“Tmerr, tmerr”, punëtorët e KEK-ut ankohen për kushtet e këqija, thonë se paguhen pak
Punëtoret e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë mbajtur protestë sot në Prishtinë, duke shprehur pakënaqësitë e tyre rreth pagave.
Punëtorët e KEK-ut duke shprehur pakënaqësitë e tyre për paga, kanë treguar se marrin edhe shujtën ushqimorë në vlerë 1 euro e 75 cent.
Të pakënaqur më kushtet e tyre, punëtorët janë ankuar duke thënë se “60% e tyre janë sëmurë.”
Ekipi i Gazetës Nacionale ka qëndruar gjatë gjithë protestës në shesh, ku ka dëgjuar edhe ankesat e punëtorëve.
Shumica nga punëtorët kanë deklaruar se më shujtën e tyre 1 euro e 75 mund të blejnë vetëm byrek dhe jogurt.
“Tmerr bre është tmerr, e kanë pru KEK-un, tmerr. Prej 17 mijë punëtorëve e kanë pru në 3 mijë e 200. 40 vjet kom punu në KEK, këta janë njerëz mafioz që e udhëheqin KEK-un edhe njerëz të padijshëm që nuk kanë lidhje, kurrfarë ekspertash nuk jon, as drejtorë, bordi as kurrgjë hiq. Me rroga as gjëra elementare nuk mundesh me i ble. Çmimet janë rrit që një vit. Punëtorët e KEK-ut janë heronj, heronj të gjallë, çfarë kushte prodhohet rryma, njerëzit nuk e dinë. Është shumë vështirë, e rrezikojnë jetën, janë mbetur numër i vogël. Janë 3 mijë punëtorë ku nuk mund të plotësohet as vendet e punës, i detyrojnë punëtorët 2-3 vende punës me punu.” – ka deklaruar një punëtorë pjesëmarrës në protestë për Gazetën Nacionale.
