Plagosja e katër personave në Lupç të Podujevës, prokuroria jep detaje - NACIONALE

Plagosja e katër personave në Lupç të Podujevës, prokuroria jep detaje

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, bëri të ditur se një person i dyshuar rreth rastit është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

“Nga hetimet fillestare dyshohet se pas një mosmarrëveshje mes disa personave (familjarë), në fshatin Lupç, si pasojë e të shtënave me armë zjarri dhe përdorimit të thikës, janë lënduar katër persona, të cilët janë dërguar për ta marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Një person i dyshuar në këtë ngjarje është shoqëruar në stacion policor për tu intervistuar”, ka thënë Ulaj.

Zëdhënësja e Prokurorisë ka njoftuar më tej se Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë kanë ndërmarrë veprimet hetimore në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti.

Rreth rastit:

Katër persona janë lënduar, tre janë plagosur me armë zjarri ndërsa një me thikë në Lupç të Podujevës.

Lajmin e ka bërë të ditur për Gazetën Nacionale zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti ka njoftuar se të plagosurit janë dërguar në QKUK për trajtim.

Sot rreth orës 16:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në fshatin Lupç të Podujevës. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast janë plagosur nga arma e zjarrit tre persona, ndërsa një person ka pësuar lëndime nga arma e ftohtë (thikë). Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.” – ka njoftuar Ahmeti.

Gazeta Infokus ka rapotuar se konflikti nisi mes familjeve Menxhiqi dhe Hoxha.

Sipas mediumit, të plagosurit janë Ferat, Arianit e Sejdi Hoxha.

Të përfshirë në konflikt ishin edhe tre burra të familjes Menxhiqi, Ferit, Fadil dhe Berat Menxhiqi.

Lajme të ngjashme