U akuzua si bashkëpunëtor i Radojiçiqit nga Sveçla, Bozhoviç dënohet me 7 muaj burgim për djegie veturash me targa RKS - NACIONALE

U akuzua si bashkëpunëtor i Radojiçiqit nga Sveçla, Bozhoviç dënohet me 7 muaj burgim për djegie veturash me targa RKS

2 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë të hënë, ka shpallur aktgjykim ndaj të akuzuarit Millovan Bozhoviq. Ai u dënua me 7 muaj burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm” dhe për djegie të veturave në veri të vendit. Bozhoviç këtë dënim e mori, pasi e pranoi fajsinë paraprakisht.

Të njëjtit, në dënimin me burg do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Nacionale ka përcjellur shpalljen e këtij Aktgjykimi.

Çka thoshte ministri Sveçla për Bozhoviç

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, përveq se nuk i ka përdorur inicialet sikurse Policia e Kosovës, por duke ja shkruar emrin dhe mbiemrin në tërësi, një ditë pasi u arrestua Milovan Bozoviç, ai pati dhënë edhe shumë detaje shtesë për të.

Sipas ministrit Sveçla, Bozoviç është kriminel, pjesë e strukturave ilegale “Mbrojtja Civile”. Ministri ka thënë se Bozoviç është i dyshuar për vrasjen e një pjesëtari të Eulex-it, plagosjen e dy policëve të Kosovës, djegies së veturave në veri e disa krime të tjera.

“Milovan Bozovic është figurë e njohur për institucionet e sigurisë, si kriminel, pjesëtar aktiv i strukturës ilegale “Mbrojtja Civile” dhe grupeve të tjera kriminale. I njëjti po konsiderohet si hero për strukturat e Serbisë që e kanë dirigjuar. Për shkathtësitë e treguara në veprime kriminale ai është edhe ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Milan Radoiçiq.

Përveç djegies së veturave në veri, plagosjes së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, dëmtimit të infrastrukturës sonë kritike, kalimit ilegal të kufirit, rrahjeve të qytetarëve serbë, haraçit dhe zjarrvënies së bizneseve lokale, ai ka marrë pjesë edhe në sulmet ndaj shtëpive dhe pronave të pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe dyshohet për vrasjen e një pjesëtari të EULEX.”- pati shkruar Sveçla.

Tutje Sveçla kishte “denoncuar” Listen Serbe dhe gjuhën e përdorur nga ta, pas arrestimit të Bozoviç. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, ndërmjet thirrjes së LS dhe sulmit të mbrëmshëm me bomba ndaj Policisë, ekziston një ndërlidhje dhe për këtë KQZ, do të duhet të verifikoj gjuhën e këtij subjekti politik, që është subject parlamentar në Kosovë.

“Duket se arrestimi dhe dërgimi i tij para drejtësisë ka lëkundur themelet e Listës Serbe dhe zyrës së ashtuquajtur për Kosovë.

Siç u pa dje, ata po përdorin gjuhë kërcënuese publikisht. Madje, thërrasin për kryengritje dhe mosbindje për shkak të arrestimit të një recidivisti kriminal.

Mbrëmë pas këtyre thirrjeve janë sulmuar pjesëtarët e policisë sonë me shok bomba në Mitrovicë të Veriut.

Thirrja për kryengritje dhe rezistencë është vepër e rëndë penale në Republikën e Kosovës. Ajo bëhet edhe e papranueshme kur vjen nga një subjekt parlamentar politik. Të tillët duhet të trajtohen dhe nga institucionet e pavarura e KQZ, për të verifikuar përshtatshmërinë e tyre në raport me rendin tonë kushtetues.” – është shprehur ministri Sveçla.

Sveçla kishte paralajmëruar se ndonëse nuk është hera e parë që Bozoviç kryen krime, për të dhe për shumë të tjerë krimet e kryera së fundmi do të mbeten të fundit, pasi vullneti i institucioneve të vendit është i parezervë.

Lajme të ngjashme