Sveçla i reagon Qalajt: Do ta luftojmë krimin dhe nuk do të shantazhohemi nga asnjë rrethanë - NACIONALE

Sveçla i reagon Qalajt: Do ta luftojmë krimin dhe nuk do të shantazhohemi nga asnjë rrethanë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka bërë një fjalim mjaft të ashpër në Kuvendin e Kosovës sot ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndaj të cilit ka ngritur disa pretendime të rënda për ushtrim ndikimi.

Qalaj ka pretenduar se drejtori i Krimeve Ekonomike, Musli Salihu, është shkarkuar pas bastisjes së z. Nagip Krasniqi, shef i KEK-ut dhe ish-aktivist i Vetëvendosjes.

“Menjëherë pas deklarimit të z. Sveçla se nuk është i kënaqur me një segment të Prokurorisë... shkarkohet drejtori i Krimeve Ekonomike.” – u shpreh Qalaj.

“Të nderuar deputetë, të dashur qytetarë, në fillim të marsit ministri i brendshëm përafërsisht 12 orë ka mbajtur shefat e hetimeve të Policisë së Kosovës."

Rreth kësaj ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili ka thënë se takimi që ka përmendur Qalaj ka qenë prezantim i të arriturave të Policisë në fushën e luftimit të krimit, në formatin e punëtorisë.

Sveçla ka thënë se gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës, Qalaj nuk e ka pasur asnjë qëllim të mirë.

Ai tutje ka thënë se nuk kanë asnjë rrugë tjetër përveç luftimit të krimit dhe sipas tij do ta ndjekin këtë rrugë, përkundër sulmeve e përpjekjeve për ta minuar këtë proces.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se nuk kanë pranuar të shantazhohen nga asnjë rrethanë dhe nuk do të zmbrapsen.

Postimi i plotë:

Mbase po duan të thonë se Departamenti i Hetimeve në Polici, e ato që janë për krimin e organizuar e korrupsionin duhet t’i raportojnë z. Qalaj ende? A çfarë është porosia e kësaj insinuate të thënë sot në Kuvend? Apo po duan të intimidojnë policët hetues që kryejnë punët e tyre? Padyshim që asnjë qëllim të mirë nuk e ka pasur sot ish Drejtori i policisë, deputeti i PDK-së Rashit Qalaj.

Takimi i përmendur sot ka qenë prezantim i të arriturave të Policisë në fushën e luftimit të krimit, në formatin e punëtorisë (për ironi të fatit, në objektin që është pronë e MPB-së). Pjesëmarrësit e atij takimi kanë qenë me autorizimin e eprorit të Policisë dhe kabineti im. Policia e Kosovës është Agjenci Ekzekutive nën ombrellën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Është detyrë e imja që të kërkoj prezantim apo raport mbi të gjitha angazhimet që Policia e Kosovës i ka në mandat dhe të obliguara ligjërisht që t’i zbatoj. Kjo vlenë për të gjitha agjencitë që mbulon Ministria e Punëve të Brendshme.

Ne nuk kemi rrugë tjetër përveç asaj të luftimit të krimit. Dhe ne do ta ndjekim atë rrugë pashmangshëm. Lufta jonë ndaj krimit do të vazhdojë, përkundër sulmeve e përpjekjeve për të minuar këtë proces.

Për këdo që ka dilema në këtë, më vjen keq për ta, është proces i pakthyeshëm dhe natyrisht për disa edhe i dhimbshëm.

Ne nuk kemi pranuar të shantazhohemi nga asnjë rrethanë, sot më shumë së kurrë as nuk shantazhohemi as nuk zbmrapsemi.

Lajme të ngjashme