Trupi i Faton Hajrizit arrin në Kosovë, institucionet po i kryejnë procedurat mjeko-ligjore
Në orët e para të ditës se premte trup i pajetë Faton Hajrizit, i cili para disa jave është vrarë ne Serbia, ka arritur në Kosovë.
Pas hyrjes në Kosovë në kufitare në Merdare, avokati i Familjes Hajrizi, Arianit Koci, ka bërë me dije se trupin ia ka dorëzuar institucioneve të Kosovës.
“Unë kam premtuar se do ta sjell trupin. Misioni ka përfunduar mirë. Jam shumë i lodhur, s’mund ta zgjasë shumë. Trupi i është dorëzuar Institutit të Mjekësisë Ligjore, prokurorit dhe Policisë së Kosovës. Ata vazhdojnë tash me procedurat e mëtutjeshme”, ka thënë Koci.
Ai ka bërë me tani se institucionet e Kosovës do të bëjnë ekzaminime të mëtutjeshme.
“Po, tash është në kompetencë të prokurorit, ai besoj deri të hënë apo të martën do të kryhen të gjitha procedurat”, është shprehur ai.
Koci ka treguar se të gjitha dokumentet ia ka dorëzuar institucioneve të Kosovës.
“Gjitha dokumentet që kam pasur ia kam dorëzuar prokurorisë sonë, policisë, kështu që kemi pasur një koordinim të shkëlqyer. Shumë na ka ndihmuar Zyra e Kosovës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Tash jam shuëm i lodhur po shkoj ”, është shprehur Koci.
Arritjen e trupit të pajetë të Faton Hajrizit në Kosovë e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Përmes një komunikate për media, MPJD-ja ka njoftuar se institucionet e Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikim dhe verifikim.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin publik që trupi i pajetë i qytetarit të Kosovës, i raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë, tashmë ka mbërritur në Kosovë. Pas mbërritjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij”, është thënë në njoftimin e MPJD-së.
Kjo ministri mbrëmë ka njoftuar se Prokuroria e Qarkut në Beograd ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të raportuar si i vrarë në Llozhnicë të Serbisë.
“Avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, Ambasadori Jashari po kryejnë procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë”, është thënë në njoftimin e MPJD-së.
Faton Hajrizi është vrarë më 19 korrik në afërsi të kufirit mes Serbisë dhe Bosnjës.
Një ditë me parë, derisa kalonte në territorin e Serbisë, ai kishte vrarë një polic serb dhe një tjetër kishte plagosur.
Disa javë para se të vritej në Serbia, Harizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës.
Hajrizi ishte i dënuar mbi 20 vite burgim për disa vepra të rënda penale.