Konjufca e quan "pseudogazetar" militantin e VV-së që ia përmendi termin "frizerkë", mundohet t'ia hedhë fajin atij - NACIONALE

Konjufca e quan "pseudogazetar" militantin e VV-së që ia përmendi termin "frizerkë", mundohet t'ia hedhë fajin atij

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Përditësim: Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca ka reaguar pas publikimit të një video, ku ai dëgjohej duke ofenduar ish-presidenten Vjosa Osmani me një term të përdorur ndaj saj kryesisht nga militantë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një shkrim në Facebook, Konjufca ka thënë se pati vërejtje që një term i tillë të mos përdoret në mënyrë përçmuese, anise në video shihej e dëgjohej duke qeshur me të madhe.

Mes tjerash, militantin e Lëvizjes Vetëvendosje që ia bëri pyetjen, Valton Hasani, ai e ka cilësuar si “pseudogazetar”. I njëjti, i cili ndodhej në tavolinë me Konjufcën, ishte arrestuar për kërcënim ndaj gazetarit Adriatik Kelmendi.

Një deklaratë e ministrit të Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, ndaj ish-presidentes Vjosa Osmani ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik.

Konjufca, gjatë një tubimi të mbajtur para fushatës, ku shiheshin edhe disa persona të tjerë, ka përdorur nofkën “frizerkë” ndaj Osmanit, të cilën, ia kanë vendosur militantë të kësaj partie.

Konjufca, i cili ishte edhe kandidat për president të Kosovës, është tallur dhe ka shkaktuar të qeshura duke thënë: “…qyre kur jena te frizerkat (lejon hapësirë që të gjithë të qeshin), kur jena te frizerkat, tash…”.

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputete, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se Glauk Konjufca, me ofendimet ndaj Vjosa Osmanit, ka rënë në grackën e agjendës propagandistike.

Ajo ka theksuar se askush nga kjo parti nuk ka reaguar ende kundër kësaj deklarate.

“Më vjen keq që ka rënë në këtë grackë të agjendës propagandistike të LVV, pra më e dhimbshme që aty kishte gra të tjera që buzëqeshnin bashkë me të. Është gjuhë seksiste, dhe më vjen keq që një nga përfaqësuesit kryesorë të një partie politike që ia kanë mveshur vetes se janë mbrojtës të të drejtave të grave”, ka thënë ajo.

Një reagim në rrjete sociale e ka bërë edhe Fahrije Hoti, e cila është shprehur:

“Sot sulmohen ‘frizerkat’, nesër çdo grua që guxon të punojë, të ndërtojë dhe të ecë përpara.
Kosova nuk ecën përpara duke nënçmuar gratë!”

Vlora Çitaku nga PDK-ja ka thënë se ajo njeh shumë frizerë dhe frizere që punësojnë dhjetëra gra e burra, mbajnë familje dhe kontribuojnë në ekonomi përmes pagesës së taksave.

Sipas saj, problemi nuk qëndron te profesioni, por te mënyra se si ai përdoret si mjet për nënçmim ndaj një gruaje tjetër.

Ajo e ka cilësuar të papranueshme këtë qasje, duke theksuar se çdo punë e ndershme meriton respekt dhe vlerësim.

“E kur përdoret nga një politikan si mjet për ta sulmuar e nënçmuar një grua tjetër, atëherë bëhet edhe më e turpshme.
Nuk ka punë të turpshme.
Turp është arroganca dhe përçmimi ndaj njerëzve që punojnë ndershëm”,
ka thënë ajo.

Sidoqoftë, nga Lëvizja Vetëvendosje këtë deklaratë e kanë cilësuar si “hajgare”. Kandidati për deputet në listën e kësaj partie, Nezir Kraki, ka thënë se “nuk beson që Konjufca ka dashur ta sulmojë Osmanin”.

“Atë që e tha nuk e di kontekstin, por dikush e ka përmendur prej publikut termin frizerkë, Glauku ka reaguar si humor. Nuk besoj që Glauku e ka paramenduar si sulm këtë replikë. Ishte komplet si një lloj hajgare”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme