Trajkoviq për Zajdenicën: Kurti do të ndryshojë mendje si për Ivanoviqin
Politikanja serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka thënë se kryeministri Kurti do të ndryshojë mendje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe ashtu siç ka ndryshuar për Oliver Ivanoviqin.
Trajkoviq në një prononcim për median serbe “Nova”, ka thënë se Kurti nuk është budalla të refuzojë amerikanët për Asociacioanin.
Tutje, ajo tha se shefi i ekzekutivit do të ndryshojë qëndrimin e tij për ASK-në njësoj siç e ndryshoi për Oliver Ivanoviqin.
“Është shumë vështirë t’u thuash jo amerikanëve, kjo ngërthen në vete rreziqe të caktuara. Kurti nuk është budalla, ani pse mund të ketë paragjykimet dhe bindjet e tij, ato ndryshojnë. Njëjtë siç e ndërroi qëndrimin ndaj Oliver Ivanoviqit, për atë edhe u kritikua dhe madje u protestua”, ka thënë Trajkoviq.
Ajo kishte edhe një porosi për kryeminstrin Kurti.
“Është e vështirë të paraqisni veten si kryeministër pa pasur komunikim me një pjesë të qytetarëve tuaj, ose të kontrolloni një pjesë të territorit. Duhet gjetur zgjidhje ligjore”, tha Trajkoviq.
