Takime me kryetarë komunash e diasporën: Çfarë bëri Kurti në Turqi, në vizitën e dytë për pak javë? - NACIONALE

Takime me kryetarë komunash e diasporën: Çfarë bëri Kurti në Turqi, në vizitën e dytë për pak javë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javë që iku ka qëndruar në Turqi. Kjo është vizita e dytë për pak javë në shtetin turk, që është aleat i shtetit kosovar. Për dallim nga hera e kaluar, Kurti kësaj radhe nuk takoi ndonjë prej krerëve të lartë të Turqisë. Së paku, Kurti nuk kishte takime publike me presidentin ose ndonjë prej ministrave të presidentit Rexhep Tajjip Erdogan, siç kishte ndodhur herën e kaluar në fundmajin e fillimqershorin.

Në vizitën e korrikut, Kurti ka realizuar katët takime, për të cilat ka njoftime publike. Mund të ketë pasur më shumë, por Qeveria e Kosovës njoftoi për vetëm katër takime.

Gjatë qëndrimit në Turqi, Kurti u takua me guvernatorin e Izmirit, kryetaren e Komunës së Foçës në Provincën e Izmirit, kryetarin e Bashkisë Metropolitikane të Izmirit dhe një takim të mërgatës dhe përfaqësueses të shoqatave në Turqi.

Në Foçë, Kurti u prit me një pankartë interesante. “Jemi vëllezër” – ishte pankarta me të cilën u mirëprit Kurti.

“Kryeministri Kurti falënderoi kryetaren Saniye Bora Fıçı për pritjen e ngrohtë, por edhe për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj shtetit tonë.

Së bashku diskutuan mbi kontributin e mërgatës shqiptare në Izmir dhe Turqi, dhe për rolin e saj në raportet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Saniye Bora Fıçı është Kryetarja e parë grua e Komunës së Foçës”thuhej në njoftim të Qeverisë së Kosovës.

Kurti nuk i harroi as takimet me diasporën shqiptare në Turqi, përkundër që kishte numër të vogël të pjesëmarrësve. Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës shkruhej se Kurti u ka shpjeguar diasporës shqiptare në Turqi për zhvillimet në vend dhe “qeverisjen në këto më shumë se tre vjet”.

“Kryeministri gjithashtu veçoi arsyet se pse Kosova ofron një mjedis të favorshëm për investime, përfshirë këtu çmimin e lirë të energjisë elektrike, fuqinë punëtore profesionale, besimin në institucionet publike, politikat fiskale dhe faktin që Kosova së fundmi ka marrë vlerësimin e saj të parë kreditor sovran nga Fitch Rating. Me këtë rast, ai u bëri thirrje që të vijnë në Kosovë, të hulumtojnë mundësitë që ofron vendi ynë dhe të investojnë, teksa shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e vazhdueshëm e të rëndësishëm të mërgatës sonë në Turqi, sa në ruajtjen e raporteve të mira, aq edhe në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë” – shkruhej në njoftimin e Qeverisë Kurti.

Në vizitën e qershorit, Kurti ishte mirëpritur nga Erdogani, duke realizuar një takim të gjatë.

“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë gjithë etapave të ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe zhvillimit të tij, sikurse shprehu edhe falënderimin për përkrahjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për votën e deputetëve turq në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill të këtij viti dhe qëndrimin e Qeverisë së Turqisë në Komitetin e Ministrave të kësaj organizate”, njofton veç tjerash Zyra e Kurtit më 31 maj”njoftonte Qeveria Kurti pas takimit.

Në këtë vizitë, Kurti kishte takuar edhe Hakan Fidanin, ministër i Punëve të Jashtme të Turqisë, dhe kishte realizuar një vizitë në fabrikën e armëve që prodhon “Bajraktarin” dhe “Kizil Elma”. Sjellim ndër mend, Kurti kishte qëndruar në Turqi edhe në vitin 2023.

Lajme të ngjashme