"Unë jam gati për përgjegjësi, le të jetë edhe ai": Rashiq thërret konferencë për media pas akuzave nga ish-zëvendësit i tij - NACIONALE

"Unë jam gati për përgjegjësi, le të jetë edhe ai": Rashiq thërret konferencë për media pas akuzave nga ish-zëvendësit i tij

1 javë më parë

nga NACIONALE

Për t’iu përgjigjur akuzave dhe pretendimeve nga ish-zëvendësi i tij, Radoica Radomiroviq, – që u shkarkua sonte – Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka bërë të ditur se nesër në mëngjes thërret konferencë për media.

Radomiroviq foli për Nacionalen gjerë-e-gjatë ku edhe shpjegoi plasaritjen me ish-eprorin e tij Rashiq; për të cilin tha se tash po e akuzon te qeveria kosovare “si bashkëpunëtor të shërbimeve serbe” teksa bëri të ditur një emër, i cili, sipas tij, po i merr krejt paratë dhe fondet e ministrisë: Milan Dabiq.

Arsyeja me shkrim se pse është shkarkuar Radomiroviq nuk u dha për media, por u raportua “me burime” se shkarkimi i Radomiroviqit ka ardhur si pasojë e mosbashkëpunimit të këtij të fundit me kryetarin shqpiptar të Leposaviqit, Lulzim Hetemn, dhe një “kërcënimi me padi” që Radomiroviq pretendohet t’ia ketë bërë Hetemit.

E pyetëm për këtë gjë ish-Zv/Ministrin, Radomiroviq:

Nuk është e vërtetë. Nuk kam kontakte me kryetarin Hetemi, por kam bashkëpunuar ngushtë me të, siç dihet. Hetemin nuk e kam paditur dhe nuk do të ndodhë, por pres hetim për zëvendëskryetaren (e Leposaviqit) Marina Bogojevic lidhur me dokumentet që i janë zhdukur nga zyra”, tha Radomiroviq për Nacionale.

Radomiroviq kërkon nga gazetarët që Rashiqit në konferencën e nesërme për media “t’i sugjerohet për një përballje televizive” mes tyre.

Unë jam gati për përgjegjësi, por edhe ai duhet të jetë gati”, tha Radomiroviq.

Sa i përket komunave veriore, Radomiroviq thotë të ketë folur për “keqpërdorime fondesh” për ç’gjë Rashiq s’është pajtuar me konstatimet e tij.

Kam paraqitur të dhëna se si janë keqpërdorur paratë në komunat e veriut”.

Krejt në fund Radomiroviq thotë se "unë jam përplasur me Serbinë dhe s'mund të jem bashkëpunëtor i Serbisë...djali im po arrestohet".

Krejt çka ndodhi...

Po, sapo mora një e-mail nga Zyra e Kryeministrit që më kanë liruar nga detyra”.

Kështu konfirmoi në një përgjigje me shkrim për “Nacionale” Zëvendës Ministri – tash i shkarkuar – për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq.

Krejtësisht e pritshme”, tha Radomiroviq, i cili ditë më parë njoftoi dorëheqjen nga partia teksa bëri të ditur pakënaqësitë e fundit në lidhje me ndarjen e fondeve nga eprori i tij, Nenad Rashiq, për veriun e Kosovës.

Ditë më parë e dinte se pret që ta shkarkojnë, por tash, pas shkarkimit, ka edhe gjëra për të thënë.

Eprori i tij, Nenad Rashiq – tash tregon Radomiroviqi – “po më akuzon për bashkëpunëtor të shërbimeve të Serbisë, që është absurde”.

“Bomba po gjuhen mbi kolegët e mi në veri, kolegët e mi ndalohet në Serbi, a këto shoqëruesit e afërt të Rashit lëvizin lirshëm nëpër Serbi”, tha Radomiroviq, duke iu përgjigjur këtyre akuzave që, sipas tij, Rashiqi ka shtruar ndaj tij te Qeveria e Kosovës.

Por, jo vetëm kaq. Radomiroviq shtron një pyetje, që sipas tij, duhet ta shtrojë publiku dhe të kërkojë qartësim për paratë e ministrisë që shkojnë të një OJQ që udhëhiqet nga një person me emrin Milan Dabiq.

E ky i fundit, na thotë ai, është krejtësisht në lidhje personale, interesi e përfitimi me Nenad Rashiqin; ndonëse detaje të mëtejme nuk jep.

Autoritetet kompetente duhet të adresojnë çështjen e granteve të ministrisë. Ato poashtu duhet të adresojnë çështjen se kush janë këto OJQ që i marrin grantet e ministrisë. Poashtu, kush është Miln Dabiqi dhe pse dhe si punon ai me ato para të ministrisë”, na tha Radomiroviq.

Edhe vetë Rashiqit do t’i duhet të jep llogari për shumë çështje. Praktikisht nuk e ka më askënd në kabinet, të gjithë kanë hequr dorë nga ai”.

Protesta e tij ndaj Rashiqit thotë se ka të bëjë me shpërputhjen në ndarjen e fondeve: prej 7 milionë eurove, vetëm 180 mijë për veriun e Kosovës.

Qeveria dëshiron të integrojë veriun e Kosovës dhe t’i ndihmojë qytetarët, dhe ju do të pajtoheni që 180 mijë janë qesharakisht pak”, tha ai.

Radomiroviq e kthen personin, sipas tij kyç, në krejt këtë tregim: Milan Dabiq.

Ky njeri është Alfa dhe Omega i parasë në ministri. Është ky që vendos kush merr grantet, tha Radomiroviq, teksa kërkon që “shkoni shihni ku kanë përfunduar këto fonde”.

Thirreni Millan Dabiqin dhe pyeteni se sa OJQ ka aty. Krejt paratë e OJQ-ve shkojnë te ai”.

Për Radomiroviqin krejt kjo përkthehet në këtë pyetje themelore: “Pse dhe si krejt paratë përfundojnë te ai?”.

Nacionale: Pra, po aludoni që Dabiqi është njeri përmes të cilit Rashiq përfiton personalisht?

Radomiroviq: Natyrisht.

Jam shumë krenar që kam ndihmuar qytetarët dhe për herë të parë askush s’ka dhënë ryshfet. Ju ftoj që fjalët e mia të dilni e t’i gjeni të dëshmueshme”, tha Radoica Radomiroviq.

Nacionale ditë rresht ka provuar të kontaktojë Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, por s’ka arritur të marrë përgjigje, as përmes telefonit as përmes tekstit.

Lajme të ngjashme