U ndalua rritja e çmimit të energjisë – çfarë thanë Gjykata, ZRrE dhe PDK-ja? - NACIONALE

U ndalua rritja e çmimit të energjisë – çfarë thanë Gjykata, ZRrE dhe PDK-ja?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Vendimi i muajit shkurt nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për rritjen e tarifave të rrymës, do të bllokohet përkohësisht. Të paktën kështu ka vendosur Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila i ka vënë masë të përkohshme zbatimit të këtij vendimi. Kjo pas ankesës në muajin mars që e kishte bërë Partia Demokratike e Kosovës. Gazeta Nacionale ka raportuar nga mëngjesi për vendimin e gjykatës, dhe sjell këtë përmbledhje.

Një ditë më parë, diku pasdite, gjykatësi i departamentit administrativ Kreshnik Kaçiu mori një vendim të rëndësishëm. Vendim të cilin, sigurisht e kanë pëlqyer një pjesë e madhe e qytetarëve. Rritja e çmimit të energjisë do të bllokohet, të paktën përkohësisht. Me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, deri në aktgjykimin përfundimtar, rryma do të faturohet sikur para shtrenjtimit në muajin shkurt.

Gazeta Nacionale siguroi vendimin qysh herët, ku thuhej: “Shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022 i publikuar më datë 16.02.2022 i të paditurës Zyra e Rregullatorit për Energji me seli në Prishtinë derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor me padinë e paditëses”.

Vendimi për rritjen e çmimit të energjisë kishte hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. Sipas vendimit, të gjithë konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë në muaj, do të kishin çmim më të lartë të rrymës, ngase kishin më herët. Vendim i cili ishte kundërshtuar ashpër nga partitë politike, shoqëria civile e qytetarët, të cilët kishin dalur edhe në protesta, madje në numër mjaft të madh. Për rritjen e tarifave të rrymës, partitë në opozitë tashmë kanë siguruar 40 nënshkrime, për të krijuar një komision hetimor.

ZRrE-ja paralajmëron ankesë

Ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka reaguar Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Kryetari i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu ka vlerësuar se posa ta pranojnë vendimin, do të ankohen në Gjykatën e Apelit. Sipas tij, vendimi për shtrenjtim të rrymës, ka qenë në pajtueshmëri me ligjet e Kosovës.

Ne ende nuk e kemi pranuar vendimin, por sapo ta kemi atë ne do të apelojmë vendimin e Gjykatës Themelore në përputhje me këshillën ligjore. Vendimi i ZRrE-së për të caktuar të hyrat maksimale dhe tarifat e energjisë elektrike është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Fejzullahu për gazetën Nacionale.

PDK-ja kërkon zbatim të vendimit

Partia Demokratike e Kosovës e cila u ankua në Gjykatë për shtrenjtimin e energjisë, ka dalur në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

Pas vendimit të Gjykatës e cila pezulloi përkohësisht zbatimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë, PDK-ja këtë po e vlerëson si fitore të qytetarëve.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në konferencë për media ka thënë se ky vendim duhet të zbatohet medoemos. Nëse jo, atëherë të gjithë personat që nuk e zbatojnë, mund të shkojnë edhe në burg pasi bëjnë vepër penale.

Tashmë vendimet kanë rënë poshtë, përkohësisht janë pezulluar deri në vendimin final. Në rast se nuk respektohet ky vendim, përbën shkelje flagrante dhe vepër penale. Ata njerëz që mendojnë se mund të mos e zbatojnë këtë vendim, do të përballen me vepër penale dhe një vepër e tillë penale shkakton pasoja të mëdha për anëtarët e bordit që normalisht mund të përfundojnë në burg. Ajo që vlen të theksohet është se dosjen që e ka dorëzuar ZRRE është e habitshme se nuk kanë dhënë as përgjigje në kërkesën e gjykatës për pezullim të vendimit për shtrenjtim të energjisë. Qytetarët tani e tutje nuk do ta paguajnë energjinë me shtrenjtim 100%”, u shpreh Tahiri.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala ka deklaruar se kjo çështje nuk do të ndalet me kaq, pasi me të do të merret edhe komisioni hetimor që pritet të krijohet.

Ne kemi ngritur këtë shqetësim në grupin tonë parlamentar, dhe sot po konfirmohet nevoja për një komision hetimor parlamentar. Vendimi i sotëm është konfirmim shtesë, për nevojën urgjente të ngritjes së komisionit hetimor parlamentar që tashmë kemi 40 nënshkrime për këtë. Ne kërkojmë dhe do të vazhdojmë që këtë diskriminim në faturim dhe gjithë sektorin menaxhues ta ndërpresim me mjete demokratike”, ka thënë Shala.

Madje reagoi edhe kryetari i partisë, Memli Krasniqi.

“Ne jemi përpjekur me kohë që ta ndërgjegjësojmë qeverinë për krizën energjetike, por as Kryeministri Kurti e as mazhoranca nuk kanë pasur kurajo për të marrë përgjegjësi përballë krizës. Ata thjeshtë zgjodhën ta dyfishojnë çmimin e energjisë elektrike, duke ju vendosur një haraç qytetarëve, pikërisht në kohën kur çmimet e produkteve esenciale janë rritur dhe kostoja e jetesës është bërë shumë e rëndë Prandaj, kemi kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike me mjete juridike, dhe do vazhdojmë këtë betejë juridike deri në fund, kundër vendimit të padrejtë të Qeverisë dhe ZRRE-së, në kurriz të familjeve dhe qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Lajme të ngjashme