Tërmeti ia shton problemet Erdoganit, kur zgjedhjet po afrohen
Presidenti turk, Rexhep Erdogan, erdhi në pushtet para 20 vjetëve përmes udhëheqjes së zemërimit të publikut për reagimin e qeverisë së kaluar ndaj një tërmeti vdekjeprurës.
Tani, tre muaj para zgjedhjeve, e ardhmja politike e Erdoganit mund të varet nga ajo se si publiku e sheh reagimin e qeverisë së tij ndaj një fatkeqësie të ngjashme natyrore, raporton agjencia “Associated Press”.
“Do të jetë një sfidë e madhe për Erdoganin, i cili ka bërë emër për veten si figurë autokratike, por efikase, që e kryen punën”- tha Soner Cagaptay, ekspert turk në Institutin e Uashingtonit dhe autor i disa librave për presidentin turk.
Pasojat e një tërmeti të fuqishëm nuk janë paralelja e vetme me zgjedhjet e vitit 2002. Në atë kohë, Turqia ishte edhe në mesin e një krize financiare që po e ndëshkonte ekonominë e vendit.
Sot, ekonomia e Turqisë po goditet nga inflacioni shumë i lartë, ndërsa Erdogani është ballafaquar me kritika të gjera për trajtimin e këtij problemi, i cili ka lënë miliona njerëz të shtresës së ulët dhe asaj të mesme në vështirësi për ta kaluar muajin.
Rivalët politikë të Erdoganit tashmë kanë filluar që ta kritikojnë reagimin e qeverisë së tij ndaj tërmetit, duke thënë se gjatë dy dekadave, ai ka dështuar që ta përgatitë vendin për të pashmangshmen. Ekspertët e përmendin zbatimin e dobët të kodeve për ndërtim si arsye të rëndësishme se pse tërmeti i kësaj jave qe kaq vdekjeprurës. Megjithatë, kur kanë mbetur më pak se 100 ditë deri në zgjedhje, rivalët e presidentit ende nuk kanë caktuar një kandidat për ta sfiduar atë.
Kujtimi për atë se si ish-kryeministri tashmë i ndjerë, Bulent Ecevit, ishte rrëzuar nga menaxhimi i dobët i fatkeqësive financiare e natyrore para dy dekadave, duhet të jetë në mendjen e Erdoganit, kur ai po mundohet që t’i kufizojë problemet e dyfishta me të cilat ballafaqohet sot, thonë analistët.
Tërmeti me fuqi prej 7,8 shkallësh, që ndodhi më 6 shkurt, u pasua nga një tjetër tërmet i fuqishëm nëntë orë më pas, duke shkaktuar mbi 24 mijë viktima në Turqi e Siri.
Shkatërrimi shtrihet në një pjesë të madhe të territorit të Turqisë, duke prekur dhjetë provinca në juglindje të vendit dhe e ka dëmtuar aftësinë e ekipeve vendëse e të huaja për t’i kryer shpejt përpjekjet për shpëtim. Në ditët e para pas tërmetit, në televizionet turke dhe në rrjete sociale u shfaqën njerëz duke pritur pranë rrënojave në mot të ftohtë ose duke i përdorur duart për të larguar copëza të rrënojave.
“Ende duhet ta shohim rezultatin e përpjekjeve për lehtësim, nëse do të vazhdojnë temperaturat nën zero, nëse do të rritet numri i viktimave, nëse ndihma ndërkombëtare, që po rrjedh, do të mund të bëjë një dallim”- tha Cagaptay.
Erdogani, i cili e vizitoi rajonin këtë javë, i kritikoi të metat e reagimit të autoriteteve në fazën fillestare, por këmbënguli se tani gjithçka është nën kontroll.
“Nëse reagimi ndaj fatkeqësisë është i fuqishëm, administrata në pushtet do të shpërblehet, me gjasë në sondazhe – nëse reagimi është i dobët, e kundërta”- tha Timothy Ash, analist në kompaninë “BlueBay”.
Eceviti e kishte fajësuar madhësinë e shkatërrimit për reagimin e dobët pas tërmetit të vitit 1999, që kishte shkaktuar rreth 18 mijë viktima. Në mënyrë të ngjashme, Erdogani tha se reagimi ndaj tërmetit të kësaj jave – të cilin e përshkroi si “më të fuqishmin në historinë e kësaj gjeografie” – është dëmtuar nga moti dimëror dhe nga shkatërrimi i një aeroporti kyç, duke e bërë të vështirë arritjen te personat e ngujuar nën rrënoja.
“Nuk është e mundshme që të jesh i përgatitur për një fatkeqësi të tillë”- tha presidenti turk, duke premtuar: “Ne nuk do ta lëmë asnjërin nga qytetarët tanë pa përkujdesje.”
Përderisa reagimi i autoriteteve ndaj tërmetit të fuqishëm nuk ka qenë i mrekullueshëm deri më tani për reputacionin e Erdoganit, analistët thonë se ai ka kohë për t’i ndryshuar gjërat para zgjedhjeve të 14 majit.
