Takimi me Lajçakun, Kurti e konfirmon se është i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen në Ohër
Në një komunikatë të lëshuar për media nga Qeveria e Kosovës është bërë e ditur se kryeministri Albin Kurti është i gatshëm për nënshkrimin e Marrëveshjes për Normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
Në njoftim më tej thuhet se kryeministri ka theksuar gatishmërinë e tij që të jetë palë konstruktive dhe e përgjegjshme.
“Kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që të jetë një palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e përkushtuar në parimet e demokracisë liberale e të vlerave të Bashkimit Evropian.”
Më tej në komunikatë shtohet se pritshmëritë e kryeministrit janë që BE të punojë në drejtim të përmbylljes së procesit, duke nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen në takimin e radhës që do të mbahet në Ohër.
“Në këtë frymë, ai gjithashtu shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për Normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës,”- është thënë në njoftimin e Qeverisë të lëshuar mbrëmjen e së enjtes.
