"Të mos krijojë një nivel të ri të pushtetit", Krasniqi ia bën të qartë Lajçakut qëndrimin e PDK-së rreth Asociacionit - NACIONALE

"Të mos krijojë një nivel të ri të pushtetit", Krasniqi ia bën të qartë Lajçakut qëndrimin e PDK-së rreth Asociacionit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një vizitë zyrtare në Bruksel, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zhvilluar një takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Pas diskutimeve rreth zhvillimeve politike në Kosovë dhe draft-statutit të propozuar për Asociacionin, Krasniqi ka rikonfirmuar qëndrimin e PDK-së. Çka i tha partia më e madhe opozitare emisarit të BE-së?

Në takimin me Lajçak, ku temë kryesore e diskutimit ishte draft-statuti i propozuar nga "pesëshja emadhe" evropiane, kreu i partisë opozitare ka theksuar se Asociacioni duhet të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, dhe të mos krijohet një nivel i ri i pushtetit apo një Asociacion me kompetenca ekzekutive.

"Edhe një herë, Emisarit Lajçak i ripërsërita qëndrimin tim dhe të PDK-së se statuti i Asociacionit duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, të mos krijojë një nivel të ri të pushtetit dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive." - ka thënë Krasniqi.

Krasniqi gjithashtu njoftoi se emisarit të BE-së i ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me sanksionet ndaj Kosovës të cilat i ka quajtur "të padrejta" dhe ka kërkuar nga BE-ja që t'i largojë ato "sa më parë".

"Në takim, Emisarit Lajçak, poashtu, i kërkova që të ndikojë që Bashkimi Evropian të heqë sa më parë sanksionet e padrejta ndaj Republikës së Kosovës!" - tha kreu i PDK-së.

Lajme të ngjashme