Tre të vdekur nga shpërthimi në një gazsjellës në Rusi - NACIONALE

Tre të vdekur nga shpërthimi në një gazsjellës në Rusi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një shpërthim ka ndodhur në një gazsjellës në pjesën qendrore të Rusisë, duke lënë të vdekur tre persona e duke penguar një pjesë të sasisë së kufizuar të gazit rus që ende është duke arritur në Evropë, thanë të martën zyrtarët lokalë.

Rrjedhja e gazit përmes një pjese të gazsjellësit Urengoi-Pomary-Uzhhorod, që e merr gazin nga Arktiku i Rusisë dhe e dërgon në Evropë përmes Ukrainës, është ndërprerë në orën 13 e 50 minuta, thanë zyrtarët lokalë në rrjetin “Telegram”.

Oleg Nikolayev, guvernator i Republikës së Chuvasia-s, i tha televizionit shtetëror se tre persona, të cilët ishin duke kryer punë të servisimit, kanë vdekur në aksident, ndërsa një tjetër, drejtuesi i një automjeti, “është në gjendje shoku”, shkruan agjencia “Reuters”, përcjell gazeta “Nacionale”.

Ai tha se është e paqartë se kur mund të rifillojë dërgimi i gazit dhe se autoritetet po mundohen që ta zgjidhin këtë çështje.

Ministria rajonale e Urgjencave tha se një shpërthim ka ndodhur në gazsjellës gjatë punës së planifikuar për mirëmbajtje afër fshatit Kalinino, rreth 150 kilometra në perëndim të qytetit Kazan. Kjo ministri tha se flaka e shkaktuar nga shpërthimi është shuar.

Gazsjellësi i ndërtuar në vitet e tetëdhjeta futet në Ukrainë përmes pikës matëse në Sudzha, tash për tash rrugë kryesore për arritjen e gazit rus në Evropë.

Çmimet e gazit në Evropë janë rritur shumë këtë vit, pasi Rusia e pakësoi eksportimin përmes gazsjellësit kryesor për në Gjermani, duke i lënë vetëm gazsjellësit që kalojnë nëpër Ukrainë në shërbim të klientëve evropianë.

Zyra qendrore e prodhuesit shtetëror të gazit në Rusi, “Gazprom”, dhe filiali i tij lokal nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Kompania “Gazprom” tha më herët të martën se pret të dërgojë 43 milionë metra kub gaz për në Evropë përmes Ukrainës përmes pikës matëse në Sudzha gjatë 24 orëve të ardhshme, vëllim që është në linjë me sasinë e ditëve të fundit.

Çmimet e përparme në bursën holandeze, TTF, u rritën pas lajmit për shpërthimin në Rusi.

Lajme të ngjashme