri, Elbert Krasniqi.
“Ju njoftoj se të martën me 18 prill, si ministër unë i jam drejtuar me ftesë për takim këtij grupi. Ftesë kjo që nuk ka marrë përgjigje”, tha ai në një njoftim në Facebook.
Pothuasje të njëjtën gjë e kishte thënë edhe javë më parë. “Çfarë mund të ndaj në këtë moment me juve është që nuk ka asnjë veprim të ndërmarrë deri në këto momente, si ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në këtë drejtim”.
Danijela Vujiçiç e partisë së Vuçiqit, “shefja” e draftimit të Asociacionit...
Ishte vetë kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi, i cili shqiptoi emrin e saj në publik si udhëheqja e Ekipit Menaxhues përgjegjës për draftimin e Asociacionit të Komunave (versioni shqip: të banuara me shumicë) Serbe.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, megjithatë pretendon se “versioni pëfundimtari ZSO-së” (serbisht: Zajednica srpskih opština, shqip: Asociacioni i Komunave me shumicë serbe) do të bëhet nga vetë Bashkimi Evropian. “Mëpastaj duhet të pranohet nga të dyja palët, pastaj Prishtina bën komente shtesë dhe ka për detyrë ta zbatojë atë. Aktualisht nuk kemi informacion për atë propozim të BE-së. I gjithë ky proces pasohet nga një polemikë e mos informimit të publikut deri në fund”, tha ai para disa javësh për “Nova.rs”.
Asociacioni, sipas Kurtit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në bisedimet maratonëshe prej 12 orëve në Ohër muajin e kaluar ka paraqitur, siç është thënë, tri shtylla se si një Asociacioni tillë mund të ishte i bëshëm nga Kosova. E para, aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 në lidhje me parimet e këtij Asociacioni, e dyta qëndrimi i Bashkimit Evropian i shprehur më 2015 përmes letrës së ish-Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini, dhe e treta, një Op/Ed i botuar më 31 janar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, se çka do të jetë dhe çka nuk do të jetë ky Asociacion.
Këshilli i Sigurimit kërkon themelimin e Asociacionit
Të Pesë Anëtarët e Përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Federata Ruse dhe Kina kanë kërkuar zbatimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.