Trump zotohet për riangazhim në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë - NACIONALE

Trump zotohet për riangazhim në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

“Unë do ta zgjidhi, sërish.”

Kështu u zotua sot Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në lidhje me çështjen mes Kosovës dhe Serbisë. Në një postim të publikuar në platformën e tij “Truth”, Trump, përmes fjalës “sërish”, rikujtoi angazhimin e tij të mëparshëm gjatë mandatit të parë, kur në shtator të vitit 2020 bashkoi udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar Marrëveshjen e Uashingtonit.

“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përplaseshin fort, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt jetëgjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndala (Biden ka dëmtuar perspektivën afatgjate me disa vendime të marra, por unë do ta zgjidhi, sërish)”, ka shkruar Trump në Truth.

Postimi i Donald Trump-it u shpërnda menjëherë edhe nga Richard Grenell, i dërguari i tij i posaçëm për Misione Ndërkombëtare, përmes platformës “X”, ku prej muajsh ai ka qenë një nga zërat më kritikë ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Mes tjerash, Grenell ka thënë se Kurti se ka rrënuar marrëdhëniet si me Demokratët ashtu edhe me Republikanët.

Ai akuzuar kreun e VV-së për përkeqësimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Uashingtonit, duke deklaruar se “raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara kanë rënë në nivelin më të ulët që nga vitet ’80.”

“Ai u dënua nga liderët evropianë, të NATO-s dhe nga ekipi i Biden. Kurti mori anën (në politikën amerikane) e Joe Biden dhe Kamala Harris dhe prapseprapë u kritikua nga ta”.

“Marrëdhëniet e ShBA-së me Kosovën kanë pësuar gjatë presidencës së Biden. Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë kanë kritikuar veprimet e Kurtit dhe paaftësinë e tij për të rritur ekonominë e Kosovës”, kishe shkruar Grenell.

Anëtari i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se mesazhi i Trump duhet lexuar me kujdes e vëmendje, në kontekstin e dinamikave aktuale ndërkombëtare.

Në dritën e këtyre zhvillimeve, Tahiri lexoi se Kosova “mund të përballemi me ndonjë propozim “deal” që nuk përkon me vullnetin dhe interesin tonë kombëtar” dhe se kjo kërkon vështrim “përtej thjerrzave të ngushta partiake e personale.”

“1. Liria e Pavarësia janë arritjet më të mëdha të kombit shqiptar në 100 vitet e fundit. Prandaj, kërkohet maturi dhe përgjegjësi, sepse mund të përballemi me ndonjë propozim “deal” që nuk përkon me vullnetin dhe interesin tonë kombëtar. 2. Është koha për përfaqësim të dinjitetshëm, serioz e t'menqur të vendit. Pra është koha që të shohim përtej thjerrzave të ngushta partiake e personale. 3. Vendimet për të ardhmen e 🇽🇰 nuk mund të merren me dyer të mbyllura, mendjemadhësi dhe arrogancë, siç ka ndodh në të kaluarën, pa pik transparence. Koha me u kfjell. Koha me u përbë Kuvendi!” – tha ai.

Në shtatorin e vitit 2020, në prani të Presidentit Trump, Kryeministri i atëhershëm Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nënshkruan të ashtuquajturën Marrëveshje të Uashingtonit.

Në një opinion të publikuar në “Nacionale” vitin e kluar, ish-kryeministri Hoti e vlerësoi këtë marrëveshje si “një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të plotë të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.”

Lajme të ngjashme