Thasë me qymyr te dera e Qeverisë – AAK me aksion simbolik: “Nga terri energjetik në terr politik” - NACIONALE

Thasë me qymyr te dera e Qeverisë – AAK me aksion simbolik: “Nga terri energjetik në terr politik”

4 orë më parë

nga NACIONALE

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka zhvilluar aksion para ndërtesës së Qeverisë, ku deputeti Burim Ramadani, i shoqëruar nga anëtarë të partisë, ka lënë disa thasë me qymyr te hyrja e Qeverisë së Kosovës.

Përmes këtij aktiviteti, Ramadani kritikoi ashpër qeverisjen aktuale, duke vlerësuar se vendi po kalon nga një krizë e thellë energjetike drejt një krize të re politike.

“Duam ta dërgojmë mesazhin se me Kurtin dhe Vetëvendosjen gjatë këtyre 6-7 viteve të fundit, Kosova nga një terr energjetik që e kanë mbajtur, po kalon në terr politik”, deklaroi Ramadani gjatë aksionit.

Ai shtoi se Kosova vazhdon të dështojë në shfrytëzimin e rezervave të saj natyrore për prodhimin vendor të energjisë, duke përmendur edhe propozimin programor të partisë së tij për ndërtimin e kapaciteteve të reja.

“Ajo që e kemi tepër të qartë është se mesazhi dhe simbolika e qymyrit të Kosovës është se Kosova edhe më tutje po fle mbi qymyr, por rryma nuk prodhohet këtu dhe një prej pikave kryesore të ofertës gjashtë pikëshe të Aleancës lidhet me termocentralin e ri të Kosovës që duhet të bëhet”, tha deputeti i AAK-së, raporton KosovaPress.

Më tej, Ramadani ngriti akuza për dëmtim të buxhetit publik përmes importit të energjisë elektrike nga jashtë, duke përfituar qarqe të caktuara të dyshimta.

“Është e qartë që gjatë këtyre viteve, rreth 1 miliard euro janë blerë rrymë në Serbi e në vende të tjera, e prej kësaj ka fituar vetëm mafia energjetike”, u shpreh ai.

Deputeti shprehu shqetësimin për sigurinë dhe jetën e punëtorëve në sektorin e nxjerrjes së qymyrit, duke dënuar mungesën e llogaridhënies institucionale.

“Në kohët e fundit po shohim se punëtorët të cilët e humbin jetën duke e nxjerr këtë qymyr për popullin e Kosovës, nuk ka përgjegjësi as politike as menaxheriale”, përfundoi Ramadani.

Së fundmi, një seri aksidentesh me fatalitet në KEK ka ngritur alarmin mbi sigurinë e punëtorëve. Rasti më i rëndë ndodhi më 20 gusht, ku 32-vjeçari Arbenit Ahmeti vdiq tragjikisht nga kontakti me tensionin 6 kV teksa po barte kabllot elektrike.

Humbja e jetës së Ahmetit shënoi fatalitetin e tretë brenda pak javësh në KEK. Vetëm pak ditë më parë, më 16 gusht, humbi jetën Haxhi Gojnovci (59 vjeç), teknik i xehtarisë me një përvojë katërdekadëshe në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, pas lëndimeve të rënda të pësuara në zonën e ekskavatorit. Ndërkohë, në korrik kishte humbur jetën edhe xehetari Milazim Binaku.

Sindikata e Re e KEK-ut ka reaguar me tone të ashpra, duke kërkuar dorëheqje morale dhe duke denoncuar mungesën kronike të pajisjeve mbrojtëse, vjetërsinë e makinerive dhe kushtet e rënda në të cilat minatorët operojnë çdo ditë.

Duke iu referuar pikërisht këtyre ngjarjeve tragjike, Ramadani përmbylli aksionin duke drejtuar gishtin kah drejtuesit e institucioneve:

“Në kohët e fundit po shohim se punëtorët të cilët e humbin jetën duke e nxjerr këtë qymyr për popullin e Kosovës, nuk ka përgjegjësi as politike as menaxheriale”, theksoi ai.

Lajme të ngjashme