Tri ditë, tri vrasje: Kërkohet veprimi i shtetit, të ashpërsohen dënimet për armëmbajtjen pa leje - NACIONALE

Tri ditë, tri vrasje: Kërkohet veprimi i shtetit, të ashpërsohen dënimet për armëmbajtjen pa leje

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Tri ditët e fundit kanë tronditur Kosovën. Brenda 72 orëve janë vrarë tre persona me armë zjarri. Këto ngjarje të rënda kanë nxitur reagime të ashpra të shoqërisë kosovare.

Dy vrasjet në Vushtrri dhe një në Prishtinë kanë bërë që të kërkohet urgjent reagimi i institucioneve shtetëror në parandalimin këtyre rasteve. Për parandalimin e këtyre raste është kërkuar ashpërsimi i dënimeve për armëmbajtje pa leje.

Përfaqësuesi e partive opozitare dhe njohësit e rrethanave politike kanë vlerësuar se pasiguria e ka kapluar vendin.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është zotuar se në legjislaturën e re do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës, duke kërkua ashpërim të masave.

Partia Demokratike e Kosovës, në legjislaturën e re, pas konsolidimit të institucioneve dhe qeverisë së re, do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal dhe legjislacionit përkatës për të ashpërsuar dënimet për armëmbajtjen pa leje. Kushdo që posedon apo përdor armë ilegalisht, duhet të përballet me burg, pa përjashtim. Kosova nuk mund të jetë një vend ku jeta njerëzore humb vlerën. Është koha të kthjellemi. Është koha të zgjedhim jetën”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, shteti nuk po vepron ndaj këtyre rasteve.

Brenda vetëm tre ditësh, katër jetë u shuan nga armët e zjarrit në Kosovë. Një grua, një i ri dhe dy burra – secili me një histori, me ëndrra, me familje që tani janë zhytur në dhembje të pamatshme. Këto nuk janë thjesht statistika. Këto janë jetë të vjedhura, familje të shkatërruara dhe një shoqëri që vazhdon të dëshmojë tragjedi pa asnjë veprim shtetëror të vendosur. Sa jetë të tjera duhet të humbasim që të pranojmë se kjo është një emergjencë kombëtare? Sa familje të tjera duhet të shkatërrohen që të kuptojmë se qasja e lehtë në armë dhe dështimi i shtetit për të vepruar me vendosmëri janë një kombinim vdekjeprurës?”, ka vlerësuar ai.

Kurse, politologu Avdi Smajljaj ka kritikuar qasjen e institucioneve shtetërore në raport me armët ilegale që janë në përdorim të qytetarëve.

Ai ka kërkuar nga institucionet hartimin e politikave për ndalimin e armëve ilegale.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo dukuri nuk ndalet me reklama në televizione dhe me fletushka për të mos përdorur armë.

Me reklama në televizore e me fletushka për të mos përdorur armë, përfitojnë televizionet dhe kompanitë që shtypin reklama. Por nuk zvogëlohet numri i armëve në duar të lira të qytetarëve, e as nuk arrihet kontrolli i përdorimit té armëve. Bëjeni politikën për ndalimin e armëve ilegale siç duhet, mos e merrni në qfafë këtë shoqëri. Ka mjaftueshëm probleme tjera me të cilat përballen qytetarët”, ka shkruar Smajljaj.

Çka tha kryeministri?

Ndaj këtyre rasteve ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në mbledhje e sotme të Qeverisë, ai i ka ftuar organet e rendit dhe të hetuesisë të hetojnë shkaqet që kanë nxitur këto vrasje.

Dua të ndaj shqetësimin dhe brengën lidhur me 4 vrasjet në tre ditët e fundit. Ftoj organet e rendit, hetuesisë e drejtësisë, që të hetojnë shkaqet, rrethanat e dorasve, në mënyrë që edhe të vihet drejtësi, por edhe të parandalohen raste të tilla në të ardhmen. Vrasja është akti më i rëndë, ajo asnjëherë nuk guxon të normalizohet. Vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut por edhe e shoqërisë që ai njeri bënte pjesë. Gjithë vendi është tronditur e lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, të ndalet, të dënohet”, ka thënë ai.

Sipas tij, këto ngjarje janë tirrje për të gjithë shoqërinë.

Na duhet natyrisht analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm, dhe reflektim shoqëror. Kjo është thirrje për të gjithë ne. Edhe për faktin që këto vrasje ndodhën në javën kur shënojmë 26-vjetorin e fushatës së bombardimeve për të ndalur gjenocidin e Serbisë, dhe përkujtojmë masakrat që synonin shfarosjen e popullit shqiptar”, ka deklaruar Kurti.

Lajme të ngjashme