“Taksa 100% ndaj Serbisë, “gazi amerikan”: Haradinaj dhe VV-ja përplasen ashpër për energjinë - NACIONALE

“Taksa 100% ndaj Serbisë, “gazi amerikan”: Haradinaj dhe VV-ja përplasen ashpër për energjinë

3 ditë më parë

nga NACIONALE

Energjia është bërë sebep e një përplasje të re në mes të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Derisa ish-lideri i AAK-së ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për lënien e Kosovës në vartësi energjetike nga Serbia, zyrtarët e VV-së ia kanë rikujtuar Haradinajt të bëmat kur e ka drejtuar Qeverinë.

Duke kritikuar qëndrimin e Albin Kurtit kundër projektit të gazit amerikan, Haradinaj ka thënë se një veprim i tillë është në kundërshtim me interesat e Kosovës.

“Më 21 nëntor 2018, si Kryeministër i Qeverisë Haradinaj, vendosa taksën 100% ndaj mallrave të Serbisë. Më 1 prill 2020, Albin Kurti e hoqi taksën dhe e hapi tregun për mallrat serbe. Më 20 dhjetor 2017, nënshkrova projektin me ContourGlobal për ta bërë Kosovën të pavarur energjetikisht nga Serbia. Në vitin 2020, Albin Kurti e anuloi këtë projekt, duke i hapur derën importit të rrymës nga mafia energjetike e kontrolluar nga Serbia. Në vitet 2021–2022, Kurti refuzoi edhe projektin amerikan të gazit”, ka shkruar Haradinaj, duke ngritur pikëpyetje se kush është Kurti.

“Më 14 qershor 2026, mediat raportojnë për dhjetëra kamionë me mallra nga Serbia që presin të hyjnë në Kosovë. Ndërkohë, vetëm gjatë vitit të kaluar, Kosova importoi energji elektrike në vlerë prej rreth 259 milionë euro. Tash, kur është riaktualizuar çështja e gazit, njerëzit e tij po përgatiten për protesta kundër gazit amerikan. Kush është ky njeri? A është me të vërtetë kundër gazit apo kundër Amerikës? Tregun e mallrave ia dha Serbisë, ndërsa tregun energjetik po ia garanton”, ka shkruar ai.

Ndaj këtyre pretendimeve ka reaguar ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Të dielën në mbrëmje ajo ka mohuar pretendimet e e Haradinajt, duke i quajtur ato të pavërteta.

“Shfuqizimi i reciprocitetit, dhe rrjedhimisht hapja e tregut për mallra serbe pa asnjë kusht ishte vendimi i parë i Qeverisë anti-kushtetuese të udhëhequr nga Avduallah Hoti, më 6 qershor 2020. Është për t’u habitur që z. Haradinaj i ka përzier gjërat, duke qenë se partia tij, AAK-ja ishte pjesë e këtij koalicioni qeverisës bashkë me NISMA-n e Listën Serbe, por nuk mbaj mend të ketë reaguar në atë kohë”, ka shkruar Raizvanolli në profilin e saj në Facebook.

Më tej, ajo ka vazhduar kritikat ndaj Haradinaj.

“E sot edhe mund të ketë kamionë që presin në kufirin Serbi-Kosovë, por kjo më shumë se çfarëdo tjetër vë në pah një dallim esencial mes kohës së qeversjes Kurti e kohës kur qeveriste z. Haradinaj e kryeministrat e kaluar, kur mallrat serbe kalonin nëpër dhjetëra rrugë ilegale që tash janë mbyllur. Dhe jo veç mallrat, por edhe dinarët, armët e kriminelët – duke përfshirë njërin në veçanti që z. Haradinaj e priste në Kryeministri”, ka shkuar tutje ajo.

Positmi i saj është shpërndarë nga shumë zyrtarë të lartë të VV-së.

Kjo ka bërë që sot sërish Haradinaj të drejtoi akuza ndaj Qeverisë Kurti.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se kur Kurti nuk ka rezultate flet për të kaluarën.

“Albin,Kur nuk ke rezultate, flet për të kaluarën. Kur nuk ke projekte, flet për projekte që nuk u realizuan. Kur nuk ke përgjigje për të tashmen, sulmon ata që kanë marrë vendime para teje. Por qytetarët e Kosovës nuk jetojnë në vitin 2018. Qytetarët jetojnë në vitin 2026. Dhe pas pesë-gjashtë viteve të qeverisjes sate, bilanci është i qartë. Kur e more pushtetin, premtove transformim energjetik, pavarësi energjetike nga importi, zhvillim ekonomik dhe investime strategjike”, ka shkruar Haradinaj.

Sot në këtë debat është kyçur edhe ish-deputetja, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.

“A ju kujtohet juve që Ramushi ka qenë shumë i brengosur kur Avdullah Hoti e pat hapë tregun e Kosovës për mallrat serbe, duke e shfuziqu vendimin për reciprocitetit ndaj Serbisë, të Qeverisë Kurti? As mu! A thua pse? Ndoshta sepse partia e tij ka qenë pjesë e Qeverisë antikushtetuese Hoti që e ka marrë këtë vendim, bashkë Nismën e Listën Serbe?”, ka shkruar ajo.

Haradinajt i kanë reaguar edhe zëvendësministri në detyrë i Financave, Avni Zogiani dhe zyrtarë tjerë të VV-së.

Lajme të ngjashme