"Transfer i lirë i parave prej xhepave të konsumatorëve": Bajrami i jep definicion final gërryerjes së fuqisë blerëse gjatë Qeverisë Kurti - NACIONALE

"Transfer i lirë i parave prej xhepave të konsumatorëve": Bajrami i jep definicion final gërryerjes së fuqisë blerëse gjatë Qeverisë Kurti

2 javë më parë

nga NACIONALE

Në sagën e vazhdueshme të numrave të fryer qeveritar, ku grafikët e krahasimeve me qeveritë e kaluara gdhendën deri në grotesk, me inflacionin – gërryes i xhepave të qytetarëve – që përdorët në favor të pretendimeve për prosperitet ekonomik, Hykmete Bajrami, deputete e Kuvendit të Kosovës, deshifroi deri në hollësi mitin e pretenduar të rritjes ekonomike nën qeverinë Kurti.

Krahasimet e numrave të qeverisë aktuale me vitet e pasluftës kur Kosova funksiononte me donacione, deputeti Bajrami i interpretoi si truke të qeveritarëve në përpjekje që dallimet në shifra të japin përshtypjen e një zhvillimi të madh gjatë katër viteve të fundit, gjatë një paraqitjeje në "Debat Plus".

“Ndarjet buxhetore të vitit 2025 i kemi pa ti i krahasu me atë të vitit 2020… por edhe të viti 2000. Ka pas edhe krahasime të tilla me buxhetin e vitit 2000, tash imagjinoni tash ku ne s’kemi pas as sektor privat as skemi pas qeveri, ka qenë administrata e UNMIK-ut dhe kemi funksionu komplet në donacione”, tha Bajrami.

Duke cituar Milton Friedman-in, ekonomistin me famë botërore, Bajrami shpjegoi më tej se si inflacioni, si një tatim pa legjislacion, ua gërryu fuqinë blerëse qytetarëve.

Madje, Bajrami i dha një definicion të ri këtij fenomeni: “Transfer i lirë i parave prej xhepave të konsumatorëve”.

“Unë kam thënë se nuk mund të flasim për asnjë arritje ekonomike pa treguar që ka pasur inflacion. Milton Friedman thotë: Inflacioni është tatim pa legjislacion. Që në fakt ti s’ke nevojë t’i ndërrosh ligjet, nuk ke nevojë me i rrit taksat por ti faktikisht i takson njerëzit. D.m.th., ka ndodh një transfer i lirë i parave prej xhepave të konsumatorëve i cili ka shku në buxhetin e Kosovës.” – tha deputetja e LDK-së.

Bajrami shpjegoi më tej se mburrjet me “shtim 1 miliardë, 3 miliardë euro ekonomisë së vendit”, nuk përbëjnë rritje të mirëfilltë apo reale, pasi ajo, sipas saj, është nxitur kryesisht nga presioni inflacionist që goditi Kosovën vitet e fundit.

“Sa i përket rritjes ekonomike, ajo çfarë unë kam thënë është që ne nuk mund të flasim për rritjen ekonomike kur t’i konvenon qeverisë me fol në terma nominale. D.m.th., me thënë që ia kemi shtuar ekonomisë 1 miliardë apo 3 miliardë, pastaj m’u kthy dhe me thënë: ‘ne s’kemi mundur ta bëjmë këtë gjë, atë gjë sepse kemi pasur inflacion’. Ti a ke pasë inflacion apo s’ke pasë? Sepse krejt dokumentet zyrtare po e thonë që ti ke pasur inflacion. Nëse ke pasur inflacion, ajo ka ndikuar në shtimin e miliardave, të cilat nuk janë rritje ekonomike komplet por një pjesë e tyre kemi thënë këtu dhe e kemi dokumentuar me të dhëna që është rritje e çmimeve”, tha Bajrami.

Bajrami përdori një analogji të thjeshtë për të ilustruar ndikimin e inflacionit, ndërsa theksoi se mburrjet e qeverisë për rritjen nominale të PBB-së nuk pasqyrojnë rritjen reale ekonomike.

“Nëse ne do ta thjeshtonim ekonominë e shtetit në një prodhim, dhe do të thonim që i vetmi prodhim prej të cilit përbëhet ekonomia është – ta zëmë – fasulja. Ne e kemi parë nëpër media që këtë vit, 8 deri në 12 euro ka kushtuar një kilogram fasule vendore. Tash nëse ky artikull në vitin 2020 ka kushtuar 4 euro, 50 kilogram do të kushtonin 200 euro. Në qoftë se e kemi pasur të njëjtin produkt në vitin 2023 apo në vitin 2024 dhe ky artikull tash kushton 8 euro, më nuk bëjnë 200 euro 50 kilogram por bëjnë 400 euro. Çka ka ndodh... ne nuk kemi pasë rritje të produktit, kemi prodhuar 50 kg atëherë, kemi prodhu 50 tash. Dmth është rrit çmimi. Ajo çfarë i kemi thënë kryeministrit është që nuk është e vërtetë që ti ja ke shtu për 3 vite 3 miliardë euro ekonomisë. Ia ka shtuar inflacioni 3 miliardë. Nëse e kthen në mallra, ia ke shtuar 1.5 miliard por jo 3 miliardë.” – shpjegoi Bajrami.

Lajme të ngjashme