Takimi Kurti-Hamza përfundon pa marrëveshje për Presidentin: Kosova katër ditë larg zgjedhjeve të reja
Me vetëm katër ditë kohë për të zgjedhur presidentin e ri para se vendi të shkojë automatikisht në zgjedhje të parakohshme, takimi i sotëm mbi një orë mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Bedri Hamza, dështoi pa marrëveshje.
Takimi i dytë mes krerëve të partive me numrin më të madh të deputetëve në Kuvend për çështjen e presidentit u paraqit nga të dyja palët si përpjekje e sinqertë për të gjetur kandidat konsensual presidencial, me kreun e PDK-së që tha se i komunikuan Vetëvendosjes 'ofertën e fundit' rreth këtij procesi.
Hamza tha se kishte hyrë në proces të diskutimeve me atë që e përshkroi si besim të sinqertë se terreni i përbashkët ishte i arritshëm, veçanërisht rreth një figure nga një nga familjet me peshën simbolike më të madhe të vendit.
"Unë kam pranuar takim me Kurtin për bindjen se ekziston vullnet për një figurë unifikuese, për një anëtar të familjes shumë të ndërtuar Jashari," tha Hamza.
Ky opsion, megjithatë, u shpërbë para se negociatat të konsolidoheshin rreth tij. Nga familja Jashari refuzuan të bëheshin pjesë e procesit, dhe Hamza tha se e respekton tërësisht vendimin e tyre. "Pas vendimit të familjes që ata mos të jenë pjesë e procesit, unë e respektoj vendimin e tyre dhe flas me shumë respekt," tha ai.
"Oferta konkrete dhe e fundit" e PDK-së
Pas takimit të sotëm me Kurtin, Hamza tha se partia e tij paraqiti atë që e quajti ofertë të fundit të Partisë Demokratike; “të zgjidhet Presidenti i ofruar nga PDK me qëllim për stabilitet institucional”.
"Në takimin e dytë me Kurtin për këtë çështje, si PDK ofrojmë edhe një mundësi konkrete dhe të fundit për shmangur zgjedhjet e reja: kërkuam që të zgjidhet Presidenti i ofruar nga PDK me qëllim për stabilitet institucional," deklaroi Hamza.
"Me këtë ofertë, për të mos lënë krizë të panevojshme, PDK vlerëson se kontributi ynë në këtë proces është përmbushur," shtoi kreu i PDK-së.
Ai shtoi se PDK-ja ka përvojën e mjaftueshme institucionale që të propozonte një emër “i cili ka të gjitha atributet që duhet t’i ketë një President i vendit.”
“Nuk kemi mbërri ne te emrat. Kemi folë për parime. Kërkesa jonë ka qenë që Presidenti të zgjidhet si propozim i PDK-së. PDK ka përvojë të mjaftueshme institucionale politike në shëndertimin e Kosovës. Po të vinte me radhe që të propozohej emri i Presidentit apo i Presidentes, ne do ta propozonim një emër dinjitoz i cili ka të gjitha atributet që duhet t’i ketë një President i vendit që ta reprezentoj Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme.” – deklaroi Hamza gjatë konferencës për media.
“Do të kemi propozime partiake”
Nga ana tjetër, Kurti, pas takimit me Hamzën tha se nga ky takim nuk ka rezultuar ndonjë marrëveshje politike dhe se rrjedhimisht secila parti do të dalë me kandidaturat e veta për kreun e shtetit.
“Shpresoj që të kemi një garë ku emrat të dihen sa më shpejt, por tash për tash ky nuk është rasti. Kur s’ka mundësi për marrëveshje politike a propozim konsensual, atëherë do të kemi propozime partiake që do të merren vesh shpejt, por emrat e përveçëm,” u shpreh Kurti.
Ai bëri të ditur se Vetëvendosje do ta mbajë nesër mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku ndër temat kryesore do të jetë edhe çështja e presidentit. Ai shtoi se deri në këtë moment subjekti i tij nuk është përcaktuar ende për ndonjë kandidat konkret.
“Ne nuk jemi përcaktuar për emër të veçantë. LVV është subjekti më i madhi në Kosovën e pasluftës, dhe besoj që nuk është vështirësia aty (te emri), por te hapat që na presin në vijim. Uroj në një garë demokratike e të hapur, dhe sa më parë ta kalojmë këtë sfidë,” tha ai.