“E kam shok; pse a s’guxoj me apliku?”: Arsyetimet banale të Dalipit për tenderin në AKP dhe Durmishit për Bagerin - NACIONALE

“E kam shok; pse a s’guxoj me apliku?”: Arsyetimet banale të Dalipit për tenderin në AKP dhe Durmishit për Bagerin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mbrëmë në Ditarin e Buzhalës, u publikua tenderi i fituar nga Management and Devlopment Associates (MDA), që është në pronësi të vëllait të Luan Dalipit, shef i Kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, e që kishte vlerën e 67 mijë eurove. Por ky nuk është i vetmi tender i dyshimtë që pushteti i VV-së e ka dhënë në këto 2 vite e gjysmë qeverisje. Edhe më banale janë arsyetimet që i dhanë për këta tenderë.

Dje Nacionale publikoi tenderin e MDA-së, kompani që dikur punonte si konsulent edhe Luan Dalipi, e që është në pronësi të vëllait të tij, Driton Dalipit. Në fakt, është goxha simptomatike mënyra se si vëllai i Luan Dalipit, dorës së djathtë të Kurtit, e arsyetoi këtë tender.

Së pari, ai nuk kishte asnjë dyshim se e meritoi këtë tender. Në një përgjigje krejt truiste, Driton Dalipi deklaroi se nuk e përzgjedh ai fituesin e tenderit por AKP-ja (uau…nuk e kemi ditur).

“Nëse e kshyrni aty, me sa e di unë, ai tender është fituar me çmimin më të ulët.” – tha ai fillimisht, teksa tregoi se po e inxhizonte bisedën me gazetaren!

“Unë nuk e bëj përzgjedhjen kush e fiton. Është grupi aty në AKP që e ka përzgjedh kush e fiton tenderin dhe ne kemi qenë me çmimin më të ulët e kemi fitu.” – tha ai.

E pas kësaj përgjigje, gazetarja e Nacionales e pyeti nëse mendon se ka konflikt interesi, pasi vëllai i tij është shef i kabinetit të kryeministrit Albin Kurti. Në vend se të përgjigje, ai ia shtroi një pyetje gazetares Demaku.

“A mendon se na që kompani, që ekzistojmë që 20 vjet në Kosovë dhe pagujmë taksa të rregullta, dhe punësojë mbi 20 persona, nuk guxojmë me apliku në asnjë tender publik a? Nuk guxojmë na a?” – pyeti ai.

“Neve na privohet e drejta me apliku dhe me mbijetu meqenëse një anëtar i familjes tem po punojka për Qeveri a?” – tha ai.

Por nuk është vetëm ky arsyetim kaq banal. Pritni pak! Ende nuk e keni lexuar deklaratën e Hysen Durmishit, zëvendësministër i Infrastrukturës, për tenderin 8,6 milionë euro për zgjerimin e magjistrales Prishtinë-Podujevë. Në emision “Kallxo Përnime”, Durmishi e kishte pranuar se e ka shok tash e dy dekada pronarin e kompanisë Bageri, kompanisë së të cilit Ministria e Infrastrukturës i dha tender me vlerë mbi 8 milionë euro.

“Unë Bujar Shabanin e njoh që nga viti 2001, e kam shok dhe ka pasur ndonjë periudhë kur unë nuk kam punu, nuk kam pasur ndonjë angazhim, pasi që kam dalë prej Komunës së Prishtinës, ku i kam ndihmu më shumë në kuptimin e organizimit kështu si shok por asnjëherë nuk kam punu në kompaninë e tij. Thjesht e kam këshillu prej përvojës që unë e kam në menaxhim. Herë pas here kemi dalë me pi kafe dhe kemi diskutu si shokë” – ka thënë Durmishi.

E në tentim për të arsyetuar tenderin, të cilin ai e nënshkroi, Durmishi tha se përveç pronarin e Bagerit, i njeh edhe pronarët e tjerë.

“Unë edhe në kompanitë tjera kam shokë, mirëpo nuk i përzij me shoqërinë me punën që e bëj në ministri. Jemi duke folë për e-prokurim ku të gjitha kompanitë i kanë kriteret publike… dhe kur ka ardhë puna e vlerësimit nuk ia kanë dhënë më të lirit, as të dytit, as të tretit, as të katërtit, por kanë shkuar tek i shtati e i teti dhe e kanë dëmtu buxhetin e Kosovës.” – tha Durmishi.

Ndryshe, kohë më parë, Nacionale ka raportuar edhe për një tender tjetër në Ministrinë e Infrastrukturës, të cilin e kishte fituar kompania që dikur e kishte drejtor Lulëzon Jagxhiu që tash është këshilltar i kryeministrit Albin Kurti.

Lajme të ngjashme