U raportua se Policia nuk po arrin ta gjejë, Nushi: Nuk jam në dijeni mbi këtë çështje - NACIONALE

U raportua se Policia nuk po arrin ta gjejë, Nushi: Nuk jam në dijeni mbi këtë çështje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Seanca e cila ishte paraparë të mbahej sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Nol Nushit ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, është shtyer.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj të akuzuarit Nol Nushi, mirëpo Stacioni Policor Jugu ka njoftuar gjykatën se të njëjtin nuk kanë mundur ta lokalizojnë ose të kontaktojnë përmes telefonit.

Në një përgjigje për Nacionalen, Nushi thotë se nuk është në dijeni mbi këtë çështje.

Nuk jam në dijeni për këtë çështje, nuk kam çka me shtu më shumë”, tha shkurt Nushi.

Nushi po akuzohet se ka kryer veprat penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, në protestën e 17 dhe 18 nëntorit 2015.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 18 janar 2016, i akuzuari Nol Nushi ngarkohet se më 17 dhe 18 nëntor 2015, prej orës 12:00 deri rreth orës 20:00, ka marrë pjesë në turmën-protestën, e cila protestë ka eskaluar dhe përkundër faktit se forcat e rendit ishin rreshtuar dhe po mbanin situatën nën kontroll, Nushi si pjesëmarrës aktiv i protestës ka sulmuar seriozisht policët e Kosovës duke i goditur me gurë, kubëza betoni dhe mjete të tjera të forta.

Tutje, në aktakuzë thuhet se si pasojë e këtyre veprimeve, janë shkaktuar lëndime të rënda trupore si dhe dëme të mëdha materiale, si në pronën shoqërore edhe në prona private.

Lajme të ngjashme