Tjetër javë, tjera sulme: Pushteti iu ‘gjuhet’ sërish mediave e gazetarëve
Një tjetër javë, tjera sulme ndaj gazetarëve. Mediat sërish janë pothuajse të njëjtat. Sulmuesit e linçuesit, po ata të njëjtë.
Zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes e deputetë të kësaj partie kanë realizuar edhe sot një fushatë linçuese ndaj gazetarëve. Kjo duke kundërshtuar mënyrën e raportimit, e në disa raste duke e marrë rolin e ‘profesorëve’ të gazetarisë.
Në një postim në rrjetin social facebook, deputeti Artan Abrashi, kritikoi gazetarët pse e kanë transmetuar një deklaratë të zëdhënësit në Shtëpinë e Bardhë. Kjo me arsyetimin se pyetjet ishin bërë nga një gazetare propagandistike serbe.
Megjithatë, në mesin e disa fotografive ku shihet edhe Nacionale, Abrashi vendosi të shmang disa media të tjera, por edhe televizionin publik RTK, që po e shfrytëzojnë për propagandë.
Vlen të theksohet se deklaratën e zëdhënësit amerikan Miller, e transmetoi edhe faqja zyrtare e Ambasadës së Amerikës në Kosovë. “
“Ksenija Pavlovic, është emri i gazetares. Është serbe, që ka migruar në Amerikë. Ajo është zëri i shtetit të Serbisë në secilën konferencë për media të Departamentit të Shtetit. Për çdo zhvillim në Kosovë, ajo bën pyetje në konferencën e Departamentit të Shtetit. Dje për shembull, në lidhje me mbylljen e postave ilagale të Serbisë në veri paska pyetur se "Sa vija të kuqe mund të shkel Kryeministri Kurti në veri të Kosovës pa pasur asnjë pasojë?". Përgjigjen e Departamentit të Shtetit e gjejmë në pothuajse të gjitha portalet tona në Kosovë. Kjo nuk është hera e parë. Me lajmet që prodhohen nga ajo, shpesh goditet Qeveria e vendit nga tanët. Por ka një dallim këtu. Ksenija po e përdor median për ta shtyrë përpara agjendën e shtetit të Serbisë në opinion publik. Tanët po i përdorin mediat për ta goditur kryeministrin në opinion publik”, ka shkruar Abrashi, në postim ku duket më shumë si ligjërues i gazetarisë.
“Shkrimet dhe raportimet e saj mund t'i gjeni në thepavlovictoday.com. Mos e merrni si reklamë për të, por si vetëdijesim se nga kush shërbehemi për lajmet që i lexojmë në shqip, në disa prej portaleve tona”, shkroi ai.
Një tjetër deputet i pushtetit, me apo pa lejen e Dejona Mihalit, u mor me gazetën Insajderi. Kjo pasi këta të fundit raportuan se kamionët e firmës së afërt me Hysen Durmishin, u panë mbi Urën e Ibrit.
“Dikur kamionët e Radoiçiqit i bllokonin rrugët në veri. Tash “kamionët e dostit të Durmishit” po e testojnë hapjen e urës për në veri. Ju me cilët kamiona jeni? Pasi po dëshironi me e banalizu”, ka shkruar Batusha.
Rolin e profesorit të mediave e mori edhe zv/ministri i Financave, Avni Zogiani.
“Ndërkombëtarët, një fjalë që e dëgjon veç n'media t'Kosoves e Shqipërisë!”, ka shkruar Zogiani.
Në anën tjetër, pikërisht sot u shpërndanë disa fotografi-montazhë të gazetarëve e mediave më të njohura në Kosovë, duke bërë propaganda se gazetarët kanë vdekur, dhe duke edituar fotografi me shkrime që janë montazhë.
Ndaj kësaj, reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Disa prej gazetarëve të atakuar nga këto foto-montazhe janë: Vehbi Kajtazi, Valon Syla, Berat Buzhala, dhe të tjerë. Në to, zakonisht është përdorur rrejshëm logoja e medias së pavarur serbe nga Mitrovica Veriore, Kossev. Ndërkohë, linqet e supozuara të lajmit përfshijnë media si Zëri, Telegrafi, Kosova Sot, dhe të ngjashme. AGK-ja, e sheh këtë fushatë si ekstremisht të rrezikshme për gazetarët dhe mediet, dhe fton Policinë e Kosovës me Njësitin Kibernetnik, që urgjentisht të hetojë prejardhjen e postimeve të tilla dhe të parandalojë vazhdimin e publikimit të tyre”, ka shkruar AGK.
Pas këtyre sulmeve, Ilir Mirena ka theksuar se kjo dëshmon që pushteti është në panik.
“Qenka qarte sot regjimi i Kurtit kunder mediave! Sa here t’i kane punet per faqe t’zeze iu gjuhen mediave dhe gazetareve. Kjo eshte shenje paniku dhe humbje kontrolli. Sa ma shume po iu afrohet fundi, me agresive po bahen…”, ka shkruar Mirena.
Ka reaguar edhe gazetari Parim Olluri.
“Qe çfare postimi linçues kunder nje mediumi poston nje deputet i pushtetit. Per marre! Kamionet e Radojçiqit e Zvonkos i ka largu Policia e Kosoves, sa here qe e kane bllokuar rrugen. Pa marre parasysh se kush ka qene ne pushtet. Hashimi, Isa apo Ramushi. Por, fakti qe largohen kamionet e Radojçiqit nuk i jep te drejt asnje pushteti e asnje qeverie qe ta krijoj “Radojçiqin” e saj. Qeveria Kurti duhet me dhane pergigje para Prokurorise Speciale se pse kamionet e dostit te Durmishit gjenden githkund ne projektet qeveritare. E thjeshte eshte kjo pune”, ka shkruar Olluri.
Vetëm pak ditë më parë, propaganda e pushtetit u shfrenua duke përdorur edhe televizionin publik të Kosovë. Aty për Nacionalen dhe Periskopin, u tha se “financohen nga Serbia”.