Tërheqja e kërkesës në GjK nga Osmani, Cakolli: Gjyqtari raportues s'e vendos as fatin e kërkesës, as përmbajtjen e vendimit
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka komentuar vendimin e Presidentes Vjosa Osmani për të tërhequr kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte për qëllim interpretimin e situatës kushtetuese pas moskonstituimit të Kuvendit.
Në një postim në Facebook, Cakolli ka theksuar se edhe pse është legjitime që institucionet të kenë rezerva ndaj figurave individuale, si në rastin e gjyqtarit Radomir Llaban – i përmendur si arsye për tërheqjen e kërkesës – mungesa e hetimeve apo kallëzimeve penale ndaj tij përkundër raportimeve të përsëritura nga institucionet e sigurisë ngre pikëpyetje serioze.
“Presidentja paska vendosur ta tërheqë kërkesën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, duke përmendur si arsye caktimin e gjyqtarit raportues Radomir Llaban. Është legjitime që secili institucion të ketë rezerva ndaj figurave individuale, veçanërisht kur ekzistojnë informacione të përsëritura nga institucionet e sigurisë për cenim të rendit kushtetues.
Por nëse pas tetë vitesh raportimesh të tilla nuk është iniciuar asnjë hetim apo kallëzim penal (gjyqtarët s’kanë imunitet jashtë fushëveprimit të tyre), atëherë është vështirë të arsyetohet se si një element procedural si caktimi i gjyqtarit raportues, mund të shërbejë si arsye për tërheqjen nga një rast me rëndësi thelbësore kushtetuese.” – shkroi ai.
Ai sqaroi se gjyqtari raportues nuk është ai që vendos për fatin e kërkesës dhe se vendimmarrja në Gjykatë bëhet me shumicë votash.
“E vërteta është që gjyqtari raportues nuk e vendos as fatin e kërkesës, as përmbajtjen e vendimit. Nëse paneli prej tre gjyqtarësh propozon papranueshmëri dhe asnjë gjyqtar tjetër nuk e kundërshton, atëherë rasti mbyllet. Por mjafton që një gjyqtar tjetër të mos pajtohet, dhe rasti kalon për shqyrtim në përbërje të plotë të Gjykatës.
Aty vendoset me shumicë votash për secilën pikë – si për pranueshmëri ashtu edhe për substancë. Edhe nëse gjyqtari raportues nuk është në atë shumicë, me vendim të Kryetarit, tekstin final e harton një gjyqtar tjetër.” – shtoi ai.
Madje, Cakolli theksoi se nëse konstatohet interes publik madhor, Gjykata ka të drejtë ta shqyrtojë çështjen edhe nëse kërkesa tërhiqet.
“Për më tepër, tërheqja e kërkesës nuk e ndalon domosdoshmërisht trajtimin e saj. Gjykata ka të drejtë ta vazhdojë shqyrtimin kur konstatohet interes publik madhor. E në një situatë ku Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues dhe vendi ndodhet në vakum institucional, s’ka dilema se ky është një ndër rastet më serioze, që kërkon përgjigje të qartë nga autoriteti i vetëm që ka mandat ta japë atë.
Prandaj, Gjykata duhet ta trajtojë këtë çështje deri në fund. Mbi të gjitha, për shkak të rëndësisë për funksionimin kushtetues të institucioneve. Por, edhe për të mbrojtur integritetin institucional të saj dhe për të mos e minuar besimin e qytetarëve në vendimmarrjen e saj si trupë, për shkak të një gjyqtari. Aq më tepër, kur kërkesat aktuale të partive politike nuk e adresojnë qartë çështjen e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor.”