“Sveçla në vend të mysafirit”: A i fyu Kurti në takim liderët opozitarë?
Tre liderët e opozitës sot kanë shkuar në takim me kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar për situatën në veri. Takimi i Memli Krasniqit, Lumir Abdixhikut dhe Ramush Haradinajt me të parin e Qeverisë në zyrën e këtij të fundit është kritikuar për disa arsye nga njohësit të rrethanave politike në vend.
Fotografitë që dolën nga takimi tregojnë se në krye të vendit ishte ulur kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ulja e këtij të fundit në karrigen ku ulen mysafirët që e takojnë kryeministrin po konsiderohet si fyerje për liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
Avokati Besnik Berisha, i cili ka qenë këshilltar i ish-kryeministrit Isa Mustafa, ka thënë se renditja në takim përbente shkelje të protokollit.
“I paska ulë si nxënësat në shkollë, dy ‘mësuesit’ në ballë të oxhakut. Kështu s'ka qenë kurrë protokolli. Po dua të besoj se ministri Sveçla nuk është ulë në vend të mysafirit vetëm sa me ju tregu se kush është ‘shefi’”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në “Facebook”.
Kritika ndaj renditjes se karrigeve për mysafirët është shprehur edhe ish-deputeti nga Lëvizja për Bashkim, Agim Kuleta.
Ai ka ironizuar me takimin, duke thënë se dukej sikur ministri Sveçla me delegacion ka takuar Kurtin.
“Ministri i MPB-se, Xhelal Sveçla, dhe bashkëpunetoret e tij, sot u priten në takim nga kryeministri Kurti me ekipin e tij”, ka shkruar Kuleta.
Opozitarët të pakënaqur me takimin
Nuk dihet nëse renditja në takim ka ndikuar në përmbajtjen e takimit, por liderët opozitarë nuk janë shprehur të kënaqur me takimin.
Pakënaqësinë i pari e ka shprehur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili e ka lëshuar takimin para kohe.
“Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre. Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”, ka shkruar Haradinaj në rrjete sociale “Facebook”.
Në anën tjetër, edhe ata që qëndruan deri në fund në takim, nuk është që mësuan diçka të re. Kështu të paktën deklaruan vetë Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar para gazetarëve se nuk ka siguri nëse Kurti do të mund ta mbajë gjendjen nën kontroll.
“Siç e dini, unë ia dërguar një letër kryeministrit lidhur me situatën në veri, kemi hyrë në situatë që nuk ka epilog të qartë dhe eskalimi është i mundur”- deklaroi Krasniqi, duke treguar temat e diskutuara.
“Patëm diskutim si është situata, si ka ardhur deri këtu. Isha i interesuar t'i dëgjoja planet, nuk mund të them se dola me një siguri të madhe që Qeveria e di ku është duke shkuar dhe çka duhet të bëjë për ta mbajtur situatën nën kontroll. Në këtë moment, Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme. Qeveria t'i ndërmarrë veprimet që i takojnë. Do ta ketë përkrahjen e PDK-së për veprime të cilat i ruajnë sukseset pas pavarësisë, me integrimin e komunitetin serb në të gjitha institucionet dhe ruajtjen e sovranitetit”- theksoi Krasniqi.
Kurse, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kërkoi të ketë koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nuk kuptuam diçka më të re se deklarimet publike që kryeministri i ka pasur, e gjithashtu nuk pamë plan konkret për zgjidhjen e situatës së krijuar në veri të vendit. E gjithashtu nuk pamë as gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtarë”- deklaroi Abdixhiku.
Sipas tij, kryeministri Kurti duhet të koordinohet me aleatët.
“Për LDK-në besojmë që koordinimi i ngushtë me DASh-in, me institucionet e sigurisë amerikane, aleatët në Uashington dhe Bruksel, është zgjidhja e vetme adekuate për situatën në të cilën është Kosova. Kosova nuk duhet të bjerë pre e kurtheve të destabilizimit të vendit nga faktorë që burojnë në Beograd”- tha ai.
Pas takimit, gazeta Nacionale ka mësuar se atmosfera e takimit ka qenë e rëndë.
Një burim i gazetës ka thënë se në takim lideri i AAK-së e ka sharë kryeministrin Kurti.
“Nëse vazhdon qishtu, ja q*ve nanën venit dhe vetit”, i ka thënë Haradinaj kryeministrit, sipas burimit të gaztës.

