U paraqit si agjent i AKI-së, planifikonte vrasje: Për çka dyshohet shtetasi i Serbisë që u arrestua në Fushë Kosovë?
Një shtetas i Serbisë u arrestua në Fushë Kosovën ditën e djeshme.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës. I njëjti dyshohet për planifikim të një vrasjeje, prezantim të rremë si person zyrtar dhe mashtrim.
Kështu thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
“Fushë Kosovë / 03.04.2024 – NN. Me 05.12.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprat e lartcekura. Lidhur me rastin gjatë kontrollit në banesën e tij si prova materiale janë sekuestruar dokumente të ndryshme. Pas intervistimit i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se aktualisht, janë duke grumbulluar prova, dhe nuk mund të ofrojnë më shumë detaje.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se pas një pune hetimore disamujore të Prokurorit të Shtetit në bashkëpunim dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, më 5 dhjetor 2024 është kryer bastisje dhe është bërë arrestimi i një të dyshuari me inicialet R.B., i cili është shtetas i Republikës së Serbisë, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale, si në vijim: “Përgatitja për kryerjen e vrasjes”, nga neni 172 lidhur me nenin 27 të KPRK-së, “Prezantimi i rremë si person zyrtar”, nga neni 409 i KPRK-së dhe “Mashtrimi” nga neni 323 i KPRK-së. Prokurori i Shtetit është duke vazhduar marrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbulimin edhe të ndonjë të dyshuari tjetër eventual lidhur me këtë rast”, thuhet në komunikatë.
Sinjali ka mësuar se i dyshuari që u prangos është Remzija Bejic, rreth 53-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari që nga muaji prill dhe në vazhdimësi është prezantuar te disa qytetarë si zyrtar i lartë i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.
Bazuar në dosjen për këtë rast, Bejic dyshohet se edhe ka planifikuar vrasjen e një gruaje, shtetase të Kosovës, me pretendimin se e njëjtë gjoja po punon kundër interesave të vendit dhe duhet të vritet.
Përveç këtyre dy veprave penale, ai ngarkohet edhe me veprën ‘Mashtrimi’ që dyshohet se e ka kryer duke bërë shitblerje të pronave në Mal të Zi, me veprime të jashtëligjshme.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore nga ana e Policisë dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, e po ashtu edhe me AKI-në, është identifikuar i dyshuari dhe i njëjti është kapur gjatë ditës së djeshme.
Në operacionin për arrestimin e tij, është kryer edhe bastisje në banesën e të dyshuarit, ku Policia e Kosovës ka arritur të gjejë dhe të sekuestrojë prova të ndryshme materiale, që përfshijnë edhe dokumente.
Detaje të tjera për këtë rast ende nuk dihen, dhe mbetet të shihet nëse Prokuroria Themelore në Prishtinë do të kërkojë masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ky rast vjen pak ditë pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit, ku u dëmtua rrjedha e ujit, çka shkaktoi probleme në furnizim me ujë në Mitrovicë, dhe rreziku ishte edhe për probleme në furnizim me rrymë.
Puna për ta sanuar dëmin po vazhdon ende.