Tjetër përpjekje për tërheqjen e parave nga Trusti: Qysh do të votojnë partitë këtë herë?
Projektligji për Trustin ka arritur në Kuvendin e Kosovës. Të paktën kështu ka bërë të ditur njëri prej organizatorëve për nënshkrimin e peticionit për të tërhequr një pjesë të kursimeve, Adnan Jashari. Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht është shprehur kundër një nisme të tillë, ndërkaq partitë opozitare e përkrahën. Si do të votojnë të zgjedhurit e popullit këtë herë?
Të shtunën e ardhshme në Prishtinë do të mbahet protestë ku do të kërkohet që qytetarëve t’u lejohet tërheqja e 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti.
Organizatorët, kanë bërë thirrje që sa më shumë qytetarë t'u bashkohen atyre, duke vlerësuar se në të kundërtën, partia në pushtet do t’i akuzojë që kërkesa nuk është e popullit.
Si do të votohet këtë herë?
Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi ka treguar se është kundër një gjëje të tillë, me shefen e grupit parlamentar Mimoza Kusari – Lila dhe deputetin Armend Muja që kanë qenë më të zëshëm në deklaratat e tyre kjo nuk duhet të ndodhë.
Nacionale e ka kontaktuar deputeten Kusari-Lila, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje për të treguar se a ka ndryshuar qëndrimi i partisë në pushtet.
Sidoqoftë, një tjetër deputet i këtij subjekti, ia konfirmoi Nacionales së në rast që projektligji hidhet për votim, ai do të votojë për.
Fatmir Humolli, i cili në votimin e kaluar për këtë çështje abstenoi, tregoi edhe arsyet se pse do të votojë “për” këtë herë.
“Derisa paratë e Trustit janë jashtë shtetit unë do të votoj që ato të kthehen në vend. Është më e drejtë që qytetarët t’i kenë në dispozicion se kompanitë ndërkombëtare. Një herë me bë qarkullimin vetëm TVSH-ja mbi 300 milionë i humb buxheti i Kosovës në vit. Për këtë, do ta votoj”, tha deputeti i VV-së për Nacionalen.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka insistuar vazhdimisht se qytetarëve duhet t’u lejohet tërheqja e mjeteve nga Trusti, duke e arsyetuar këtë edhe me krizën ekonomike në të cilën ndodhet vendi.
Haxhiu i tha Nacionales se deputetet e PDK-së do ta përkrahin sërish këtë projektligj.
“Po, sigurisht që e përkrahim”, tha ai.
Ndërkaq, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës na thanë se çdo herë do ta mbështesin kërkesën për tërheqjen e këtyre mjeteve.
“AAK çdo herë do të mbështesë kërkesën për tërheqjen e parave nga Trusti. Edhe këtë peticion e përkrah”, tha Drejtori për Informim në AAK, Lulëzim Blaka.
Nacionale ka nisur pyetje edhe në adresë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të marrë vesh qëndrimin e tyre, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.
Diskutimi i Trustit, “hall” për kryeministrin Kurti
Një përpjekje për të lejuar tërheqjen e kursimeve nga Trusti ishte bërë më 23 qershor të këtij viti. Projektligji nuk kishte kaluar, duke marrë 57 vota kundër nga deputetët e VV-së dhe 44 për nga ata të opozitës.
Vetë diskutimi i një çështje të tillë, e kishte vënë në “hall” kryeministrin Kurti, pasi tha se ishte i bindur që nuk kalon.
“A din kush flet veç për çmime pa folë për strukturën e ekonomike, Le Peni, veç Le Peni flet në fushatë kështu. Halli im nuk është që kalon ky projektligj se e di që nuk kalon, halli është që po diskutohet”, deklaronte shefi i Qeverisë në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq, deputeti Armend Muja, atë kohë kishte thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ndryshojë qëndrim, pasi sipas tij, tërheqja e parave do të shkatërronte sistemin pensional të Kosovës.
“Nuk do të ketë ndryshim të qëndrimit. Këtë qëndrim e kemi marrë në vitin 2020 edhe kur ka qenë tërheqja e parë edhe e dyta, pikërisht me këto arsyetime, se në rast se krijohet mundësia, hapet dritarja që të tërhiqet një herë ajo, krijohet një precedent i rrezikshëm, i cili në tërësi e shkatërron skemën pensionale të Kosovës", kishte deklaruar ai.
Kosova po përballet me krizë ekonomike dhe çmimet janë rritur thuajse për secilin produkt bazik, megjithatë, shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila nuk e shihte tërheqjen e parave nga Trusti si zgjidhje për këtë.
“Nuk mund të diskutojmë krizën e sotme duke synuar prishjen e sistemit aktual apo faturimin gjeneratave të reja. E kuptojmë që zgjidhja më e lehtë dhe më e shpejtë për ballafaqim afatshkurtër me inflacionin mund të duket votimi i këtij projektligji. Por ne mandatet nuk i kemi marrë për zgjidhje të lehta, të shpejta, dhe afatshkurtra. Zgjidhjet e lehta mund të duken të këndshme por me pasoja afatgjata dhe të rënda për sistemin financiar dhe të ardhmen e të gjithë kontributdhënësve. Nuk guxojmë ta humbim fokusin në momentin e krizës nga synimi ynë afatgjatë. Ajo nëpër çfarë po kalon Kosova nuk është suigeneris vetëm për ne, pasojat e krizës dhe luftës po ndihen në çdo vend të rajonit”, ishte shprehur Kusari-Lila.




