Udhëzimi për kuota tatimore, Lidhja e Bizneseve: Do të sjellë rritje të çmimeve - NACIONALE

Udhëzimi për kuota tatimore, Lidhja e Bizneseve: Do të sjellë rritje të çmimeve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka reaguar ndaj Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2024 për përcaktimin e rregullave dhe kuotave të Importit, të cilin Qeveria e Kosovës e ka miratuar më 7 gusht.

Përmes një reagimi për media, Lidhja e Bizneseve ka bërë me dije se udhëzimi në fjalë do të këtë një ndikim të madh në sektorin privat.

Sipas tyre, udhëzimi do të ndikojë në rritjen e çmimeve.

“Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shqetësimin e madh lidhur me Nënshkrimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2024 për përcaktimin e rregullave dhe kuotave të Importit. Ky udhëzim duket se do të ketë një impakt të rëndë në sektorin privat dhe do të sjellë rritje të çmimeve të produkteve, duke u reflektuar në koston e shportës së konsumit për qytetarët”, është thënë në reagim.

Sipas kësaj lidhje, udhëzimi shkel parimet e tregut të lirë, i cili garantohet me Kushtetutë të Kosovës.

“Kontrolli i rreptë mbi sasinë dhe llojin e produkteve të importuara në Kosovë, si dhe mbi kompanitë që mund të kryejnë importet, shkel parimet e tregut të lirë që karakterizojnë ekonominë e hapur të Kosovës, siç është theksuar në Nenin 10 të Kushtetutës së Kosovës. (Neni 10 i Kushtetutës së Kosovës: Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës). Përveç sektorit privat, qytetarët dhe ekonomitë familjare do të ndiejnë pasoja të këtij udhëzimi, nga këto rregulla të reja të importit, duke sjellë rritje të çmimeve të produkteve dhe goditje për sektorin privat në përgjithësi. Pra, Dëmet e këtij udhëzimi do t'i ndiejë edhe qytetarët dhe ekonomitë familjare. Pasojat e menjëhershme pritet të jenë një valë e re e rritjes së çmimeve, duke e bërë jetesën më të vështirë për shumicën e qytetarëve të Kosovës”, është thënë në reagim, duke përmendur pasojat tjera të këtij udhëzimi.

“Kjo do të jetë një goditje e rëndë për ekonomitë familjare, veçanërisht pas inflacionit dhe ngritjes së çmimeve që kemi përjetuar gjatë muajve të fundit. Kjo është një goditje e rëndë për ekonominë e vendit dhe për perspektivat e zhvillimit ekonomike në të ardhmen. Në vend të masave për mbështetje të prodhuesve vendor për të zëvendësuar mallrat nga importi, këta qeveritarë miratojnë udhëzime për administrim të importeve. Lidhja e Bizneseve të Kosovës , ftonë institucionet për dialog të hapur, midis bizneseve dhe instotucioneve, sepse është thelbësor për të arritur vendime dhe ligje të mira për zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë mënyrë, mund të sigurohet një mjedis më i favorshëm për bizneset dhe për të gjithë qytetarët”, ka përfunduar reagimi.

Lajme të ngjashme