“Të shqyrtohet ekstradimi i tyre nga Serbia në Kosovë”, qysh u prit kërkesa e PE-së, për sulmin e Banjskës? - NACIONALE

“Të shqyrtohet ekstradimi i tyre nga Serbia në Kosovë”, qysh u prit kërkesa e PE-së, për sulmin e Banjskës?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një prej pikave të para të rezolutës e cila u miratua në Parlamentin Evropian, dënon fuqishëm sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku si pasojë, mbeti i vdekur zyrtari Afrim Bunjaku, tashmë hero i vendit.

“Dënon në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e tmerrshëm dhe frikacak terrorist ndaj policëve kosovarë nga një bandë e armatosur serbe e përfshirë në një operacion të madh të kontrabandës së armëve në Banjska/Banjskë në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur; u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të tillë që të dënojnë gjithashtu sulmin;” – thuhet në pikën e parë.

Serbisë, i kërkohet qartë që të bashkëpunojë në kryerjen e hetimeve për sulmin dhe t’i sjellë para drejtësisë terroristët që aktualoisht janë duke qëndruar në Serbi. Mes tjerash, kërkohet edhe shqyrtimi i ekstradimit të tyre në Kosovë.

“Pret që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me hetimet dhe t'i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin që aktualisht janë duke banuar në Serbi në përputhje me ligjin dhe të shqyrtojë ekstradimin e tyre në Kosovë;” – thuhet në rezolutën e eurodeputetëve.

“As që bëhet fjalë”

Goran Petronijeviq, avokat i Milan Radojiçiq, po pretendon se kërksesat për ekstradimin e kryesuesit të grupit terrorist, janë irracionale.

Duke folur për rezolutën e miratuar nga Parlamenti Evropian, ku përmendet edhe shqyrtimi i ekstradimit të terroristëve, Petronijeviq ka thënë se një çështje e tillë “as nuk bëhet fjalë”.

“Rezoluta duket e balancuar pas një kohe të gjatë…Megjithatë, disa prej kërksave të tyre janë jorealistike, duke përfshrië kërkesën për ekstradimin e Radojiçiq… – ka deklaruar ai për “Kosovo-Online”.

Ambasadori i Gjermanisë e mirëpret rezoluten

Ambasadrori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde, ka reaguar në lidhje me rezolutën e Parlamentit Evropian, që kërkoi nga Serbia bashkëpunim në hetimet për sulmin në Banjskë. Në rezolutë gjithashtu pra, thuhet se Serbia duhet ta shqyrtoj ekstradimin e personave të dyshuar për sulmin e 24 shtatorit.

Rohde ka shkruar se Serbia duhet të bashkëpunoj me Kosovën, në lidhje me hetimet që po zhvillohen këtu për sulmin terrorist.

Rezoluta e PE për situatën në Kosovë pas sulmit terrorist më 24.9. në Banjska. Siç tha kancelari Scholz, ne kërkojmë hetime intensive dhe kërkojmë nga Serbia të bashkëpunojë në hetimet e udhëhequra nga autoritetet e Kosovës. Ai gjithashtu nënvizoi nevojën urgjente që të dyja palët të zgjidhin konfliktin”, ka shkruar Rohde.

Nuk dihet nëse do të ketë efekt kjo kërkesë e Parlamentit Evropian, meqenëse institucionet e Serbisë vazhdimisht refuzojnë të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës, në lidhje me hetime të kësaj natyre.

Lajme të ngjashme