Tentativë për kapje apo mungesë e kuadrove? Pozitat e larta drejtuese të shtetit, me ushtrues detyre
Sekretarët nëpër ministri e Zyrë të Kryeministrit janë pozitat më të larta drejtuese të nivelit civil. Megjithatë, kjo duket se nuk po i bën përshtypje Qeverisë, pasi numri më i madh i këtyre pozitave janë me ushtrues detyre. Madje, në disa raste, për vite të tëra.
Prej 15 ministrive, 12 prej tyre janë pa sekretarë. Përpos tyre, edhe Zyra e Kryeministrit. Si rezultat, pozitat më të larta drejtuese nëpër institucione udhëhiqen nga ushtruesit e detyrës ose zëvendëssekretarët - në disa raste për periudha tejet të gjata kohore. Kjo po ndodh, sepse në disa raste, konkurset e ministrive janë anuluar deri në tri herë. Kjo i ka shtuar dyshimet se pushteti po synon që t’i kapë këto pozita.
Po të klikosh nëpër uebfaqet zyrtare të ministrive, sekretarë me mandat të përzgjedhur ka vetëm në tri ministri: në Ministrinë e Shëndetësisë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme si dhe në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, raporton gazeta Nacionale.
Të gjitha ministritë e tjera dhe Zyra e Kryeministrit janë pa sekretarë. Ato ushtrohen me ushtrues detyre ose nga zëvendëssekretarët. Madje ka disa raste ku pozita mbahet me ushtrues detyre për një vit, si në rastin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Përveç Zyrës së Kryeministrit, ministritë të cilat po funksionojnë pa sekretar, janë: Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria për Komunitete dhe Kthim, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Mbrojtjes.
Në konkursin e Zyrës së Kryeministrit, edhe pse është finalizuar konkursi për sekretarë, në Qeveri ende nuk është votuar për personin që do ta marrë këtë pozitë. Në Ministrinë e Financave, pozitën e sekretarit e ushtron zëvendëssekretari Enis Spahiu. Situatë e ngjashme është edhe në Ministrinë e Ekonomisë, ku këtë pozitë e ushtron zëvendëssekretarja Leonita Shabani-Mullarama.
Në Ministrinë e Infrastrukturës, që nga maji i vitit 2022, pozitën e sekretarit e ushtron gjithashtu një zëvendëssekretar, Servet Spahiu. Në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, që nga viti 2020, pozitën e sekretarit e ka ushtruesi i detyrës, Besim Kamberaj. Edhe në Ministrinë e Administrimit e Pushtetit Lokal, pozitën e sekretares e ka ushtruesja e detyrës, Venera Çerkini.
Madje në disa raste, ministritë kanë dështuar deri në tri herë për të emëruar persona në pozitat më të larta të shërbimit civil. Ministria e Drejtësisë, ajo e Punëve të Jashtme, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Mbrojtjes tri herë me radhë kanë dështuar që t’i përzgjedhin sekretarët përmes konkurseve.
Sipas një hulumtimi të publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, përveç pushtetit, del se edhe një numër i madh i agjencive funksionojnë njësoj. Prej 40 agjencive të pavarura, në mbi 30 prej tyre, pozita e lartë drejtuese ushtrohet nga ushtruesi i detyrës ose nga zëvendësi.
Shoqëria civile dyshon për tentativë për kapje
Të gjitha këto procedura vëzhgohen edhe nga shoqëria civile. Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka kritikuar ministritë për dështimin që të emërohen personat me mandate nëpër këto funksione.
Naim Jakaj, hulumtues në IKD, ka thënë për gazetën Nacionale se në këtë mënyrë, shtohen dyshimet se qëllimi është që të kapen këto pozita.
“Përgjegjësinë për zgjedhjen e sekretarëve e bartin ministritë përkatëse, përderisa praktika e tillë e udhëheqjes së administratës shtetërore me Ushtrues Detyre përbën praktikë të keqe, paaftësi e pushtetit dhe fitohet perceptimi në publik se qëllimi është për t’i kapur këto pozita. Për më tepër, edhe në gjetjet vjetore paraprake të Zyrës Kombëtare të Auditimit është vlerësuar si praktikë që mund të ndikojë keq në punën dhe organizimin e institucioneve shtetërore”, ka thënë Jakaj për gazetën Nacionale.
“Hulumtimi i IKD-së tregon se nga 15 ministri, vetëm në tri ministri është e përfunduar pozita më e lartë drejtuese, ajo e Sekretarit të Përgjithshëm. 12 ministri të tjera, përfshirë edhe Zyrën e Kryeministrit, funksionojnë me ushtrues të detyrës. Por, kjo nuk është e tëra. Edhe agjencitë e tjera ekzekutive dhe rregullatore në kuadër të Qeverisë, vazhdojnë të jenë me ushtrues detyre. Disa nga ministritë rezulton të kenë dështuar të paktën dy herë për zgjedhjen e pozitës së Sekretarit të Përgjithshëm e në disa ministri nga tre herë. Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Arsimit, dhe Ministria e Mbrojtjes kanë dështuar deri në tre herë për përzgjedhjen e pozitës së Sekretarit të Përgjithshëm”, theksoi ai.
Sipas IKD-së, pozitat e sekretarëve janë po aq të rëndësishme sa të ministrave, sepse këta zyrtarë janë përgjegjës për zbatimin e planit të punës.
“Hulumtimi ynë ka nxjerrë arsyet pse ende këto pozita nuk janë të mbuluara. Në disa raste janë tejkaluar afatet për publikimin e rezultateve për verifikimin paraprak dhe vlerësimin profesional të kandidatëve për këto pozita, në disa raste tjera për shkak se kandidatët nuk kanë arritur minimumin e pikëve të kërkuara sipas konkursit apo në disa raste kur nuk ka pasur më shumë se dy kandidatë që i plotësojnë kriteret”, ka thënë Jakaj për Nacionalen.
“Konsideroj se administrata shtetërore përbëhet me numër të madh të zyrtarëve me përvojë dhe ekspertizë për të aplikuar në lidhje me këto pozita, por numri i vogël i aplikimeve lë të kuptojë se ky mos-interesim mund të jetë edhe si rezultat i përvojave të mëhershme ku politika nuk emëron gjithmonë më të mirin”, theksoi ai.
Ky fakt është kritikuar disa herë edhe nga partitë në opozitë.

