Të dashur kolegë në Shqipëri, nëse aq shumë ju pëlqen Kosova me Kurtin, bujrum - hajdeni jetoni këtu - NACIONALE

Të dashur kolegë në Shqipëri, nëse aq shumë ju pëlqen Kosova me Kurtin, bujrum - hajdeni jetoni këtu

6 muaj më parë

nga Berat Buzhala

Video/Editorial: Berat Buzhala

Nën sundimin autoritar të Albin Kurtit, Kosova ka shënuar rënie pothuajse në të gjitha indeksat e organizatave prestigjioze ndërkombëtare, përveç në Indeksin e Ditmirit dhe Andi Bushatit — njëri ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë, tjetri gazetar opozitar në Shqipëri.

Në fakt, kam lexuar edhe shkrime nga mendje të tjera “të ndritura” matanë kufirit për mrekullinë që, sipas tyre, po ndodh në Kosovë. Por unë, edhe për çështje mbiemri, i veçova këta dy.

Gjendja do të ishte edhe më e keqe — shumë më e keqe — sikur gjatë pesë viteve të fundit disa prej institucioneve të pavarura të mos i kishin rezistuar sulmeve të njëpasnjëshme që Kurti u ka bërë.

Por, fatkeqësisht, kolegët në Shqipëri kanë qenë të zënë duke luftuar narkoshtetin e Ramaduros dhe nuk i paskan dëgjuar këto zhvillime.

Kur kolegëve në Shqipëri ua kam rikujtuar gjuhën dhe veprimet e Kurtit kundër mediave, Gjykatës Kushtetuese dhe prokurorëve që po hetojnë ministrat e tij, ata — si përcjellës sezonalë të zhvillimeve në Kosovë — më kanë thënë: “Ja pra, ju keni institucione më të forta.”

E para, dhe më e rëndësishmja: për këto institucione të pavarura, pas rezultatit që morëm, do të ishte mirë të fillonim të flisnim në kohën e shkuar, sepse fati i tyre është si fati i brymës para diellit.

E dyta: pse këto institucione ishin kaq të forta dhe i rezistuan furisë së Kurtit, merita nuk është e tij, por e atyre që kanë qeverisur para tij — që i kanë themeluar dhe Kurti i ka gjetur të gatshme.

Kurti po bën gjithçka që t’i rrënojë këto institucione dhe kredibilitetin e tyre, përmes sulmeve të vazhdueshme.

Kurti ka ardhur në pushtet në vitin 2021, pasi një vendim i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2020 e rrëzoi qeverinë e Avdullah Hotit.

Pra, para se të vinte Kurti, ne kishim ndërtuar institucione që rrëzonin edhe vetë qeveritë që i kishin krijuar.

Tash, këtyre institucioneve po u vjen fundi, sepse po u skadon mandati gjyqtarëve dhe prokurorëve që i rezistuan Kurtit.

Bie fjala, pas disa muajsh Gjykata Kushtetuese mbetet pa kuorum, që do të thotë se Kurti do ta ketë luksin t’i kalojë ato ligje që nuk i ka kaluar deri më tash — e që nuk i kanë kaluar as në Venecia.

Rasti më ilustrativ është Komisioni i Pavarur i Mediave, i cili tash është plotësisht nën diktatin e Kurtit dhe të gjitha vendimet i ka politike.

Fakti që shikimi juaj është errësuar nga urrejtja ndaj Ramës dhe po kërkoni ta godisni Ramën duke e glorifikuar Kurtin, është problem i juaji personal.

Por mos e shisni këtë për moral, kinse Kosova po ecën përpara.

Se cili shtet ecën përpara e cili jo në rajonin tonë, e vlerësojnë në mënyrën më objektive raportet dhe organizatat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës — e kurrsesi statuset në rrjete sociale.

Të jetosh në Amerikë, në Tiranë apo në Berlin, me të gjitha të mirat e mundshme, dhe të fanepsesh nga “progresi i jashtëzakonshëm demokratik” që po bekka Kosova nën Kurtin, është tallje e madhe.

Është ofendim për kolegët tuaj që edhe më tutje të na vlerësoni kështu, ndërkohë që çdo ditë shpallemi nga goja e Kurtit dhe njerëzve të tij si bashkëpunëtorë të UDB-së.

Kosova, sa i përket lirisë së shprehjes, sipas Reporterëve pa Kufij, ka qenë në vendin e 56-të në botë; nën regjimin e Kurtit ka rënë në vendin e 99-të — pra plot 43 vende më poshtë.

Kosova sot është më keq se Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia dhe, besoni ose jo, edhe se Serbia.

A mos ndoshta edhe këto organizata janë korruptuar dhe nuk qenkan objektive me Kurtin?

Nën këtë regjim që aq shumë ju pëlqen, sulmet ndaj gazetarëve janë trefishuar. Në vitin 2019 raportoheshin 19 sulme; në tri vitet e fundit, mesatarisht rreth 65 në vit.

Këto sulme përfshijnë sulme fizike dhe kërcënime të përditshme nga mbështetësit e Kurtit, të cilat ai kurrë nuk i ka dënuar — përkundrazi, i ka ushqyer me narrativën se kritikët e tij janë bashkëpunëtorë të UDB-së.

Raporti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës — aleatin tonë jetik, pa ndihmën e të cilit as nuk mund të funksionojmë — është në pikën më të ulët të mundshme. Dialogu strategjik i Kosovës me SHBA-në është ndërprerë.

Sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian, Kosova është edhe pas Serbisë.

Për informim, kemi qenë nën sanksione për dy vjet; ato janë hequr vetëm pjesërisht, dhe vetëm pasi në zyra u rikthyen katër kryetarët serbë të komunave veriore.

Para se Kurti të vinte në pushtet, Kosova i kishte doganierët dhe policët në pikat kufitare me Serbinë në veri.

I kishte gjykatat në veri. Administratën tatimore në veri.

Ajo që ka ndryshuar sot është vetëm mundësia që edhe Grida Duma të shkojë të bëjë reportazh në shtëpinë e Milan Radojçiçit dhe të djemve që shkojnë e bëjnë plazh në Ujman.

Efektivisht, asgjë nuk ka ndryshuar.

Është e njëjta gjykatë, e njëjta polici, e njëjta infrastrukturë ligjore — dhe e njëjta marrëveshje e nënshkruar nga Kurti në Ohër, që pret të zbatohet dhe që do t’u japë serbëve “zajednicën” e shumëpërfolur.

Gjatë këtyre pesë muajve ka pasur show, ka pasur muskuj, ka pasur vulgaritet dhe, tek-tuk, ndonjë arrestim. Por esencialisht, asgjë nuk ka ndryshuar.

Komunat veriore qeverisen nga kryetarët e Listës Serbe, sepse ato komuna janë të banuara mbi 90 për qind nga qytetarë serbë.

Me praninë e shtuar të policisë, shqiptarët tash kanë marrë zemër dhe po dalin për kafe edhe përtej Ibrit — veç pse po munden.

Ndërkohë, Kosova nën Kurtin ka blerë rrymë në këto katër vite në vlerë rreth një miliard euro, ndërsa “bossi” i kësaj sipërmarrjeje kriminale është ambasadori i Kurtit në Kroaci, Martin Berishaj.

Kurti dhe njerëzit e tij kanë vazhduar bizneset e rrymës me famëkeqin Vuk Hamoviq, ndërsa fjalët e mëdha për ndalimin e mallrave serbe i ka marrë era. Mallrat serbe gjenden kudo, të papenguara.

Ministrat dhe njerëzit e Kurtit ose janë nën hetime, ose kanë aktakuza për korrupsion.

Ekonomia në këto katër vite po rritet nën mesataren e vendeve të Ballkanit.

Bilanci tregtar i Kosovës është shumë më i keq se ai i Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë: deficiti tregtar nga 3 miliardë ka shkuar në 7 miliardë euro.

Inflacioni gjatë kësaj vjeshte, krahasuar me vjeshtën e kaluar, ishte mbi 5 për qind — më i larti në rajon.

Bizneset kryesore të Kosovës gjatë këtij viti kanë investuar qindra miliona euro në Shqipëri.

Për shkak të klimës dhe mendësisë së Kurtit, askush nuk po sheh të ardhme këtu.

Asnjë investitor i huaj, përveç diasporës që ka blerë banesa në Prishtinë.

Çka jeni çmendur, kolegë të dashur?

Çka po ju pëlqen në demokracinë e Kosovës?

Demokracinë mos e matni me një softuer të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që arrin t’i procesojë të dhënat me shpejtësi rekord.

Edhe ai softuer është donacion nga koha kur Kurti nuk ishte në pushtet.

Kurti, bashkë me Vjosa Osmanin, nuk lanë gjë pa bërë që zgjedhjet të mbaheshin mu në mes të dy festave — Krishtlindjes dhe Vitit të Ri — kur Kosova vërshohet nga gjysmë milioni mërgimtarë.

Ashtu siç diaspora turke e voton Erdoganin, ashtu diaspora jonë e voton Kurtin.

Diasporat, parimisht, janë të etura për “trimosha” si Kurti, që bie dhe zgjohet në luftë me Serbinë.

Zgjedhjet e fundit, me këtë rezultat të madh, Kurti i fitoi përmes një inxhinieringu të pastër elektoral.

Sipas shënimeve të vëzhguesve të pavarur, rreth 20 për qind e trupit elektoral përbëhej nga njerëz që nuk jetojnë në Kosovë — dhe ata e votojnë Kurtin rreth 70 për qind.

Prej pesë vitesh Kurti i ka kundërshtarë politikë disa figura të reja dhe jashtëzakonisht të dobëta.

Sigurisht që do të luftojmë, do të rezistojmë dhe disi do t’ia dalim.

Por nëse aq shumë ju pëlqen Kosova — hajde, byjrum. 250 kilometra nga Tirana.

Do të jetoni në shtetin dhe shoqërinë e ëndrrave tuaja.

Lajme të ngjashme