"Bageri" i Hysenit: LDK-ja akuzon Durmishin se i dha “tendere sekrete” kompanisë së shokut të tij - NACIONALE

"Bageri" i Hysenit: LDK-ja akuzon Durmishin se i dha “tendere sekrete” kompanisë së shokut të tij

1 muaj më parë

nga NACIONALE

E kaluara e Hysen Durmishit, zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës, dhe kompanisë së ndërtimit të rrugëve “Bageri” në disa raste është bërë temë publike. Durmishi publikisht e kishte pranuar se pronarin e kompanisë “Bageri” e ka shok dhe pikërisht në lidhje me këtë, sot Lidhja Demokratike e Kosovës e lëshoi një video. Çfarë tha LDK-ja?

Më saktë, Berat Rukiqi, zyrtar i Lartë i LDK-së, shkroi në lidhje me tenderat njëburimorë, një temë e aktualizuar nga partia e Lumir Abdixhikut. Sipas Rukiqit, Durmishi “e ka shpërblyer dostin e vet të ngushtë të kompanisë ‘Bageri’ me tre tendera sekret”.

Tutje, Rukiqi ka kërkuar që “favorizimet duhet të ndalen”.

“Tenderat sekret janë bash tendera për dosta.

Tenderat sekret, janë bash për dosta

Zëvendësministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi, e ka shpërbly dostin e vet të ngushtë të kompanisë ‘Bageri’, me 3 tendera sekret, pa përfshirë këtu edhe aneks kontratat.

Durmishi e ka pranu publikisht që e ka dost Shabanin e ‘Bagerit’, por kjo nuk i ka pengu me vazhdu me i bë favore në tendera.

Favorizimet duhet me u ndalë!

Lidhja Demokratike po i bën hapat e tutjshëm me komision hetimor rreth tenderave sekret!” – shkroi Rukiqi sot gjatë ditës në profilin e tij në Facebook.

Sjellim ndër mend që kjo nuk është hera e parë që marrëdhënia e Durmisht me këtë kompani është kritikuar. Muaj më parë, Durmishi e kishte pranuar se e ka shok Bujar Shabanin, pronar i kompanisë “Bageri”.

Megjithatë, Durmishi kishte theksuar se asnjëherë nuk ka punuar në kompaninë e tij.

“Unë Bujar Shabanin e njoh që nga viti 2001, e kam shok dhe ka pasur ndonjë periudhë kur unë nuk kam punu, nuk kam pasur ndonjë angazhim, pasi që kam dalë prej Komunës së Prishtinës, ku i kam ndihmu më shumë në kuptimin e organizimit kështu si shok por asnjëherë nuk kam punu në kompaninë e tij. Thjesht e kam këshillu prej përvojës që unë e kam në menaxhim. Herë pas here kemi dalë me pi kafe dhe kemi diskutu si shokë” – ka thënë Durmishi.

Në arsyetimin e tij, Durmishi kishte sqaruar se i njeh edhe pronarët e kompanive të tjera.

“Unë edhe në kompanitë tjera kam shokë, mirëpo nuk i përzij me shoqërinë me punën që e bëj në ministri. Jemi duke folë për e-prokurim ku të gjitha kompanitë i kanë kriteret publike… dhe kur ka ardhë puna e vlerësimit nuk ia kanë dhënë më të lirit, as të dytit, as të tretit, as të katërtit, por kanë shkuar tek i shtati e i teti dhe e kanë dëmtu buxhetin e Kosovës.” – tha Durmishi.

Ndryshe, LDK-ja ka një kohë që po vazhdon të alarmojë në lidhje me kontratat njëburimore të nënshkruara nga ana e Qeverisë Kurti. Në interpretimin e LDK-së, kontratat që kapin shifrën e mbi 200 milionë eurove, janë të dyshimta dhe korruptive.

Lajme të ngjashme