Tik-taku i Urës së Ibrit: Nis testimi nga qeveria, Vuçiq me shpresa se KFOR “e ndalë” - NACIONALE

Tik-taku i Urës së Ibrit: Nis testimi nga qeveria, Vuçiq me shpresa se KFOR “e ndalë”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Se “ura do të hapet” është pohuar thuajse si fakt i kryer nga krerët shtetëror kosovarë, pavarësisht kundërshtisë së QUINT-it dhe KFOR-it se nuk mbështesin tash-për-tash “ndryshim të statusit” të Urës së Ibrit që ndan qytetin etnikisht në dy.

KFOR-i e ka çuar në tone më serioze praninë e tyre “të pëhershme...fikse” në Urën e Ibrit, duke i shtuar fuqi deklarimeve të tyre për prani të stacionuar, i.e statike.

Ndërsa vetëm sot qeveria kosovare ka nisur “përcaktimi i kapacitetit mbajtëse të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër në Mitrovicë, me ngarkesa testuese”.

E testimi me këto ngarkesa testuese do të përfshijë edhe “përcaktimin e koeficientit dinamik nën veprimin e ngarkesave dinamike (automjete në lëvizje me shpejtësi deri në 40 km/h).”

Me kamionë që ecin 40 km/h, rrjedhimisht karabinierët italianë do të duhej të lëshonin rrugë, i.e “praninë fikse” të tyre në urë derisa zhvillohet testimi.

Nacionale merr vesh nga brenda institucioneve se nesër nuk hapet Ura e Ibrit përkundër pretendimeve të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për “nesër”.

Vuçiqi u shpreh “shpresues” se KFOR-i nuk do të lejojë hapjen e Urës së Ibrit “nesër” derisa u thirr në pandehjet e tij për nismën online të Agim Bahtiri.

Ky i fundit e ka bërë ‘sponsored’ në Facebook një thirrje për tubim pro hapjes së Urës së Ibrit.

Për Vuçiqin, kjo është "urdhër i dhënë nga (Kryeministri i Kosovës, Albin) Kurti", si “kundër-reagim ndaj tubimit serb në anën veriore të urës”.

Unë shpresoj që KFOR-i nesër të reagojë siç duhet, që në pajtim me krejt çka kanë thënë ditëve të kaluara, të mbyllin urën dhe të ndalojnë pushtimin nga shqiptarët”.

“Pash që Bahtiri, nën urdhëra të Kurtit, tashmë veçse ka caktuar kundër-tubim në përgjigje ndaj mbledhjes së serbëve në anën tjetër të urës”, tha Aleksandar Vuçiq.

Xhelal Sveçla, Ministër i Brendshëm, sot nga Mitrovica tha se “ura do të hapet” sepse “nuk ka arsye të mos hapet”. Hapja, tha ai, i takon vlerësimeve të ekspertëve; derisa këto të fundit ishin nën urë duke kryer matje të qëndrueshmërisë.

Agim Bahtiri para dy jave u fotografua para urës duke paralajmëruar hapjen me fjalët “ditë të mira po vijnë”; ndërsa tek më vonë – s’dihet çka ndërroi – u angazhua në thirrje për tubim masiv qytetarë në hapjen asaj.

I ka dy-tri ditë që Bahtiri e ka bërë ‘sponsored’ në Facebook – do të thotë, ka paguar para që të arrijë audiencë sa më të madhe – këtë thirrje për tubim mbështetës të hapjes së urës së Ibrit.

Partia Vetëvendosje është angazhuar në kapacitet e plota të resurseve njerëzore dhe digjitale të saj për t’i dhënë preludin e hapjes së Urës së Ibrit; në diskurse edhe të ashpra karshi bashkësisë ndërkombëtare e në veçanti KFOR-it.

Njohës të çështjeve të sigurisë, si ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, e ka parë edhe në lente të një “konfrontimi” të mundshëm ngarjen, potencialisht mes Policisë së Kosovës dhe forcës paqembajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.

Nuk besoj kurrë që Kryeministri Kurti do të vendos për konfrontim direkt mes Policisë së Kosovës dhe KFOR-it. Më përpara e pranon dështimin, sesa konfrontimin!”, ka shkruar ai në Facebook, në një shkrim që më shumë ngjante si thirrje për Kurtin se sa si konstatim që Kurti.

Prandaj, pavarësisht se dështimet mund të jenë vërtetë të thella, unë prapë nuk do të besoja kurrë që shkon deri në konfrontim! Kryeministri Kurti në fund të mandatit të tij e pranon dështimin, por jo konfrontimin me NATO-n!”, pati përfunduar Ramadani.

Lajme të ngjashme