"Urat e Rugovës nuk duhet të shkatërrohen nga politikanët aktualë" - mesazhet e Ramës nga konferenca e LDK-së
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka folur për figurën e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova gjatë konferencës së LDK-së “Rugova dhe Perëndimi”. Ai në këtë konferencë ka thënë se pa Rugovën nuk do të kishte UÇK-së, teksa ka pasur disa mesazhe edhe për politikanë aktualë që udhëheqin me Kosovën.
Rama ka thënë se pa politikën e tij afruese me aleatët, nuk do të jehonin as armët e ushtarëve të UÇK-së bashkë me bombardimet e NATO-s mbi Beograd.
“Sot është me e qartë se kurrë se pa Ibrahim Rugovën nuk do të kishte pasur Ushtri Çlirimtare të Kosovës. Sepse pa luftën që filloi ai në paqe nuk do ishte arritur kurrë paqja e fituar me luftë” – ka thënë ai.
Rama ka thënë se Rugova ishte revolucionar me urtësinë e burrështetasit dhe burrështetas me idealizmin e revolucionarit.
“Rugova ishte revulocionar me urtësinë e burrështetasit dhe burrështetas revulocionar. Rugova ishte si intelektual i nxjerrur nga arkivat e kohës romantike. Ai ishte i papërsëritshëm dhe i pashpjegueshëm deri në fund se si arriti t’ua imponojë njerëzve rrjedhën e politikës së tij. Rugova i dha popullit të tij një forcë të panjohur ndonjëherë në trojet tona. Presidenti Rugova ishte president i shpresës në mes të shtypjes së shpresës. Ishte lider i pazakonshëm në Ballkan.” – ka thënë Rama.
“Ibrahim Rugova ishte ati themelues i Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike, ishte një shqiptar si ideal nga brinjët malore të historisë tonë, një udhëheqës i krijuar për të mos u futur dot në asnjë kornizë të gatshme, një figurë që edhe sot e kësaj ditë është tejet e vështirë ta përmbledhësh si një i tërë pa i hyrë në hak harmonisë mes pjesëve”, ka thënë Rama.
“Rugova ishte edhe mbetet më atipiku i politikanëve shqiptarë, i papërsëritshëm, i paevitueshëm, i pashpjegueshëm dot deri në fund për mënyrën që arriti t’u imponojë njerëzve rrugën e ujit të rrjedhshëm që duket se rri në vend derisa formon shtratin e vet.” – ka thënë Rama.
Me tej, Rama ka pasur disa mesazhe edhe për politikanë e sotëm kosovarë, duke thënë se nuk duhet të shkatërrohen urat e LDK-së.
Rama theksoi se “urat e ndërtuara nga ish-presidenti i Kosovës, nuk duhet të shkatërrohen nga politikanët e sotshëm”.
“Kosova duhet të ndjekë shembullin e Rugovës për të ruajtur miqësinë me aleatët. Zotimi për të forcuar urat e domosdoshme që na lidhin me të tjerët duke i besuar arsyes së pasionit e jo pasionit të arsyes.” – ka thënë Rama.
Kujtojmë se Rama këtë fjalim e ka mbajtur në kuadër të konferencës së organizuar nga LDK-ja me titull: “Rugova dhe Perëndimi”
Ka filluar konferenca e LDK-së ‘’Rugova dhe Perendimi’’, në ndër të 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Në këtë konferencë kanë marrë edhe ish kryeministri i Italisë Masimmo D’alema si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.