Taktika “sallami” e Serbisë vs. Arritja “më e madhe” e Kosovës në politikën e jashtme: Një vit nga Marrëveshja e Ohrit - NACIONALE

Taktika “sallami” e Serbisë vs. Arritja “më e madhe” e Kosovës në politikën e jashtme: Një vit nga Marrëveshja e Ohrit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

“Taktika e vjetër ‘salami’ e Serbisë: Çfarë na jepni ju për njohjen që ne s’do t’ua japim kurrë, nuk do të funksionojë...s’japim gjë as për njohje ani pse do të ishte mirë të na njihnin, por ama edhe ashtu pa njohje kemi jetuar qe 13 vite dhe edhe ashtu vazhdojmë...Kosova është e pavarur...e unë s’e kam në plan të zhvendosë varësinë e kaluar të Kosovës nga Serbia në varësi të re të Kosovës nga Serbia për njohjen e pa-varësisë sonë”.

Kështu e kishte përmbledhur krejt “pozicionin” e tij në raport me bisedimet me Serbinë, me të ardhur në krye të shtetit për të dytën herë pas 14 shkurtit 2021, Albin Kurti; pra, jo ai rigjidi opozitar që profesonte idealitete, por ai i veshur me pushtetin më të madh elektoral që kishte korrur ndokush ndoherë në Kosovën e pasluftës.

Deklarimi i mësipërm është i korrikut të 2021’ës dhënë për “European Western Balkans”; ndërsa mu diku pas një viti – nga shtatori 2022 – Kurtit do t’i vinte në tavolinë ajo që asokohe u pat pagëzuar si “Plani Franko-Gjerman”; marrëveshje të cilën ai e përqafoi menjëherë dhe e pranoi me të nisur 2023’a.

Një vit distancë – prej “nuk japim gjë as për njohje” në një marrëveshje të modeluar në bazë të Traktatit Bazë të Dy-Gjermanive pa njohje të ndërsjellë dhe të qendërzuar në autonomi politike-territoriale për serbët e Kosovës.

Metamorfoza ishte aq e madhe dhe kishte shndërruar transformimin më të madh politik të Albin Kurtit, personazh ky i ndërtuar në kundërshtimin më kokëfortë të cilësdo germë marrëveshjeje me Serbinë; prej Rambujesë, Vienës, Brukselit e Washington-it.

Marrëveshja Bazike, për më tepër, nisej nga zotimi i palëve “për të mos paragjykuar çështjen e Statusit” të Kosovës gjë që kishte qenë e pamendueshme më parë, dhe kishte tejkaluar edhe atë të fusnotës e cila së paku i referohej Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth legalitetit ndërkombëtar të Pavarësisë së Kosovës.

Për më tepër qendërzohej në Nenin 7 e cila u jepte “një nivel adekuat vetëmenaxhimi” komunitetit serb të Kosovës e cila bazohej në Kartën Evropiane për Vetëqeversje Lokale e cila ndryshe njihet si Karta Evropiane për Autonomitë vendore.

Kurti këtë marrëvershje në një mbledhje të partisë së tij e kishte quajtur “arritja më e madhe e Kosovës në politikën e jashtme” për çka brohoritej në masë nga mbështetësit e tij.

Sot 1 vjet në Ohër ishte arritur Aneksi i Zbatimit për çka Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte njoftuar se është arritur pajtim dhe se tekstet janë betonuar si obligime ndërkombëtare të palëve; dhe të cilat do të ingranohen si pjesë të pashkëputshme të secilit hap drejt integrimeve europiane të palëve.

Dhe për ta bërë shumë konkrete, do të nis punën menjëherë për të përfshirë zyrtarisht amendamentet përkatëse në Kapitullin 35 të Negociatave të Kornizës së Negociatave të Serbisë me BE-në dhe në agjendën e Grupit Special të Kosovës për Normalizim. Në këtë mënyrë, të dyja palët do të jenë të detyruara nga Marrëveshja e cila do të jetë pjesë e rrugës së tyre në Bashkimin Evropian”, shprehej Josep Borrell.

Ky i fundit, në dritën e njëvjetorit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit lëshoi një deklaratë në EEAS se marrëveshja mbetetet “tërësisht e detyrueshme nën ligjin ndërkombëtar” dhe se përbën boshtin e përparimit të Kosovës (dhe Serbisë) drejt unionit evropian.

Është për të ardhur keq që përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur përparim shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e obligimeve që kanë pranuar sipas kësaj Marrëveshjeje. BE rikujtoi vazhdimisht se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar. Prandaj, çdo mungesë zbatimi jo vetëm që rrezikon integrimin evropian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm dhe të besueshëm”, shkroi dje Josep Borrell.

Lajme të ngjashme