Tri vende të treta, dy mbijetesa: Bilanci i Abdixhikut që s’del nga vendnumërimi - NACIONALE

Tri vende të treta, dy mbijetesa: Bilanci i Abdixhikut që s’del nga vendnumërimi

1 orë më parë

nga NACIONALE

Vota e delegatëve e mbajti Lumir Abdixhikun në krye të LDK-së, por mbështetja e ngushtë e delegatëve nuk e zhbëri krizën e besimit që e shoqëron udhëheqjen e tij, pas tri proceseve zgjedhore në të cilat partia nuk ka arritur të dalë përtej vendit të tretë.

Më 30 korrik, 170 delegatë votuan kundër shkarkimit të tij. Për largimin u deklaruan 152. Pesë abstenuan. Vetëm 18 vota ndanë mbijetesën nga rrëzimi.

Ky ishte procesi i dytë i tillë brenda gjashtë muajve.

Më 14 janar, pas rezultatit katastrofal të kësaj partie, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i nënkryetares së partisë dhe kërkoi që të njëjtën gjë ta bënte edhe Abdixhiku.

Në lidhje me dorëheqjen, Bajrami rikujtoi kriterin e përcaktuar nga kjo parti: “kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet të marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme”.

Pas kërkesave për dorëheqje, Abdixhiku e vuri mandatin në votëbesim. Pa dhënë dorëheqje të parevokueshme, ua la delegatëve të vendosnin nëse do ta mbanin apo largonin nga drejtimi.

Nga 300 delegatët pjesëmarrës, 164 votuan për qëndrimin e tij dhe 136 për largimin. Diferenca ishte 28 vota.

Në janar, Abdixhiku mbijetoi me 54.67 për qind të votave të hedhura. Në korrik, mes 322 votave që shprehën qëndrim të qartë pro ose kundër shkarkimit, 170 votat për vazhdimin e tij përbënin 52.80 për qind. Kur përfshihen edhe pesë abstenimet, mbështetja zbret në 51.99 për qind të të gjitha votave të regjistruara.

Dy fitore formale me shumica të brishta. Dy herë i rikonfirmuar në krye, por pa përgjigje bindëse ndaj kundërshtimit që tashmë përfshin thuajse gjysmën e organit më të lartë të partisë.

Pakënqësitë ndaj Abdixhikut brenda LDK-së lidhen drejtpërdrejt me rezultatet e dobëta të partisë nën udhëheqjen e tij.

Nën drejtimin e tij, LDK-ja ka garuar në tri palë zgjedhje parlamentare. Në shkurt 2025 doli e treta. Në dhjetor 2025 doli e treta. Në qershor 2026 përfundoi përsëri e treta.

Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 shënuan rezultatin më të mirë të LDK-së nën Abdixhikun: 171,357 vota, 18.27 për qind dhe 20 mandate.

Krahasuar me vitin 2021, kur partia kishte marrë 110,985 vota, 12.73 për qind dhe 15 mandate, përparimi ishte i matshëm. LDK-ja shtoi 60,372 vota, 5.54 pikë përqindjeje dhe pesë mandate.

Por rimëkëmbja nuk mjaftoi as për vendin e dytë. PDK-ja mori 196,474 vota, 20.95 për qind dhe 24 mandate. LDK-ja mbeti prapa me 25,117 vota, 2.68 pikë dhe katër ulëse.

Ajo që u mendua si themel i ringritjes së kësaj partie mbeti pika më e lartë e mandatit të tij.

Dhjetë muaj më vonë, trajektorja u përmbys.

Më 28 dhjetor 2025, LDK-ja ra në 126,163 vota, 13.24 për qind dhe 15 mandate. Brenda të njëjtit vit humbi 45,194 vota, 5.03 pikë përqindjeje dhe pesë ulëse.

Rezultati i dhjetorit zhbëri 74.86 për qind të votave që LDK-ja kishte shtuar ndaj vitit 2021 dhe 90.79 për qind të përparimit në përqindje. Në mandate, përfitimi u fshi tërësisht. Partia u kthye nga 20 në 15.

Në dhjetor, LDK-ja mbeti vetëm 15,178 vota dhe 0.51 pikë mbi rezultatin e vitit 2021.

Zgjedhjet e 7 qershorit 2026 sollën përmirësim, por jo kthesë thelbësore. LDK-ja mori 135,567 vota, 16.69 për qind dhe 18 mandate. Krahasuar me dhjetorin, fitoi 9,404 vota, 3.45 pikë dhe tri ulëse.

Pavarësisht tri humbjeve të njëpasnjëshme në zgjedhjet parlamentare, Abdixhiku e cilësoi mbajtjen e Kuvendit si “të panevojshme”.

“Ky Kuvend ka qenë i panevojshëm, i padobishëm për LDK-në. Na ka mbajtur temë, panevojshëm, tash e sa muaj”, tha ai.

Lajme të ngjashme