“Unë nuk kam rekomanduar”: A e shkelën ligjin anëtarët e Bordit të RTK-së duke e bërë drejtor Rilind Gërvallën e VV-së? - NACIONALE

“Unë nuk kam rekomanduar”: A e shkelën ligjin anëtarët e Bordit të RTK-së duke e bërë drejtor Rilind Gërvallën e VV-së?

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Kur Rilind Gërvalla ishte afër të bëhej drejtor i televizionit në RTK, i madh e i vogël, vendor e ndërkombëtar, ishin çuar në këmbë. Ekpsertë, shoqëria civile, ambasadorë – të gjithë kishin frikën se një njeri me librezë të Vetëvendosjes po instalohet në një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit – Televizionin Publik të Kosovës.

Megjithatë, as reagimi i madh në Kosovë dhe jo vetëm, nuk kreu punë. Gërvalla që ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, e mori këtë pozitë. Megjithatë, kohë më pas, janë shtuar dilema se zgjedhja e tij ka qenë e jashtëligjshme. Dyshimet vetëm sa u shtuan me intervistën e mbrëmshme të ish-drejtorit të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Ahmetxhekaj në intervistën e tij në Klan Kosova, e konfirmoi se Rilind Gërvalla ka pasur bindje të pastër politike pro-Vetëvendosjes. Megjithatë, ai tha se i gjithë procesi ishte realizuar nga një komision që ai e kishte krijuar.

“Ne kemi një rregullore bazë të së cilës unë themeloj një komision prej 5 anëtarësh të cilët e bëjnë përzgjedhjen e kandidatit më të suksesshëm për drejtor të TV. Z.Gërvalla ka qenë pjesë e garës, dhe bashkë me të edhe 3 kandidatë të tjerë nga RTK-ja. Z.Gërvalla e ka mbështetur hapur partinë, dihet. Ai ka qenë moti në RTK, ka qenë i brendshëm, ka pasur një simpati ndaj partisë ajo dihet. A ka qenë pjesë e strukturave unë nuk e kam dit. Ka dalur i pari në garën e brendshme, komisioni prej 5 anëtarëve e ka sjellur emrin e tij”, ka thënë Ahmetxhekaj.

Megjihatë, skandali nuk përfundon këtu. Ish-drejtori i RTK-së ka konfirmuar se asnjëherë nuk ka dhënë rekomandim në Bordin e RTK-së që Rilind Gërvalla të emërohet në pozitën e drejtorit. Ai ka theksuar se bordit, ia ka kërkuar ta shqyrtojnë këtë situatë.

“Ajo që ndodhi pastaj, është se në letrën që e kam dërguar në bord, është ndryshe nga letrat që kam dërguar për zv/drejtorin e përgjithshëm dhe drejtorin e Radios ku them ‘rekomandoj emërimin në këto pozita’, për z.Gërvallën meqenëse se kishte probleme të tilla kam thënë ‘iu lutem në bazë të këtyre ta shqyrtoni’. Kam përdorur fjalën shqyrtim, jo rekomandim. Ka qenë problematike në këtë fazë të rekomandojë diçka që ka pasur probleme të pazgjidhura”, ka thënë Ahmetxhekaj.

“Unë e kam dërguar shqyrtim, shqyrtone tutje çka me ndodh. Dokumenti zyrtar i dërguar në bord nga drejtori i përgjithshëm është iu lutem ta shqyrtoni, nuk ka pasur rekomandim nga ana ime me dyshim se mos po e shkeli ligjin. Kjo i bie sikur unë dua të shpallë veten hero, por unë e kam bërë një hap për të evituar përgjegjësinë time direkte, ndoshta edhe ata kanë pasur dilemat si unë, por unë kam kërkuar të shqyrtohet”, tha ai.

Këtu përveç ndikimit të pastër nga partia në pushtet, ekzistojnë të gjitha dyshimet se anëtarët e Bordit kanë bërë shkelje të Ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës. Kjo pasi ligji e specifikon që anëtaRët e bordit e emërojnë drejtorin, vetëm bazuar në rekomandimin e drejtorit të përgjithshëm. E që në këtë rast, nëse Ahmetxhekaj po e thotë të vërtetën, rekomandimi nuk ka ekzistuar.

Kjo është e theksuar në nenin 29 të Ligjit për RTK-në ku përcaktohen kompetencat e Bordit.

“Bordi emëron dhe shkarkon zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtorët e Radiove dhe Televizioneve dhe udhëheqësin e shërbimeve të përbashkëta me shumicë të thjeshtë votash, sipas propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm”, thuhet në ligjin për RTK-në.

Se kush nga anëtarët e bordit votoi për Gërvallën pavarësisht se nuk kishte rekomandim nga drejtori i Përgjithshëm, nuk dihet. Ajo që dihet është se me këtë vote, ata e kanë shkelur Ligjin e institucionit të cilin e përfaqësojnë.

Ahmetxhekaj më tutje tregoi edhe procedurat që kishte ndjekur për ta konfirmuar nëse Gërvalla është ende anëtar i partisë në pushtet.

“Unë nuk kam qenë pjesë e komisionit, nuk e di a ka bërë punë të pandershme apo të ndershme, z.Gërvalla ka dalur i pari. Gjatë konkursit ka pasur shkrime në media se Gërvalla është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të partisë dhe janë publikuar fotografi ku ai shihet duke votuar në mbledhje të partisë. Pasi janë publikuar, kur ka ardhur emri i tij si kandidati më i suksesshëm që ta procedojë për në bord, kur kam parë këto materiale, kemi filluar kërkimin zyrtarisht, kemi hyrë në faqet e VV-së dhe nuk kemi mujt me i gjetë ato fakte. Çka ka ndodhur unë nuk e di”, tha Ahmetxhekaj.

“Ajo që ka ndodhur, kur ti je zyrtarisht në proces, duhet me pa faktin që e ke përballë. Nuk ka pasur materiale të tilla që e inkriminojnë politikisht. Kemi kërkuar përgjigje zyrtare nga partia Vetëvendosje. Kemi thënë se në bazë të ligjit nëse ky person në 3 vitet e fundit ka qenë në strukturë, përgjigja ka qenë se nuk ka qenë gjatë kësaj periudhe. Në 3 vitet e fundit nuk ka qenë në struktura. Unë e kam pas të qartë, edhe bordi. U gjetëm në situatë të tillë. Tingëllon shfajësim”, deklaroi ai.

Në rrëfimin e tij, Ahmetxhekaj tregoi për një takim në mes tij dhe kryeministrit Kurti. Ftesa për takim erdhi nga vetë Kurti, sipas Ahmetxhekajt.

Asistentja ime më ka njoftuar se kemi pasur një kërkesë për një takim me kryeministrin e Kosovës në zyrë, me datën 3 dhjetor 2023. Ka qenë ditë e diel” – tha mbrëmë Ahmetxhekaj.

Gjithnjë sipas rrëfimit të Ahmetxhekajt, në mes rreshtave – pikërisht në stilin e tij diskursiv – Kurti i kishte propozuar ish-drejtorit të RTK-së “rehatimin” në ndonjë ambasadë të Kosovës.

“Unë kisha bindjen se ka ardhur momenti që RTK-së t’i jepet buxhet shtesë dhe kam thënë që fatkeqësisht RTK-ja aktualisht e ka buxhetin nga Qeveria edhe pse do të duhej kjo të buronte nga Kuvendi i Kosovës, bindja ime ishte që në këtë takim po ftohesha për ta elaboruar më shumë planin se pse RTK-ja duhet të ketë buxhet shtesë. Kurti e pranonte se në RTK ka ndryshim, por mendonte se duhet të ketë ndryshim shumë më të thellë, i elaboroi ndryshimet, ishte i njoftuar me reformën që e kisha prezantuar në bord dhe në një moment të caktuar Kurti tha se ka ardhur koha për ndryshim të ri në menaxhment, sepse sipas tij kishte ardhur momenti për një hov të ri të zhvillimit të RTK-së dhe në njëfarë forme më tha që ndoshta do të isha i mirë për përfaqësim të Kosovës kudoqoftë e përmendi si opsion”, tha Ahmetxhekaj.

Hapi II: “Sqarimi” i Çekut

Në mënyrë që oferta e mesazhi i Kurtit të kuptohej qartësisht nga ana e Ahmetxhekajt, në përdorim kishte hyrë ministri Çeku.

“Diskutuam për takimin e një dite më parë se çfarë kemi kuptuar, konkretisht çfarë do të më bënte të jepja dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm, sepse është një vullnet i përgjithshëm që të ndryshohet menaxhmenti i RTK-së, të ketë drejtorë të rinj dhe që RTK-ja të përparoj tutje me këdo. Ministri Ceku nuk është se e ka ndarë mendimin e njëjtë, ka ndjerë keqardhje për këtë lloj komunikimi, e ka thënë shpesh gjatë bisedes, por ka dasht të sigurohet se a është kuptu drejt apo jo kjo gjë” – ka deklaruar Ahmetxhekaj.

Hapi III: Dejona Mihali

Në hapin e tretë të këtij “operacioni” u përfshi edhe Mihali. Në fjalën e Ahmetxhekajt, Mihali ishte përfshirë në ndryshimin brenda RTK-së, i cili nënkuptonte largimin e Ahmetxhekajt nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të televizionit publik.

“Nga ajo se çfarë kam kuptuar pastaj është se këtu kemi përfshirjen e një zonje, e cila nuk është pjesë e strukturave shtetërore, por e cila çuditërisht është marrë me Shkumbinin. Asnjëherë nuk më ka kontaktuar direkt, asnjëherë nuk më ka shkruar direkt, por ajo çka kam kuptuar edhe prej anëtareve të bordit edhe prej të tjerëve është se kjo zonja në fjalë, e cila nuk është një mit, por është e vërtetë që në Kosovë sundon – pra vendos – thjesht ka vendos për ndryshimin që duhet të ndodh në RTK”, tha Ahmetxhekaj në Klan Kosova.

“Është një zonjë e cila drejton një nga strukturat e partisë Vetëvendosje” – theksoi Ahmetxhekajt, i cili u pyet nëse kjo “zonja” është Dejona Mihali, të cilën gjë e konfirmoi me “po”.

“Ajo që di është se me të tjerët ka bisedu dhe ka kërku largimin e Shkumbinit, thjesht për një ndryshim tjetër. Po, e ka kërkuar (largimin tim v.j.)…Këtë ma kanë konfirmuar anëtarët e Bordit. Është në vullnetin e tyre nëse do ta thonë. Të paktën 4 prej tyre ma kanë thënë” – tha tutje ai.

Lajme të ngjashme