Tetë ditë pasi Supremja e shfuqizoi aktin e deputetit Murati, ATK-ja asnjë njoftim
Gjykata Supreme i vuri tash e tetë ditë vulën e paligjshmërisë dhe antikushtetueshmërisë ndaj deputetit Albin Kurti dhe dhjetë deputetëve të tjerë “ministra”, të cilët vijojnë të mbajnë njëkohësisht dy poste, në kundërshtim me ligjin. Supremja aprovoi në tërësi padinë e Enternet Sh.p.k. dhe Konsorciumit Service Global, duke shpallur të paligjshëm dhe duke shfuqizuar Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. Por, edhe tetë ditë pas këtij Aktgjykimi, ATK-ja, në kuadër të së cilës përshkruhet përgjegjësia e atij akti nënligjor tashmë me Aktgjykim Gjykate të pavlefshëm, nuk ka shpërndarë asnjë informacion për këtë situatë të re.
Në faqën e tyre zyrtare, ekziston ende vetëm postimi i datës 14 korrik, Administrata Tatimore e Kosovës njoftonte “të gjithë tatimpaguesit se, duke filluar nga data 21.07.2025, fiskalizimi i bllokave tatimorë do të realizohet vetëm në mënyrë elektronike sipas Udhëzuesit Nr. 01/2025 për Procedurat dhe Formën e Fiskalizimit të Bllokave Tatimorë, të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së.”

Ndonëse në Aktgjykimin e Gjykatës Supreme shkruan se ky aktgjykim, pra që rrëzon udhëzuesin e ri, bie poshtë, shfuqizohet, ATK-ja nuk e ka njoftuar fare një gjë të tillë për bizneset e as qytetarët. Ndërsa në Gazetën Zyrtare është publikuar.
Aktgjykimi i Supremes
Gjykata rrëzoi aktin që, sipas gjykatës, është nxjerrë me tejkalim të kompetencave dhe në shkelje të rregullave kushtetuese dhe ligjore.
“APROVOHET e themeltë kërkesëpadia e paditësve: Enternet Shpk [...] dhe Konsorciumi Service Global, [...], e paraqitur kundër të paditurës: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), me seli në Prishtinë. II.
SHPALLET I PALIGJSHËM DHE SHFUQIZOHET Udhëzimi Administrativ (MFPT) nr.01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë, i publikuar në Gazetën Zyrtare më datë 16.04.2025.”
Shkeljet kryesore të konstatuara nga Gjykata:
• Përfundimi i mandatit të ministrit
Sipas nenit 28 dhe 29 të Ligjit nr. 08/L-117 për Qeverinë, mandati i anëtarit të Qeverisë përfundon automatikisht me zgjedhjen e tij si deputet. Hekuran Murati u certifikua deputet më 27 mars 2025, ndërsa Udhëzimi u nënshkrua pas certifikimit si deputet.
• Konflikti i interesit dhe papajtueshmëria funksionale
Kushtetuta (neni 71) ndalon ushtrimin e njëkohshëm të funksioneve ekzekutive e ligjislative. Ministri, tashmë deputet, nuk ka pasur mandat ligjor të ushtrojë kompetencat e ministrit.
• Miratim i jashtë-procedurës nga Qeveria në dorëheqje
Neni 31 i Ligjit për Qeverinë kufizon Qeverinë në dorëheqje vetëm në aktivitetet e domosdoshme e të planifikuara; nxjerrja e një udhëzimi të ri fiskal kategorikisht tejkalon këto kompetenca.
• Mospërputhje me procedurën e shqyrtimit dhe miratimit
Neni 11 i Ligjit për Qeverinë përcakton se projekt-aktet nënligjore miratohen paraprakisht nga Qeveria si kolegjium i plotë. Në këtë rast nuk ka asnjë vendim qeveritar që të mbështesë Udhëzimin nr. 01/2025.
Me këto gjetje, Gjykata ka konstatuar se Udhëzimi Administrativ nr. 01/2025 është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat kushtetuese të ndarjes së pushteteve, me ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative dhe me legjislacionin mbi organizimin e Qeverisë.
Për rrjedhojë, ai u shpall i paligjshëm dhe u shfuqizua në tërësi, duke i rikthyer të drejtën legjitime tatimpaguesve ekzistues për të vazhduar operimin me arkat dhe softuerët e fiskalizimit përmes modaliteteve të mëparshme.