Tahiri: Aktvendimi i Kushtetueses konfirmoi se VV-ja e ka mbajtur peng Kuvendin
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri e ka cilësuar aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese si konfirmim të plotë të qëndrimit të PDK-së se Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur peng Kuvendin për muaj me radhë, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Në vazhdimësi i kemi kërkuar z. Dehari ta respektojë aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, pra para këtij aktgjykimi që doli sot dhe ta respektojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, gjë të cilën e refuzonte në vazhdimësi. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj, të shpallur sot shpalli të pavlefshme të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 për shkak të moszbatimit të aktgjykimit të mëhershëm të shkeljeve të rënda procedurale dhe kushtetuese”, shtoi ai.
“Jemi të lumtur që tashmë nuk do ta kemi barrikadën që e pati vendosur z. Kurti me zonjën Haxhiu, si një barrikadë që nuk mund ta kalonim për të krijuar institucionet. Mirëpo, e njëjta nuk mund të dalë në votim më shumë se tri herë dhe shpresojmë që gjatë kësaj periudhe do të arrijmë në pikën kur do ta gjejmë një kanididat, i cili do ta ketë edhe votën e grupeve tjera parlamentare”, tha Tahiri.