Dafina thyen heshtjen për Gjikon | Pas raportimit të Nacionales flet menaxheri i këngëtares
Emra të njohur, me miliona ndjekës në rrjete sociale, miliona klikime në këngët e tyre, qindra koncerte brenda dhe jashtë vendit, dhe jashtëzakonisht të pasur për nga paratë. Këta janë këngëtarët, kolegët e Gjikos të cilët HESHTIN, dhe nuk e shohin të arsyeshme që të reagojnë ose flasin për “dhunimin e një të miture” nga kolegu i tyre. Të martën e 13 prillit, Nacionale botoi një shkrim nëpermjet të cilit trajtohej heshtja e yjeve të muzikës kosovare të cilët kanë bashkëpunuar me reperin prej vitit 2017 e këtej, koha kur Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka lajmëruar reperin se ndaj tij është ngritur aktakuzë.
Njëra ndër to ka qenë edhe ylli i muzikës pop, Dafina Zeqiri e cila në shtator të vitit 2017 kishte publikuar këngën e saj të re bashkëpunim me reperin i cili që tashmë pesë muaj e dinte që të ndaj tij është ngritur aktakuza. Të dytë publikuan këngën “Money, Sex, Drugs” (“Para, Seks dhe Drogë”). Në repturën e tij, Gjiko thotë në një moment: “Un ty po t'njeki, njejt si mu shteti”.
Në një tjetër repturë Gjiko flet për seks në banesën e tij, “dhomën e fjetjes e kom sikur sef, qaty bojm dashni edhe mbet sekret”, teksa i bën një diss dikujt me “Ata folin kot e veq jon tu rrejt” që në rastin konkret mund të jetë diss për Prokurorinë e cila po e ndiqte atë kohë edhe zyrtarisht reperin.
Por duket se reperi e ka mbajtur sekret nga këngëtaret e tjerë punën e aktakuzës. Së paku, nuk ia ka thënë askujt në ekipin e këngëtares Dafina Zeqiri. Menaxheri i saj, Pëllumb Çitaku, i ka thënë Nacionales se askush nga ekipi i këngëtares nuk e ka ditur ngritjen e aktakuzës ndaj reperit.
“Kërkush s’ka ditë kurgjo për këtë aktakuzë deri qetash vonë që u bo lajm”, tha Çitaku për Nacionalen.
Pyetja drejtuar Çitakut ishte nëse Dafina Zeqiri ose dikush nga ekipi menaxhues i saj e ka ditur se ndaj reperit ishte ngritur aktakuzë bash në kohën kur ata realizuan bashkëpunimin. Ndërsa në pyetjen nëse Dafina Zeqiri ka interes të thotë diçka në lidhje me aktakuzën, menaxheri i saj nuk pranoi të fliste derisa rasti është në proces gjyqësor.
“Mendoj që në këtë fazë, kur s’ka verdikt, s’është korrekte me reagu në favor të cilësdo palë, e me interferu në punë të drejtësisë”, tha Çitaku.
Por kush janë yjet e tjera të muzikës që kanë bashkëpunuar me Gjikon, gjatë këtyre 5 viteve që kur është ngritur aktakuza ndaj tij?
Ata heshtën edhe ndaj rasteve të tjera të ngjajshme, kur kolegë të tyre u përballën me akuza, sikurse rasti i këngëtarit të grupit NRG Band, Besnik Qaka, që u akuazua për dhunimin e një të miture, apo kur këngëtari Butrint Ymeri tregonte në televizion se si kishte qenë dëshmitarë i një rasti të dhunimit të një vajze nga një shok i tij.
Ledri Vula dhe Ermal Fejzullahu - janë dy këngëtarë të tjerë që kanë bashkëpunuar dhe madje kanë pohuar se kanë miqësi me reperin Gjiko. Të dy këta kanë realizuar këngë edhe pas vitit 2017, kur në sirtarët e Gjykatës, qëndronte aktakuza ndaj Gjikos.
Melinda - një repere e njohur me qindra mijëra klikime e cila në tekstet e saj shprehet të jetë shumë feministe dhe në intervistat e saj e ka promovuar veten si në krah të vajzave dhe kundër dhunës, ka realizuar gjithashtu këngë e videoklipe me Gjikon. As kjo nuk ka folur as shkruar gjë për aktakuzën edhe pse një vit më parë ka bashkëpunuar me reperin.
Buta dhe Lumi B - janë dy reperë të tjerë të cilët kanë realizuar këngë e videoklipe me reperin, madje kanë mbajtur me dhjetëra koncerte së bashku. Tash as këta nuk flasin.
Nora Istrefi - një tjetër yll i muzikës pop që ka bashkëpunuar në hite të ndryshme me Gjikon. As kjo nuk ka folur, as komentuar, as reaguar ndaj aktakuzës.