Qysh iu lidh gjuha në një fjali kryeministrit Albin Kurti
Karen Donfried ishte dje për vizitë te Albin Kurti. Na falni, Karen Donfried ishte për vizitë në Kosovë. Na falni, Karen Donfried ishte dje në Kosovë dhe u takua me përfaqësuesit më të lartë politikë të vendit. Na falni, më mirë të filloni leximin prej paragrafit të radhës.
Ky ‘ngatërrim’ që i ndodhi gazetarit të Nacionales ishte përpjekje për ta vizatuar atë që i ndodhi mbrëmë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Donfried është ndër njerëzit më kryesorë në ekipin e presidentit amerikan Joe Biden për Evropë. Pozicioni i saj zyrtar është asistente e Antony Blinkenit, Sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike. Shkurt e shqip: ajo është shefja e Gabriel Escobarit. Me fjalë tjera: nëse deri tash dikush i është trembur peshës politike të z. Escobar, ka dy herë më shumë arsye për t’ju trembur peshës politike të znj. Donfried.
Edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte shprehur vazhdimisht e ngulmueshëm qëndrimin e tij denoncues ndaj agresionit rus në Ukrainë, duket se... kjo nuk po mjafton.
Karen Donfried në konferencën e përmbashkët që mbajti për medie me kryeministrin tonë shprehu ashiqare këtë pamjaftueshmëri.
“Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Kremlinit, për ta destabilizuar rajonin, janë të thjeshta. Kosova dhe Serbia duhet të bëhen bashkë dhe në mënyrë urgjente të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, mbështetur fuqishëm nga SHBA-ja”, u shpreh ndër tjerash ajo.
Para se të merremi me atë që ka thënë z. Kurti, le të rikthehemi në një zyrë në afërsi të kryeministrisë, te Presidenca.
Edhe te presidentja e vendit, Vjosa Osmani, znj. Donfried kishte shprehur urgjencën e dialogut Kosovë-Serbi dhe po ashtu paqëndrueshmërinë e status quo-së.
“Natyrisht që ne sot gjithashtu diskutuam për urgjencën dhe nevojën për progres në procesin e dialogut, gjithnjë të përqëndruar në njohjen reciproke”, u shpreh znj. Osmani pas takimit.
Në fakt, e gjithë kjo nuk na tingëllon gjithaq “natyrisht” në kontekstin tonë politik. Urgjenca dhe nevoja e progresit në dialog nuk ishte shprehur dhe nuk shprehet nga krerët tanë shtetërorë në deklarimet e tyre për shoqërinë kosovare. Osmani kishte qenë pjesë e një liste zgjedhore që i fitoi 50 për qind të votave, por që dialogun e shihte – madje publikisht – si prioritet të gjashtë a shtatë.
T’i rikthehemi kryeministrit Kurti në momentet pas takimit që pati me delegacionin amerikan që në krye kishte znj. Donfried.
Në Facebook ai e publikoi videon e konferencës së përbashkët që kishte me diplomaten amerikane duke e prezantuar me anë të një përshkrimi ku thuhej:
“Deklarimi i Ndihmës-sekretares së Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, znj. Karen Donfried, dhe imi para gazetarëve mbrëmë pas takimit të përzemërt dhe frytshëm që patëm.”
Edhe pse kemi të bëjmë me një përshkrim të thjeshtë me vetëm një fjali, kryeministri duket se ishte shumë i dhënë që ta bënte në formën e duhur. Ai e editoi këtë postim plot tri herë, siç mund ta shihni përmes fotografisë së ekranit më poshtë.

Në fillim, kryeministri i referohet znj. Donfried si “Asistente e Sekretarit të DASh”. Herën e dytë, ai i referohet si “Ndihmës Sekretare e shtetit” dhe herën e tretë i referohet si “Ndihmës Sekretare e Shtetit”, pra me “Sh” të madhe.
Dhe... edhe në versionin e fundit të kësaj fjalie të vetme i janë përvjedhur nja dy gabime drejtshkrimore. Evro a Euro? Apo, edhe “Evro” e edhe “Euro”. Plus kësaj, mungon edhe një vijëz që lidh “Ndihmës” me “Sekretare”.
Status quo-ja
Gjendja ekzistuese në raportet mes Kosovës dhe Serbisë ishte kryefjala e takimeve të znj. Donfried në Kosovë.
Përmendja e ripërmendja e urgjencës së dialogut e mbështet mjaftueshëm një gjë të tillë. Sidoqoftë, ajo nuk ngurroi të përmendte edhe në mënyrë eksplicite këtë fjalë:
“Status quo-ja është paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen europiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor.”
Donfried dhe Escobar do të vizitojnë sot edhe përfaqësuesit politikë të Serbisë, dhe mesazhet pritet të jenë po njësoj të prera.
Për ta lexuar një tekst në lidhje me Status quo-në speficikisht, ftojmë lexuesit që të klikojnë në këtë VEGËZ.