Takimin e fundit Bislimi e quajti dështim të madh: Lajçak njofton se takimi i radhës mbahet në dhjetor - NACIONALE

Takimin e fundit Bislimi e quajti dështim të madh: Lajçak njofton se takimi i radhës mbahet në dhjetor

1 vit më parë

nga NACIONALE

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se në muajin dhjetor do të mbahet takimi i radhës në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel. Në takimin e fundit Kosova dhe Serbia nuk ishin pajtuar për ndonjë gjë. Kryenegociatori i Kosovës njëherësh zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, e pati quajtur “dështim të madh” takimin e mbajtur në muajin tetor.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka njoftuar se ka pasur disa takime të ndryshme teksa ka thënë se bashkë me ekpin e tij po përgatiten për takimin e radhës mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka njoftuar se në muajin dhjetor edhepse nuk ka dhënë ndonjë datë të saktë, do të ketë takim mes kryenegocitarëve të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

“Me bashkëbiseduesit e mi në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Quai d’Orsay dhe gjetkë, u angazhova në diskutime të rëndësishme mbi Dialogun dhe rrugën përpara. Këto biseda janë kritike në formësimin e punës që po bën ekipi im ndërsa përgatitemi për takimin e ardhshëm të Kryenegociatorëve në dhjetor. Pres me padurim periudhën e ardhshme” – ka shkruar ai në Facebook.

Takimi i fundit

Kosova dhe Serbia ishin takuar në tetor në kuadër të dialogut në Bruksel.

Kryenegociatori i Kosovës njëherësh zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, pas takimit me homologun e tij Petar Petkoviq në Bruksel ka thënë se takimi, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, Lajçak kishte përfunduar pa “asnjë rezultat në temat e rëndësishme”.

Bislimi kishte thënë se nuk ka pasur asnjë rezultat për ecjen përpara në normalizimin e raporteve.

“S’ka rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve. Serbia po insiston edhe më tutje në implementim të pjesshëm, sipas idesë ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka’”, pati thënë ai pas takimit.

I pyetur për Asociacionin, Bislimi pati thënë se duhet të plotësohen disa kushte. Sipas tij, nëse ka dakordim për ta zbatuar marrëveshjen e plotë, Kosova nuk i ik obligimeve të saj.

“Nuk mund të insistohet kur për këtë punë së pari duhet të zgjidhet udhëheqja e re e komunave e mendoj se duhet të plotësohen disa kushte tjera. Por, e kemi bërë të qartë se në atë moment kur ka dakordim për zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazë, Kosova nuk i ik asnjë prej obligimeve të saja. Kosova zotohet se e zbaton marrëveshjen në tërësi, siç e ka treguar gatishmërinë ta nënshkruajë në Ohër”, pati deklaruar Bislimi.

Ai gjithashtu e kishte quajtur si dështim takimin e fundit.

“Ne kemi pasur komentet tona në planin e sekuencimit, ku kemi treguar se me çfarë përmirësimesh ai plan do të jetë i pranueshëm për palën kosovare. Ndërsa Serbia nuk ka hyrë fare në diskutim. Serbia vetëm se kishte preferuar ecjen përpara në mënyrë parciale, ku palët zotohen vetëm për një element të marrëveshjes për ta zbatuar. Mendoj se është dështim bukur i madh i këtij raundi, pasi ishte tema kryesore e bisedimeve sot”, kishte thënë Bislimi.

Mbetet të shihet nëse do të ketë rezultate në takimin që është paralajmëruar të mbahet në muajin dhjetor.

Lajme të ngjashme