Darka me Vuçiqin e takimi me Scholzin, si e mbrojtën Kurtin deputetët e VV-së? - NACIONALE

Darka me Vuçiqin e takimi me Scholzin, si e mbrojtën Kurtin deputetët e VV-së?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Reagime, humor, tallje e ironi u panë mbrëmë, pak kohë pas publikimit të fotografisë ku shihej kryeministri Albin Kurti në darkë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Gazeta Nacionale raportoi në kohë reale për këtë darkë që ishte joformale, teksa erdhi pas takimeve të ndara që të dy palët mbajtën me kancelarin gjerman, Scholz.

Ishin të shumtë ata që e kritikuan kreun e ekzekutivit, ndërsa nuk ngurronin të shpërndanin video nga e kaluara, kur Kurti, si opozitar, kritikonte vazhdimisht çfarëdo pjesëmarrje në dialog.

Sot, gjatë konferencës së përbashkët për medie me ministren e mbrojtjes, Christine Lambrecht, Kurti ripërsëriti atë që kishte deklaruar më herët, se në parim nuk është kundër dialogut, por kundër një dialogu pa parime.

Gjithashtu, ai gjeti një tjetër arsyetim, për ta topitur sadopak kritikën e pranuar përgjatë kësaj kohe. I pari i qeverisë tha se përkundër faktit që mori pjesë në darkë, gjellërat nuk i kishin të ndryshme. Sipas Kurtit kishte barazi ndërmjet palëve në tavolinë.

Por, si reaguan deputetët e VV-së?

Si çdoherë, në radhën e parë të atyre që i dalin krah shefit është Arbër Rexhaj. Deputeti prizrenas, në T7 pyeti se çka ka të keqe në një foto të tillë.

“Fotografia ishte publike, nuk ishte sekret. Këta kanë dalë në fotografi. Çka ka të keqe këtu. Pyetja themelore duhet të bëhet çka realisht është biseduar në atë darkë dhe në fakt cilat janë qëndrimet e qeverisë Kurti për dialogun”, tha Rexhaj.

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njeriu që fare në fund siguroi një ulëse në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi, ishte pak më i zëshëm. Madje, ai shkoi në atë nivel sa të deklarojë që Kurti mund të flasë në emër të shqiptarëve më shumë sesa ka mundur ta bëjë Thaçi.

“Albin Kurti mund të flasë në emër të shqiptarëve shumë më shumë sesa ka mundur të flasë Hashim Thaçi. Arsyeja kryesore është futja në negociata me fusnotë pas shpalljes së pavarësisë. Është bërë demarkacioni, Marrëveshja e 2013, është bërë marrëveshja ku tentohet të formohet një institucion i tretë në vend, krejt në fund janë hapur temat për kthimin e dhuratave të Rankoviçit, deri te momenti kur Thaçi thotë “we are not problematic guys”. Ia ka hekur barrën Vuçiqit për krejt ato krime që ka kryer që ai të vijë në Kosovë, ku në një nga rastet e vizitës vjen e lavdëron Millosheviçin. Dialogimi i Thaçit ka qenë për nevoja personale”, ka thënë Abazi në Debat Plus.

Në anën tjetër, deputeti nga Vushtrria, Gazmend Gjushinca, e zgjodhi si foto të ditës atë të bërë mes kryeministrit Kurti e kancelarit Scholz.

Nuk kishte se si të mungonte edhe një reagim i ushtrueses së detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Kusari-Lila, në orët e hershme të ditës, duke shfrytëzuar llogarinë zyrtare në Facebook, plasoi një zemër mes flamujve të të dyja shteteve, Kosovës e Gjermanisë, ndërsa përshkrimit ia bashkëngjiti edhe disa fotografi mes homologëve, Kurti e Scholz.

Lidhur me këtë, Gazeta Nacionale ka kontaktuar me analistin Imer Mushkolaj. Njohësi i zhvillimeve politike në vend, ka thënë se kryeministri Kurti e ka kuptuar që dialogu nuk ka alternativë. Tutje, ai shtoi se nuk ka mundur t'i shmangej dhe se nuk kishte pse ta bënte një gjë të tillë.

"Dialogu nuk ka alternativë dhe Kurti e ka kuptuar këtë. Ai nuk ka mundur t'i shmanget darkës dhe nuk ka pasur pse t'i shmanget. Të paktën formalisht, në këtë mënyrë ka treguar gatishmërine e Kosovës për vazhdimin e dialogut, në kohën kur Serbia po e akuzon Kosovën si bllokuese të procesit", tha fillimisht Mushkolaj.

Ndërkaq, ai vuri në pah edhe faktin se SHBA-ja e Gjermania tashmë po tregojnë angazhim më të madh sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

"Tashmë ka një angazhim më të madh amerikan dhe gjerman që dialogu të vazhdojë dhe të përfundojë me njohje reciproke. Kosova, respektivisht Kurti nuk duhet lëshuar rastin që të kontribuojë seriozisht për t'i dhënë fund procesit. Tekefundit, porosia amerikane është e qartë: status quo'ja i konvenon Kremlinit. Kosova nuk duhet t'i kontribuojë kësaj", përfundoi ai.

/Nacionale/

Lajme të ngjashme