Thuaj jetës mirëmëngjes: ShBA e bëri gjytyrym ushtrinë serbe - NACIONALE

Thuaj jetës mirëmëngjes: ShBA e bëri gjytyrym ushtrinë serbe

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Qysh në prill të 1999-s, avionëbartëset amerikane Theodore Roosevelt dhe HMS Invincible kishin zënë vend në ujërat e Detit Adriatik dhe Jon. Bashkë me to ishin edhe gjashtë anije amerikane, nënmarina britanike e frigata të tjera. Fushata 78-ditëshe e Perëndimit të bashkuar kishte bërë mbresëlënshëm 38 mijë fluturime, 60 për qind të të cilave nga Shtetet e Bashkuara dhe kusuri nga aleatët e NATO-s. Ushtria serbo-jugosllave, në anën tjetër, kishte vënë sisteme sovjetike të mbrojtjes ajrore SAM, radarë e pajisje të tjera artilerike. Pak para katastrofës, zyrtarët e ushtrisë serbe kishin shkuar në Bagdad që të merrnin informacione nga regjimi i Sadamit. Ha ha ha! Si një shpalim madhështor force e teknologjie sipërane, që të kujton dramaticitetin e filmit ‘Apocalypse Now’ me operën ‘Ride of the Valkyries’ të Wagnerit, aleatët perëndimorë i dhanë goditje vendimtare ushtrisë së shtetit të fundit gjenocidal në Evropë. Kjo fushatë shkatërroi të gjitha rafineritë e naftës në Jugosllavi, 57 për qind të rezervave të petroleumit, 29 për qind të depove të municionit, 34 ura, 11 ura hekurudhore, 14 posta komande dhe 10 aeroporte ushtarake, ashtu sikurse i bëri pluhur e hi mbi 100 avionë jugosllavë. Faleminderit Amerikë!

Col Mehmeti

“Ne veprojmë për të mbrojtur mijëra njerëz në Kosovë nga një mësymje ushtarake në përgatitje e sipër. Ne veprojmë për të parandaluar një luftë të gjerë, për ta hequr fuçinë e barotit në zemër të Evropës, që ka shpërthyer dy herë më herët në këtë shekull me pasoja katastrofike”, ishin fjalët e para të presidentit 52-vjeçar amerikan, Bill Clinton.

Në mesnatën e 24 marsit të para njëzet e gjashtë viteve, adresimi presidencial para kombit amerikan po i shpaloste arsyet kryesore të ndërmarrjes së bashkuar perëndimore për ta shpëtuar popullin shqiptar në Kosovë.

Duke ndërmendur ngjarjet e para një muaji ku delegacioni shqiptar në Rambuje i kishte thënë 'po' ujdisë për paqe, Clintoni vuri në dukje se Serbia si përgjigje kishte pasur vendosjen e një rrethi të hekurt zjarri në Kosovë.

“Derisa kosovarët po i thonin po paqes, Serbia stacionoi 40 mijë trupa në Kosovë e rrotull saj në përgatitje për një mësymje të madhe dhe në shkelje të qartë të zotimeve që kishte bërë”, vazhdoi presidenti Clinton fjalimin e tij që zgjati rreth pesëmbëdhjetë minuta.

Fillon ‘Operacioni Forca Aleate’

Vetëm pak minuta pas këtij adresimi, Operacioni Forca Aleate nisi sulmin e madh ajror ndaj caqeve të ushtrisë jugosllave në Serbi e Kosovë.

Ndërmarrja e madhe perëndimore kundër shtetit që po kryente gjenocid e spastrim etnik midis Evropës nisi me një shpalim madhështor fuqie ushtarake.

Lufta nga ajri nisi me 250 avionë ushtarakë amerikanë, përfshirë 120 avionë nga toka 7 B-52, 6 B-2, 10 avionë për rikonjicion, 10 të tjerë për kërkim e shpëtim, ashtu sikurse edhe avionë të tjerë për furnizim.

Nga 19 vendet anëtare të NATO-s, 13 prej tyre vunë në përdorim kapitalin e tyre ajror, kurse 11 morën pjesë në operacionet ajrore (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Belgjika, Kanada, Danimarka, Holanda, Norvegjia, Spanja dhe Turqia).

E drejtuar prej ShBA-së, ndërmarrja e aleancës perëndimore në tërësejin e vet pati 27 mijë njerëz në tokë, kurse vetëm ShBA kishte një personel prej 31,600 ushtarësh të përfshirë në operacion, 18,400 prej të cilëve në tokë e 13,200 në det.

Shkulmi i parë i sulmeve në natën e 24 marsit përbëhej nga raketa kryqëzorësh, me TLAM-sa të shkrepura nga anijet amerikane USS Gonzales dhe USS Philippine Sea, dy nënmarina për sulme të shpejta (USS Albuquerque dhe USS Miami) si dhe një nënmarinë britanike (HMS Splendid) që lundronin në Adriatik.

Kazermat ‘Kosovski Junaci’ bëhen shkrumb e hi

Nën një qiell që flakëronte e farfuriste me drita inkadeshente e fosforshente, Prishtina qe një nga caqet e para ku ra kjo batare e shumëpritur raketash.

Kazermat e ushtrisë jugosllave ‘Kosovski Junaci’ afër Prishtinës u bënë të parat pluhur e hi—ironia theksohej edhe më nga emri mesjetar që mbanin këto barraka.

Ky sulm me raketa kryqëzorësh u pasua me goditje ajrore kundër caqeve të mbrojtjes ajrore, të tilla si bateritë SAM dhe radarët e ushtrisë jugosllave.

Avionët aleatë kishin në dispozicion të vetin më së shumti baza në Itali (Aviano, Gioio del Colle, Villafranca, Amendola, Cervia, Gazzanise, Ghedi, Piacenza, Istrana, Falconara, Practica di Mare, Brindisi dhe Sigonella), Gjermani (Bruggen, Rhein Main Air Base (AB), Spangdahlem AB, dhe Ramstein AB) si dhe Mbretëri të Bashkuar (RAF Fairford, RAF Lakenheath, dhe RAF Mildenhall).

Këto sulme të natës së parë kaluan me mbikëqyrje të veçantë në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Clinton, sekretari i Mbrojtjes William Cohen dhe gjenerali Shelton.

Stil wagnerian i sulmit

Vala e parë e sulmit më 24 mars pati 400 fluturime, përfshirë 120 misione goditëse kundër 40 caqeve, të tilla si pesë aeroporte, pesë garnizione ushtarake, qendra komunike si dhe depo furnizimi.

Vala tjetër në natën e dytë ishte, sipas vetë zyrtarëve të NATO-s, “ndjeshëm më e rëndë” ku perimetri i shënjestrave u zgjerua te kazermat e ushtrisë jugosllave në Ferizaj dhe Prizren; aeroportët ushtarakë në Nish dhe Golubovc afër Podgorice, si dhe hapësira të tjera të ushtrisë serbe afër Tërstenikut dhe Danilovgradit.

Atë natë më kot ushtria jugosllave i bëri ca shkrepje nga SAM-sat e saj, por asnjëri prej tyre nuk goditi ndonjë cak.

Në të vërtetë, ushtria jugosllave, që rrihte gjoks se ishte në mesin e pesëshes së ushtrive më të forta evropiane, mbrojtjen e saj ajrore e kishte me bateri tokë-ajër (SAM) të pajisura me mijëra SAM-sa të periudhës sovjetike.

Këto sisteme të drejtuara me radarë ishin të plotësuara më qindra mjete të lëvizshme e 1850 copëza artilerike.

Forca ajrore jugosllave përbëhej nga 238 avionë luftarakë, përfshirë 15 MiG-29 dhe 64 MiG-21.

Meqë e kishin parashikuar një sulm ajror, specialistë jugosllavë të mbrojtjes ajrore ishin takuar vitin paraprak me kolegë irakianë në Bagdad.

Duke përfituar nga bashkëpunimi Jugosllavi-Irak, regjimi i Sadamit i kishte përcjellë Beogradit të dhëna inteligjence për sa i përket taktikave të mbrojtjes.


130 sulme në ditë

Teksa fushata po hovizohej nga dita në ditë, NATO asokohe njoftoi se në 34 ditët e para mesatarja e fluturimeve ishte 340 në ditë, dhe afër 130 sulme në ditë.

E cilësuar si fushatë e suksesshme që i realizoi objektivat e saj deri në fund, ndërmarrja e përbashkët perëndimore ia doli ta zbythte me sukses ushtrinë serbo-jugosllave nga Kosova.

Qysh në atë kohë, NATO pohoi se kishte shkatërruar mbi 80 për qind të avionëve luftarakë dhe raketave strategjike tokë-ajër.

Ajo e katandisi rëndë ushtrinë serbe duke ia shkatërruar 50 për qind të artilerisë dhe më tepër se një të tretën e mjeteve të saj të motorizuara.

Sipas hetimeve përfundimtare të ekipeve të NATO-s dhe ShBA-ve, sulmet ajrore shkatërruan drejtpërdrejt 93 tankse e dëmtuan 100 të tjera.

Këtyre u shtohet shkatërrimi i infrastrukturës së Jugosllavisë, duke ia sakatosur kapacitetet për prodhim municionesh si dhe duke ia asgjësuar kapacitetet e naftës.

Shkatërrimi i kapaciteteve ushtarake jugosllave shkoi dorëpërdore edhe me dëmtimin apo shkatërrimin e 24 urave, 12 stacioneve hekurudhore, 34 fabrikave, shtatë aeroporteve, 16 stacioneve e depove, 17 transmetuesve televizivë dhe dhjetra njësive elektrike.

Lajme të ngjashme