Trashet pluhuri mbi aplikacionin e Kosovës për BE, liderët kërkojnë ‘pyetësorin’ për status të vendit kandidat - NACIONALE

Trashet pluhuri mbi aplikacionin e Kosovës për BE, liderët kërkojnë ‘pyetësorin’ për status të vendit kandidat

1 vit më parë

nga Xhezair Dashi

“Sigurisht do të studiohet, por në të vërtetë s’është prioritet”.

Këto fjalë aspak premtuese të një diplomati të lartë evropian i citonte prestigjiozja franceze ‘Le Monde’ m’u në ditën kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e valëvësite për ‘historike’ aplikacionin e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pesë vendet mosnjohëse ishin aty pa lëvizur asnjë inç drejt pranimit të shtetësisë së vendit ndërsa Kurti në Pragë shprehej se as që ia merr mendja që ky pentagon shtetesh — sipas tij “minoritet shtetesh” — do të mund të dilnin kundër anëtarësimit të Kosovës në familjen evropiane.

Nuk besoj se një pakicë shtetesh anëtare të BE-së që ende nuk e njohin Kosovën do të jenë kundër anëtarësimit tonë në familjen evropiane”, shprehej Kurti.

Kjo ‘pakicë shtetesh’, megjithatë, dy vite më vonë mbetet arsyeja se pse një kore e madhe pluhuri mbështjell aplikacionin që qëndron në sirtarë të Brukselit.

Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – përjashto Kosovën – kanë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian: duke shtuar së fundi edhe Bosnje-Hercegovinën.

Kosova kërkon trajtimon e aplikacionit të saj për marrjen e statusit të vendit kandidat: dhe hiç më larg se dje Kryemnistri i Kosovës, Albin Kurti, i kërkoi Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, “pyetësorin” për anëtarësim në BE.

Kosova – e sanksionuar nga BE, e bllokuar edhe në aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës, si organizatë paradhomë e BE-së – kërkon barazimin e saj me vendet rajonale në rrugëtimin drejt BE-së.

Gjatë kohës sa Presidencën e BE-së e udhëheq Hungaria, Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, po ashtu kërkoi marrjen e pyetësorit dhe procedimin e aplikacionit për BE.

Duke shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për bashkëpunim të ngushtë me presidencën hungareze, ritheksuam objektivin tonë për marrjen e pyetësorit dhe vlerësimit në baza meritokracie për marrjen e statusit të vendit kandidat”, shkroi Bislimi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pretendon se vendi “i ka përmbushur të gjitha kushtet që ta fitojë statusin e vendit kandidat” duke mos e llogaritur strukturën vendimarrëse me unanimitet të BE-së.

Edhe në vetë raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian vlerësohej se Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së.

Për më tepër në Marrëveshjen Bazike/Ohrit vendi pranoi që i mbarë rrugëtimi integrues evropian i saj të ndërlidhet vis-a-vis zbatimit të asaj marrëveshje: dhe e cila përkthehet në një obligim kyç për vendin: Neni 7 i autonomisë territoriale serbe.

Për mos-procedimin për rishikim kushtetues të draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe vendit iu ndalua mu në çastet e fundit anëtarësimi në Këshill të Evropës.

QUINT-i me unanimitet e kushtëzoi anëtarësimin e Kosovës me këtë dokument për çka ka hezitime nga qeveria kosovare që ta pranojë si të tillë ani pse në tetor të vitit të kaluar kur u dorëzua u pat vlerësuar si “pakrahasimisht më i mirë se ç’kanë qenë më parë” dhe “plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Qëndrimet nga Qeveria e Kosovës karshi ati dokumenti ndërruan katërcipërisht duke e quajtur “non-paper”, “jo-dokument”, “të rrezikshëm”, “skandaloz”, “Republika Srpska 2.0”, etj.

Rezoluta 12/44 në Preambulë të tekstit dhe Arbitrazhi janë lexuar si dy elementet më të frikshme të tij: që, sipas ekspertëve, përbën materje kushtetues më vete dhe krijimn e një rendi paralel kushtetues për Asociacionin karshi shtetit të Kosovës.

Përparimi në dialogun e fascilituar nga BE për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë mbtetet shtegu i vetëm për përparim drejt BE-së për vendin.

Lajme të ngjashme